Epistula e javës / James për Bergsonin - Gazeta Express
string(36) "epistula-e-javes-james-per-bergsonin"

Arte

Gazeta Express

16/09/2022 16:13

Epistula e javës / James për Bergsonin

Arte

Gazeta Express

16/09/2022 16:13

Henri-Louis Bergson (1859-1941) dhe William James (1842-1910) filluan t’i shkruajnë njëri-tjetrit në dhjetor 1902, me iniciativën e Jamesit dhe u takuan për herë të parë më 1905

21 William ]ames për Henri Bergson-in

Lexo Edhe:

Chocorua (N.H.), 13 qershor 1907

O i dashuri im Bergson,

ju jeni magjistar dhe libri juaj1 është një çudi, një mrekulli e vërtetë në historinë e filozofisë, që do të shënjojë, nëse nuk po gabohem, një periudhë krejtësisht të re në lidhje me këtë materie, por për dallim nga veprat e gjenisë së lëvizjes “transhendetaliste” (që janë shkruar në një stil aq të errët, të neveritshëm dhe të paqasshëm), është një klasik i kulluar sa i përket formës. Mbase ju mund të qeshni me krahasimin, por në fund të leximit ndjeva po atë shije që të mbetet pas si atëherë kur sapo e kisha përfunduar Madame Bovary, një aromë analoge e eufonisë së vazhdueshme, e ngjashme me një lumë të gjerë që nuk fryhet as nuk tkurret kurrë, por shkon tutje ashtu i rregullt dhe i qetë, plot deri në ledhe. Më tej, përshtatshmëria e imazheve tuaja, që nuk janë kurrë gërvishtëse, apo jashtë pikëpamja e drejtë, por sistematikisht e thjeshtëzojnë mendimin dhe ndihmojnë ta bëjnë të rrjedhë lirisht! Oh, ju jeni vërtet magjistar! E nëse libri juaj i radhës do të shënjojë një progres të tillë të madh në krahasim me këtë, po aq sa ky është në krahasim me dy librat e tu të mëparshëm, emri juaj me siguri do të kujtohet si njëri prej emrave më kreativë të filozofisë.

Ja! Ju kam lavdëruar mjaftueshëm? Ajo që çdo filozof (çdo njeri i vërtetë, njëmend) dëshiron më së shumti janë elozhet – edhe pse filozofët përgjithësisht i quajnë “verifikime”! nëse dëshironi ende lëvdata, bëmani me dije dhe do t’jua dërgoj, nga çasti që kam pasur një buzëqeshje të gjerë në fytyrë prej faqes së parë tek e fundit, në një rrjedhë lumturie të pandërprerë. Po ndihem i rinuar.

Sa i përket përmbajtjes së librit, në këtë moment nuk jam në gjendjen shpirtërore të përshtatshme të bëj çfarëdo shqyrtimi të saktë. Ka shumë nga ato elementet e risisë absolute sa bashkëkohorëve do t’u duhet kohë t’i asimilojnë dhe e marr me mend se shumë prej zhvillimeve të detajuara do të duhet të shtjellohen nga studiues më të rinj, të stimuluar nga idetë tuaja në atë pikë sa të shkëlqejnë në mënyrën që as ju s’e prisni. Sipas meje, arritja themelore e librit është se ia fut një goditje vdekjeprurëse intelektualizmit. Ky i fundit s’do të ringjallet më! Sidoqoftë, s’do ta ketë të lehtë të vdesë, për shkak të gjithë asaj inercie të së kaluarës që e mbush dhe shpirti i profesionizmit dhe pedanterisë, që i shtohen kënaqësisë estetiko-intelektuale për t’u shërbyer me kategori logjikisht të dallueshme, sado që të ndërlidhura, do të bashkohen për një mbrojtje të dëshpëruar. Élan vital, krejtësisht pa përmbajtje dhe i vagullt siç keni qenë të detyruar ta lini, do të jetë një zëvendësim i lehtë me të cilin mund të bëhet shaka. Por kafsha tashmë e ka marrë një plagë vdekjeprurëse dhe mënyra se si e keni therur (intervali versus temps d’arrêt2, etj) është mjeshtërore deri te pasojat e saj më ekstreme. Nuk e di pse kjo rédaction më e fundit e kritikës suaj ndaj matematikës së lëvizjes më është dukur aq fort efikase në krahasim me versionin e parë – supozoj për shkak të përdorimit më të gjerë të parimit që bëni në libër. Ju do të duhej të merrnit vëllimthin tim mbi Pragmatizmin bashkë me këtë letër. Sa fëmijëror dhe irelevant duket në krahasim me sistemin tuaj të shkëlqyer! Por është aq i përkueshëm me ca pjesë të atij sistemi, përshtatet aq mirë me plasat e tij, sa ju do ta kuptoni lehtësisht unë jam kaq entuziast. E ndiej se në fund jemi duke bërë të njëjtën betejë, ju në cilësinë e komandantit, unë si ushtar i thjeshtë. Pozicioni që po e mbrojmë është “Tykizmi”3 dhe ai i një bote që përnjëmend po rritet (groving). Po përderisa unë, deri më tash, nuk kam gjetur mbrojtje më të mirë të “Tykizmit” se sa në afirmimin e mbledhjes spontane të elementeve diskrete të ekzistencës (ose të zbritjes), duke luajtur kështu lojën me armët e intelektualizmit, ju  i keni vënë gjërat në dritë me një të rënë të vetme, përmes konceptimit tuaj fundamental të natyrës kreative të realitetit. Unë mendoj se njëra prej goditjeve tuaja më fatlume është reduktimi i “finalitetit”, siç kuptohet përgjithësisht, në gjendjen e njëjtë me atë të kazualitetit eficient, si fëmijë binjakë të intelektualizmit. Po ky finalitet, më i padallueshëm dhe më i vërtetë, i rivendosur nga të drejtat e tij, do të jetë objekt i vështirë për t’ia dhënë një përmbajtje. Thënë troç, në këtë libër, realiteti juaj fshihet aq thellë sa po pyetem mos nuk keni mundur t’i jepni ndonjë zhvillim më të fortë në mënyrë konkrete këtu, apo mos, kushedi, jeni duke ruajtur disa zhvillime, tashmë në dorën tuaj, për ndonjë vëllim të ardhshëm. Zhvillime të tilla me siguri do të vijnë në vijim për çdo rast dhe do t’i japin jetë një vëllimi të ri; e të marra tok, konflikti mes ideve tuaja dhe atyre tradicionale me siguri do të prodhojë shkëndija që do ta ndriçojnë çfarëdo vendi të errët dhe do ta kthejnë vëmendjen kah shqyrtime të reja të panumërta. Ky proces, sidoqoftë, do të mund të ishte i ngadalshëm, ngase idetë janë tepër revolucionare. Po të mos ishte për stilin, libri juaj do të mund të mbetej i panjohur njëqind vjet; por mënyra juaj e të shkruarit është kaq madhështore sa teoritë tuaja meritojnë vëmendjen të menjëhershme.

