Kathleen Mansfield Murry (1888 – 1923), shkrimtare nga Zelanda e Re. E njohur për tregimin e shkurtër, ajo ishte një figurë e rëndësishme e lëvizjes moderniste, e botuar anekënd botës.
John Middleton Murry (1889 – 1957), shkrimtar anglez, autor i mbi 60 librave dhe mijëra eseve dhe recensioneve rreth letërsisë, problemeve shoqërore, politikës dhe religjionit.
95 Elgin Crescent,
Londër
8 maj 1915
E shtunë mbrëma,
Wig i dashur, e mora letrën tënde këtë mëngjes. Do të doja të ishe këtu tash.
Sapo ishin këtu Lawrencët. Dje, duke menduar se duhej të isha e mirë me ta, i ftova këtu të darkojmë sonte në orën 7. Gjithë ditën kam qenë me vëllain tim, ngase ishte ditëlindja e tij dhe nuk u kthyem deri në orën 5.30. Pastaj për një orë e gjysmë u skllavërova që të bëja gati darkën. Ata erdhën me një burrë më shumë në orën 8.30. A nuk është e pakuptimtë që kjo të gjë të më mërzisë? Do të kisha qenë mirë sikur Frieda të mos kishte qenë këtu. Isha e lënduar që ishin vonuar, duke e pasur parasysh se ata e dinin se më duhej t’i bëja të gjitha vetë, por kur pashë Friedën të qeshte në mënyrë aq të trashë te dera, thua se ishte aq bohemiane të jesh një orë e gjysmë me vonesë – jo, kjo ishte paksa tepër. Pas një ore, ajo ndau mendjen se isha gdhe dhe që të ma dëshmonte si duhet të organizohet një ndejë, nisi të këndonte këngë sentimentale gjermane me atë zërin e saj idiotik.
Lawrence vazhdoi të fliste përkitazi me kasollen në Bucks, ty, mua dhe Katherine dhe Frieda nuk do të kalojnë kohë aq të mirë si ne në disa prej atyre mbrëmjeve në kasollen tënde. Më bën të mendoj furishëm. Duhet të jetë i verbër rreth disa gjërave. Mendoj për disa momente të kaluara me një lloj ndjesie se nuk do të ndodhin më – por për mbrëmjet në Rose Tree Cottage, kurrë. Mendoj se tash kam aftësinë të kënaqem pesëdhjetë herë më shumë se sa që e kam pasur atëherë. Por më pëlqen Lawrence; megjithëse ndiej se është duke u përkeqësuar – përnjëmend po bie në shëndet.
Frieda është Gruaja e Kuqe, Kurva e Babilonit, Krupa e Shkretisë që do të Kurvërohej në Vendet e Larta dhe Shenjtorja e Shenjtoreve. Sapo m’u kujtua ajo pjesa e Zbulesës – a nuk është Frieda përnjëmend, duke folur me shpirt?
Ndihem e prirë të shkruaj një dramë rreth mbrëmjes – të titulluar ‘Un Peu de Charcuterie’ – kam marrë diçka nga Appenrodt; më shumë se gjysmën e së cilës e kollofiti e lartpërmendura F., para se të fillonim të hanim – pastaj tha se qepët e pranverës (po ashtu të siguruara) nuk mund t’i hante, ngase ishin vulgare. Pastaj burri i çuditshëm që kishin sjellë shkrepte pandërprerë broçkulla në frëngjisht dhe gjermanisht dhe pyeste Friedën a i shqiptonte drejt.
S’e ke idenë për efektin kafshëror të përbashkët.
