Bronislaw Malinkowski është i njohur ndërkombëtarisht si njëri prej themeluesve të antropologjisë sociale, si krijues i një fushe moderne kërkimore, si shkrimtar i madh dhe mësimdhënës frymëzues. Letrat në ‘The Story of a Marriage’ janë shkruar nga Malinowski dhe gruaja e tij, Elsie Masson, nga viti 1916 deri në vdekjen e saj, më 1935.
Grendon
Sherbrooke
E martë, ora 7 në mbrëmje
7 gusht 1917
Bronio i dashur,
Këtu jam fikall vetëm… pra e kam dhomën time dhe vatrën e zjarrit dhe gjithë mbrëmjen para vetes që të të shkruaj.
Të kam shkruar rreth pakënaqësisë sime që nuk munda të të takoj… gjatë gjithë rrugës së kthimit për në shtëpi eca zvarrë… fola me ty gjatë gjithë ngjitjes për në bjeshkë dhe u ndjeva më mirë kur arrita këtu…
Kisha menduar të të kërkoja të vije të enjten… por pastaj se ishte më e drejtë që ti të kishe në dispozicion tërë kohën që kishe planifikuar të kishe në Adelaide. Do të vish këtu vetëm të premten dhe do të largohesh të mërkurën, kështu që mendoj se s’do të ishte e drejtë të ta ndryshojmë këtë.
Tash do të të përgjigjem në letrën tënde (të 6 gushtit). Me gjasë ne ndihemi të druajtur në letrat që i shkruajmë. Ti e di, kurrë s’kemi korresponduar. Ndërsa, sikur të kishim filluar në këtë mënyrë, do të ishim ndier të druajtur në biseda… Më kanë thënë më parë se letrat e mia janë tepër objektive. E njëjta pakënaqësi është shfaqur edhe në librin tim.
Vetëm kujtoje se ti ke qenë këtu kur unë e kalova atë natë jashtë me Tommyn… a nuk është e çuditshme që edhe në atë kohë ti ishe i ngadaltë dhe sigurisht ti po hyje në jetën time dhe unë në tënden?… nuk kanë qenë rrethanat apo mjedisi apo çkado qoftë tjetër që na ka bashkuar, por vetëm vetja jonë. Ti po filloje të ndiheshe fort i sëmurë atë kohë dhe koha jote e zymtësisë ishte e gjitha para teje. Mua më shkaktonte një dhimbje të fortë… të të përfytyroja të ecje vetëm përgjatë plazhit të St. Kildës në atë lloj apatie vdekjeprurëse.
Pippini këtu të thotë seriozisht se Mozarti ishte hebre, Wagneri ishte hebre, muzika e Straussit është thjesht zhurmë e kështu me radhë. Të kam thënë se ai është i bindur tashmë se unë jam pro-gjermane dhe se tash është edhe më tepër pasi që unë s’do ta pranoj se talenti i Wagnerit është plotësisht semitik në origjinë ose sidoqoftë pasi të them se s’ka rëndësi a është a nuk është i tillë. E ndiej se shumë njerëz fshehtazi nuk ndiejnë mëri ndaj gjermanëve dhe ideve gjermane, por kanë frikë ta thonë këtë thjesht ngase pastaj quhen pro-gjermanë…
Ishte e çuditshme të kthehesha këtu… Kam menduar për të gjithë ata që i ka marrë me vete lufta para dhe deri më tani, për të vdekurit dhe të gjallët. Kur vjen te një pauzë e tillë, duket sikur të përlan përsëri.. siç e di edhe ti, në këtë kohë mendimet e mia kthehen mbrapa… ti gjithmonë e ke kuptuar shumë mirë dhe fuqishëm se unë tash kam për ty gjithmonë të njëjtat mendime… Bronio, nuk më mbetet veçse të të jem thellësisht mirënjohëse. Më ke dhënë gjithë atë lumturi.
Ne ishim si dy persona të bartur tutje pas përmbysjes së anijes, apo jo?
Kur të dal sonte të shikoj hënën, e di se do të mendoj për atë kohën e para duy viteve, por mendimet e mia do të të përqafojnë gjithë kohës…
Duhet të të them se kam filluar të lexoj La Terre… Zola më bëri për vete menjëherë, rreth njëqind herë më shumë se sa Balzaku… (E vetmja gjë që më pëlqeu përnjëmend ishte ajo se heroina kishte des yeux verdâtres, semés de points bruns [sy të gjelbër, të spërkatur me pikla të zeshkëta].)
E kuptoj tashmë çka nënkupton ti kur thua se Zola i ngjan punës tënde. Kishte një ide të fuqishme qendrore, gjithçka shprehte atë ide, kishte një lidhje me të… asgjë nuk dukej triviale… gjithçka është shpjeguese e idesë kryesore. Lexuesi nuk është thjesht i prezantuar me një rrëmujë faktesh, por një filozofi është e vendosur në mënyrë konstante para tij. Është njëjtë si në punën tënde…
Do të filloj edhe njëherë nga e para artikullin (për revistën socialiste). Do të jetë më tepër për zonjusha dhe më tepër në pajtim me etiketat më të mira australiane.