Ndihem ende në terrin më të thellë sa i përket relacionit mes lëvizjes progresive dhe regresive dhe kësaj rënieje të fuqishme të subjektit natyror drejt kategorive statike. Me një pluralizëm të kulluar entesh të pajisura me impulse vitale ju shumë lehtësisht do të mund të hasnit në kundërshti dhe rehati, madje edhe sedimente tashmë jo aktive; megjithatë, me një lexim të vetëm nuk arrij ta “kap” saktësisht mënyrën se si continuum-i i reales i reziston vetvetes, ashtu që të mund të veprojë, etj.  

Pjesa e vetme e punimit që ndiej se duhet ta kritikoj në mënyrë konstruktive është diskutimi i idesë së jo-entitetit, që më duket në njëfarë mënyre tepër e elaboruar dhe nuk ma ka dhënë ende përshtypjen se rreth kësaj çështjeje është thënë fjala e fundit. Por të gjitha këto gjëra duhet të përtypen nga unë fare ngadalë. Shoh qartë se kur të jetë ndryshuar inercia në favorin tuaj, shumë tendenca filozofike paraprake do të riaktivizohen, duke u ankuar: “Kjo nuk është asgjë tjetër veçse ajo çka ne e mbështesim prej kohësh”. Vullneti i verbër i Schopenhauer-it, pavetëdija e Hartmann-it4, liria zanafillore e Fichte-s (ripropozuar në Harvard në mënyrën “më pak realiste”, me gjasë nga Münserberg-u)5, që të gjithë do të kërkojnë të kenë prioritet. Po s’ka gjë – aq më mirë nëse ju ndërfuteni në ndonjë linjë të tendencave antike. Edhe misticizmi do të mund të kishte pretendime dhe atë, pa dyshim, të drejta.

Nuk po zgjatem më shumë tash – kjo është thjesht përshtypja e parë; por jam kaq entuziast sa vetëm dy ditë më parë po mendoja: “Falënderoj Qiellin që kam jetuar deri në këtë ditë – ku kam qenë dëshmitar i luftës ruso-japoneze dhe e kam parë të botohet librin e ri të Bergson-it – dy pikat e mëdha të kthesës moderne të historisë dhe të mendimit”.

Urimet e mia më të mira dhe përshëndetjet më të përzemërta!

WmJames

Shënime:

1/Bëhet fjalë për librin ‘Evolucioni krijues’.

2/Frëngjisht – “koha e ndaljes”.

3/ termi “Tykizmi” vjen nga greqishtja që tregon “shortin”, “rastin”. Është një prej koncepteve çelës të filozofisë së Pierce-t, që James e sheh si sinonim të diçkaje që ”bëhet reale”, apo “kohëzgjatjes reale” të Bergsonit.

4/ Eduard von Hartmann (1842-1906).

5/ Hugo Miinsterberg (1863 -1916), psikolog gjerman.

/Marrë nga Henri Bergson – William James: Durata reale e flusso di coscienza, Lettere e altri scritti (1902-1939); Raffaello Cortina, 2014

/Përkthimi Gazeta Express