Takova vëllain tim në St. Ken. Isha e befasuar që ishte me vonesë. Nuk u shfaq deri në orën 12.10. Pastaj, momentin që më pa nisi të qante. Kështu që m’u desh ta çoja teposhtë Thurloe Sqaure që të kuptoja çka kishte ndodhur. Kishte hipur në autobusin nr 19 – i cili e kishte çuar në Sloane Square. Nuk kishte para më dhe kishte qenë i sigurt se nuk e kisha pritur. Kështu që kishte vrapuar gjithë rrugës prej Sloane Square në S. Keningston (dhe nuk e njihte rrugën fare) aq shpejt sa kishte mundur. Ishte një fillim tipik dhe melankolik. Kështu isha edhe unë. Por kishte me vete një lëng limoni që dukej se i jepte fuqi dhe u sorollatem për dy orë përreth Serpentine. Ishte mrekullisht bukur në Kensingston Gardens sot. Pastaj një drekë të mirë me bazë bulmeti; pastaj erdhi në shtëpi me mua për çaj, pastaj u kthye në shtëpi. Por siç tha sa ishte duke pirë çaj në kuzhinën tonë: ‘Mendoj se sot jam kënaqur’; çka duket të jetë kryevepër.
Nëna më dërgoi një shënim, ku më pyeste nëse do të doje të shkoje tek ajo për çaj të enjten – ‘Nuk të ka parë prej kohësh’ – por unë do të them – veç nëse më ndalohet – ca fjalë të mira për ty kur të shkoj.
Mirë u pafshim, Wig i dashur – tash që fola me ty jam fort mirë
Boge
9 maj 1915
E diel
I dashur Wig.
Sapo më erdhi një mendim qesharak. Po gatuaja një peshk të tymosur për darkë, bash tash, dhe po vrisja mendjen si ia del ti pa stufë gazi. Oh – unë jam tejet budallaçkë. Sa qejf ta shkruaj këtë.
Kam qenë brenda gjithë ditën – e diel – duke punuar për Daily News. Për njëzet minuta do të dalë jashtë të takoj Lawrencët; por e di se do të jem ofensive ndaj Friedës, se s’do mend se e urrej. Më duhet të jem shumë e matur.
Një pjesë të pasdites e kalova duke qepur një pullë në pantallonat e mi, një gajtan të pantallonave dhe duke e arnuar xhepin e jelekut të kostumit tim të vjetër prej leshi. Ia dola për bukuri, posaçërisht me urjezën prej pambuku të bardhë që nxjerr kokën në xhepin e jelekut tim të leshtë.
Sot ishte ditë me erë, diell dhe ftohtë. Në fund mendoj se ishte ftohtë, ngase i hoqa pantallonat si gjëja e parë në mëngjes dhe m’u desh t’i vesh prapë në mbrëmje. (Sa shumë fola sot në këtë letër për pantallonat).
Herët në mëngjes dola jashtë të blija ca duhan nga perria për të cilën të kam folur. Është bukur e ftohtë ndaj meje, jo e ftohtë – s’e kisha fjalën aty – por ajo më përçmon thellësisht. Nuk do të shkoja aty kurrë, vetëm se është dyqani i vetëm i hapur të dielave. Përherë i humb shanset e mia; ajo më bën nervoze.
Çka kam bërë tjetër sot? Nuk më vjen gjë në mendje. Kam menduar për ty shumë herë. Së pari, siç bëj çdo mëngjesi, se ti je tepër i pispillosur për ta zënë shpuzën me dorë – por unë po bëhem bukur eksperte në larjen e vetes me duart e mia. Pastaj kur bëra qepjen mendova se ishte e trishtë që ti nuk ishe këtu që ta shihje, sepse e kam bërë më mirë se sa që mund ta bësh ti, për çdo rast. Po mendoj për ty tërë kohës kur nuk jam duke menduar për ndonjë gjë tjetër; por përveç kur mendimet e mia janë të pasionuara, është një gjë mrekullisht e qetë dhe e lume të mendoj për ty. Unë vetëm buzëqesh pak dhe ndiej se po flisja me dikë tjetër qetësisht në një barkë (mendoj në Venecie) në një natë vere. Është e mrekullueshme të jesh kaq e sigurt dhe për bukuri – e druajtur ose e ndjeshme, s’e di cilën fjalë të përdor.
Por kjo ishte goxha një ditë. Nuk kam asgjë tjetër të të them veçse e di se ti mund të lexosh çdo fjalë që shkruaj.
/Letters between Katherine Mansfield and John Middleton Murry/selected
and edited by Cherry A. Hankin, NEW AMSTERDAM BOOKS
/Përkthimi Gazeta Express