Këtë s’do ta marrësh deri të enjten dhe do të doja një përgjigje prej teje po pate kohë… Nuk ma merr mendja se do të të shkruaj në Adelaide, Bronio i dashur… duket se është më mirë të mos mendosh për mua më shumë se sa që është mirë për ty. Ndërsa unë do të mendoj shumë gjatë për ty, si zakonisht…
Si e ke tash fytin e irrituar? Kur s’të pashë sot në tren, mendova se mbase je i sëmurë… Un jam shumë mirë tash dhe jo aq e lodhur pas ecjes sime të gjatë. Është rreth dhjetë milje dhe pjesa e fundit bukur e rëndë.
Është kaq e çuditshme të jem krejt e vetme gjatë vakteve këtu. Kuvendoj dashamirësisht me shtëpiaken. Kurrë s’do të isha pjesë e ‘Le Higlif’. Besoj se do të isha shoqe e mirë e një lakeu të klasës së tretë.
Përcillja dashurinë time Yarra-Yarras kur të kalosh andej.
E.R.M.
E enjte, mëngjes, 9 gusht 1917
Tash po dal të eci në Belgrave… të ta regjistroj përsëri mesazhin dhe të ta nis këtë letër… në përgjigje të letrës tënde dhe poezitë që sapo kanë arritur… E di se është shumë e rëndë për ty dhe e pamundshme të parashikosh çka do të bësh pas Adelaides…
Sa shumë gjej kënaqësi te letra jote. Ende s’i kam lexuar poezitë natyrisht… Shko dhe merre atë mentolinën. Bëje tash. I mbyt vërtet mikrobet. Të lutem bëje, Bronio Kasper. Shko, shko.
Shumë falënderime për Anatolin. La Terre progresses. Ces bêtes de
paysans! Nganjëherë e humb durimin, por derisa mendoj se sa pak bukuri ka aty në jetët e tyre, apo sa të shëmtuara i bëjnë ato, papritur e kuptoj një bukuri tronditëse në to. Ika për në Belgrave. Veç jam vonuar.
Te dentisti
E enjte në mbrëmje
9 gusht 1917
Elsie e dashur,
Këtij mëngjesi po ndihem shumë më mirë dhe teksa po shkoja te treni nga Malverni (fjeta te Khunersët) ndjeva një tundim të tillë të shkoja ngjitesha kodrave dhe shpresoja se do të merrja një letër nga ti… E dija se ishte ‘më mirë’ të shkoja në Adelaide sot kështu që po të shkruaj vetëm këtë letër lamtumirëse.
… E dija se to e kupton pozicionin tim. Nuk do të ishte korrekte për ty apo këdo tjetër nëse unë do të hidhja dritë mbi vështirësitë që shoh para meje. Jam gjithnjë e më i frikësuar nga ajo me të cilën do të përballem, ndërkohë që po avitet momenti. Jam njëmend i dhënë pas saj dhe njëkohësisht jam shumë i lidhur dhe bukur shumë i magjepsur prej saj.
Nëse është e tmerrshme të ndiesh se dikush mund të zhgënjejë një person tjetër… kur nuk ndien asgjë, është edhe më tepër në këtë rast, kur unë kam një ndjesi të fuqishme. Por jam i sigurt se do të marrë fund dhe është më mirë për mua të shkoj dhe ta takoj. Ti e di se duhet të të tregoj saktësisht se si janë gjërat dhe unë të jam mirënjohës për ato fjalë të pakta dhe mirëkuptuese që i ke shkruar në fund të letrës tënde të dytë… ti je personi i vetëm me të cilin mund të flas hapur dhe sado që kjo duket shumë jokorrekte ndaj personit tjetër, ndiej se prapë më duhet ta bëj këtë.
Në letrën tënde të gjatë ka shumë gjëra të cilave duhet t’u jap një përgjigje, por disi nuk mund ta bëj këtë: po ndihem aq i mërzitur dhe sikur po ‘kridhem në një humnerë’… Ti e di se që nga fillimi e deri në fund kam ndier thellësisht të kaluarën tënde dhe e gjithë ajo që është e lidhur me të është e shenjtë për mua. Vetëm se nuk e di nëse unë… kam të drejtën e gjithë atyre ndjenjave nga ana jote. Ti e di sa fort e kam ndier që jam lënë jashtë listës (do të thotë të marr pjesë në luftë).
Elsie, mikja ime më e shtrenjtë, më vjen shumë keq që në vend se të të dhuroj një çikëz paqe dhe qetësi me këtë letër, po të shtoj edhe më tepër telashe të huaja dhe të reja, ndërkohë që ti je kaq e trishtuar dhe me kujtime aq të trishtuara… Nuk e di se çfarë ka ndodhur… thjesht fati po luan me mua… po ashtu është e qartë se ne të dy e kuptojmë njëri-tjetrin më me rrënjë se sa që na ka rastisur më parë ndonjërit prej nesh.
Bronio yt
/Marrë nga ‘The Story of a Marriage. The Letters of Bronislaw Malinowski and Elsie Masson. Volume I 1916–20’, Routledge, 2002/Gazeta Express