Bachmann ishte e lidhur me ish anëtarin e Ushtrisë britanike, Jack Hameshin, një hebre vjenez, nga viti 1945 deri më1946.
LETRA E PARË
Kampi i lirimit i Villach
27 qershor 1946
E dashura ime Inge,
Pjesa e parë e udhëtimit tim nis në orën 9 sot dhe shkojmë direkt në Napoli.
Pas një kohe të gjatë më duhet të mësohem me jetën e ushtarit përsëri për disa ditë. Por s’do të shkojë shumë kohë dhe do ta heq uniformën prapë.
Një periudhë serioze dhe vendimtare e jetës sime po fillon për mua më duhet të them se ndarja prej teje, e dashur Inge, dhe të gjithë të tjerëve pas të cilëve jam dhënë, ma vështirëson këtë bukur fort.
Por, do ta mbledh veten, se vetëm tash më duhet të tregoj se sa jam i zoti të qëndroj në këmbët e mia në një botë që është pothuajse e huaj për mua, pa familje, pothuajse pa të njohur dhe pa miq.
Megjithatë, e dashur Inge, vetëm falë takimit me ty unë e kam parë se ia vlen të luftohet, edh enë kohëra kur është më e vështirë se kurrë. Shpresoj të të takoj prapë ndonjë ditë, se ditët që i kam kaluar me ty jo vetëm që kishin rëndësi të madhe, por për mua ishin një pikë kthese e jetës sime.
Të lutem ji mirë, Inge, dhe mendo për mua ndonjëherë.
S’do të të harroj ty as të dashurit e tu, natyrisht.
Urimet më të mira për prindërit e tu, Isolden, Elisabethen, Pikersët, Herr dhe Faru Hrussin.
Jäcki.
LETRA E DYTË
Napoli, 6 korrik 1946
E dashur Inge,
Ditët po kalojnë e unë jam ende në Napoli.
Po ta dija se ishte vetëm për pak javë dhe do të mund të kthehesha te ti, këto ditë këtu do të ishin më të durueshme.
Por vetëm çoje mendjen te të gjitha gjërat që janë vënë mes nesh! Jo vetëm distancën – shtete të ndryshme, ambient tjetër, gjuhë tjetër. Edhe sa kohë do të kalojë para se kem mundësi të kthehem?
Shpresoj, e dashur Inge, ta kuptosh se e vështirë ishte për mua të largohesha prej teje. Tekembramja ti ishe më e përmbajtur dhe më duket se ishe edhe më e fortë se unë. por nuk e di nëse të është dashur ndonjëherë në jetën tënde t’i thuash lamtumirë dikujt pas të cilit je e dhënë, i cili është për ty më i rëndësishëm se kushdo tjetër, pa e ditur kur ose ku do ta shohësh prapë.
Mua fatkeqësisht më është dashur ta bëj këtë disa herë.
Ditët në tren nga Villach deri në Napoli ishin më të dhimbshmet që i kam pasur ndonjëherë. Nuk kam folur me njeri të gjallë gjatë gjithë rrugëtimit, isha krejtësisht i zhytur në vete dhe m’u desh të mundohem skajshmërisht që t’i përmbaj lotët që po m’i mbushnin sytë. Nuk ishte punë të ngushëlloja veten, të përpiqesha të bëhesha i fortë!
Ditët që i kam kaluar me ty, e dashur, e dashur Inge, ishin ditë të tilla që rrallëherë i kam pasur në jetën time. Isha i lumtur thjesht të të shihja, të të flisja dhe të isha me ty, e dashur Inge, pastaj ndjeva se çfarë ti, shtëpia jote e shtrenjtë dhe kopshti yt i i këndshëm donin të thoshin për mua.
Njëmend me merr malli për Obervellachin dhe Hermagorin, se aty të kam lënë ty dhe Pirkersët, të cilët i dua njëmend, ku i kam lënë miqtë e tjerë që më janë shumë të shtrenjtë.
Tash jam shumë larg teje dhe nesër do të jem edhe më larg.
Nesër ose pasnesër do të hipim në anije, pastaj do të largohet prej atyre vendeve ku duket se s’do të ketë paqe kurrë. Këtu kam takuar shokë të tjerë ushtarë që do të bëjnë të njëjtin rrugëtim. Shumë prej tyre janë shumë më të bindur se unë, e shohin Palestinën si vendin e vetëm ku problemi, që ka pritur një mijë vjet për një zgjidhje, mund të zgjidhet.
Mbase kanë të drejtë. Deri më tani, nuk u jam bashkëngjitur në këto muhabete, se janë argumente që nxisin dhunë dhe hidhërim.
Ka kaluar kohë e gjatë, pothuajse katër vjet, që kur e kam parë Palestinën dhe e kam të vështirë të shpreh ndonjë mendim rreth saj. Kështu që rri i heshtur dhe vetëm dëgjoj vërshimin e fjalëve mbi mua.
Nder kombëtar, një shtet hebre. Palestina përgjigja e vetme, shpëtim për qindra mijëra refugjatë, zhvillim ekonomik dhe progres kulturor, misioni i popullit hebre, një shembull, etj. këto janë sloganet të gumëzhijnë përreth meje, por që zor se e çajnë vetëdijen time në gjendjen e tanishme. Për të mirë a për të keq unë jetoj në një botë tjetër dhe, po munda të them kështu, jam ngritur mbi gjithë këtë.
Të tjerët thonë se po ia mbath, po e shmang vendimin.
Por unë nuk mund të ndryshoj asgjë. Jetoj me ty dhe vetë me ty, kështu janë gjërat.
Shpresoj të më kuptosh, ti prore më ke kuptuar dhe kam qenë krenar të kem një mike të dashur dhe të ëmbël si ti.
E dashur Inge, edhe tash që jam larg teje, prapë jam me ty.
Se mund ta kesh ndier se çka je ti për mua, sa shumë të dua dhe sa shumë kam nevojë për ty. ti më ke ndihmuar dhe po vazhdon të më ndihmosh edhe sot, se ideja se do të të shoh prapë i bën këto çaste më të lehta për mua, kështu që ji mirë me shëndet dhe bëju shumë të fala prindërve, motrave dhe të gjithë të tjerëve që i kam dashur dhe më kanë dashur.
Urimet e mia më të mira,
Jäcki.
/Marrë nga Ingeborg Bachmann, ‘War diary: with letters from Jack Hamesh’, Seagull Books, 2011
/Përkthimi: Gazeta Express