Epistula e javës/ J. S. Mill për Gustave D’Eichthalin - Gazeta Express
string(49) "epistula-e-javes-j-s-mill-per-gustave-deichthalin"

Epistula e javës/ J. S. Mill për Gustave D’Eichthalin

Arte

Gazeta Express

13/09/2024 16:04

John Stuart Mill (20 maj 1806 – 7 maj 1873), filozof, ekonomist politik, politikan dhe shërbyes civil anglez. Njëri prej mendimtarëve më me ndikim në historinë e liberalizmit, ka kontribuar fuqishëm në teorinë shoqërore, teorinë politike dhe ekonominë politike.

Londër, 11 mars 1829

Lexo Edhe:

Miku1 im i dashur,

kam qenë aq shumë i zënë së fundmi sa nuk kam pasur kënaqësinë madje as të mendoj të të shkruaj dhe sikur vëllai2 yt të mos ma jepte mundësinë e tanishme, me shumë gjasë do ta kisha shtyrë këtë kënaqësi edhe për shumë kohë. Shpresoj se do t’i marrësh Deklaratat dhe Raportet e Këshillit të Universitetit të Londrës bashkë me këtë letër, të cilat mbikëqyrësi3 ka premtuar të m’i dërgojë mua tamam në kohë që unë pastaj të mund t’ia jap vëllait tënd para se të niset. Nëse ai e lë pas dore këtë, çka besoj se s’do ta bëjë, do ta gjej mundësinë e parë që të më jepet të t’i dergoj ty. Jam i lumtur të dëgjoj që ti je shumë i angazhuar duke shkruar në lidhje me Anglinë dhe nuk jam i befasuar të mësoj se je duke hasur në një mori vështirësish të papritura që të japësh një shpjegim për gjendjen e shoqërisë këtu4. Meqë s’është askush, madje as në Angli, i cili është në ndonjë mënyrë i kualifikuar të trajtojë një temë kaq të paanë me njëfarë kompetence, do të ishte shumë e gabuar të shkurajoheni duke e parë këtë si një punë të rëndë që ju s’e njihni – është e mjaftueshme nëse e njihni, për çka jam i bindur se e njihni, bukur mirë temën e Anglisë e cila është e njohur për pak veta, mbase për askënd nga bashkëvendasit e tu. Do të kishte me qenë një gjë e mirë për interesin e e librit tënd sikur të kishe qenë këtu në këtë moment: do të kishe parë, çka s’e kishe parë kur ishe këtu, një gjendje të një eksitimi të madh politik. Eksitimi nuk arrin klasat punëtore, por e përshkon mbarë pjesën tjetër të komunitetit deri në atë pikë sa, me aq sa jam informuar në mënyrë të besueshme, deri në njëfarë mase e ka ndërprerë shitblerjen, të paktën në një shkallë të gjerë, meqë askush nuk mund të mendojë për çkadoqoftë pos çështjeve katolike. Prej se debati në Dhomën e Vegjëlisë dhe shumica e 188-ve në favor të çështjes, askush nuk dyshon në suksesin e projektligjit5; është shumë e kënaqshme, dhe janë për t’u lavdëruar më së shumti ministrat tonë, që nuk kanë ndjekur masën me ndonjë klauzolë ose restriksion të diskutueshëm ose të papëlqyeshëm. Marifetet më të pandershme janë përdorur nga Duka i Cumberlandit6 dhe Lordi Eldon7 me qëllim që të kenë ndikim mbi kokën e mbretit; është një fakt mbi të cilin mund të mbështetesh, se Duka i Wellingtonit, Lordi Chancellor8 dhe z. Peel9 janë larguar nga Windsori të mërkurën e kaluar pa detyra, dorëheqja e tyre është pranuar dhe antikatolikët tashmë kishin filluar të merreshin vesh për një ministri kur mbreti u alarmua dhe dërgoi një korier të luste Dukën e Wellingtonit ta konsideronte veten ende në detyrë. Është e rëndësisë më të madhe që efekti i mundshën i mësaj mase të merret vesh në Francë. Efekti i saj në Irlandë do të jetë çikërrimë në krahasim me efektin e saj në Angli. Sjell një epokë qytetërimi. Është një prej ngjarjeve më të mëdha, që hasen periodikisht, përmes së cilës institucionet e vendit arrijnë një harmoni me pjesën më të mirë të mendjes së atij vendi – përmes së cilës ajo që më parë ekzistonte vetëm në mendjen e pjesës më inteligjente të vetëm të komunitetit, bëhet ligji i vendit dhe rrjedhimisht e ngre gjithë komunitetin në nivelin e vet. Përparimi më i madh në mendjen kombëtare, derisa kjo të adoptohet bga qeveria dhe të inkorporohet në institucionet e vendit, është përparimi i vetëm mendjeve drejtuese, atyre që tashmë ishin bukur të përparuara: nuk e çon përpara gjithë vendin, por zgjeron distancën mes posteve të përparuara dhe atyre të mbetura prapa. Sado shumë që jemi përmirësuar në 20 vjetët e fundit, është vetëm një pjesë e jona që është përmirësuar, ndërsa miliona njerëz ka mbetur në gjendjen e asaj injorance brutale dhe paragjykimeve të pashkulura në të cilit ishin para gjysëm shekulli. Por kjo masë do të çojë përpara një praparojën e qytetërimit: do t’u japë një drejtim të ri opinioneve të atyre që kurrë s’mendojnë për vetveten dhe të cilët në këtë hesap nuk mund të ndryshojnë kurrë veç nëse ua ndërroni mësuesit dhe drejtuesit. Klasat inteligjente udhëheqin qeverinë dhe qeveria udhëheq klasat e budallenjve. Përveç gjithë kësaj, alternimi i një ligji kaq të rëndësishëm dhe të vjetër, si ky që i përjashton katolikët nga privligjet politike, i ka shkundur mendjet e njerëzve që ishin çliruar nga paragjykimet e moçme dhe do t’i bëjë shumë më të hapur ndaj ideve të reja dhe risive racionale në të gjitha pjesët e tjera që instituconeve tona: ministria jonë, për më tepër, duke qenë aq e sharë dhe sulmuar nga Tory dhe pjesa më e lartë e kishës që kurrë më s’mund të veprojë në ujdi me ta, tash duhet ta orientojë veten tërësisht kah liberalët për mbështetje. Sa i përket partisë Tory, është shkatërruar; ka marrë fund me çka ka. Është mbëshetur e gjitha te kjo shtyllë dhe ka humbur. Ajo çka në vetvete nuk do t’i hiqej pushtetit të tyre, tash do t’i shkatërrojë ata plotësisht, ngase, duke qenë se e kanë rezervuar gjithë fuqinë e tyre për t’i bërë ballë kësaj çështjeje, ky është fundi i tyre i pashmangshëm. Dhjetë a dymbëdhjetë vjet më parë, Lordi Sidmouth10 iu tha të gjithë të njohurve të mi se qeveria e mbretit nuk ka fuqi të bëjë përkitazi me atë që e kundërshton kleri. Kjo ide tash po merr fund; kleri e ka kundërshtuar këtë me të gjitha forcat e vet dhe meqë kanë dështuar, ndikimi i kishës, të paktën ndikimi i saj moral, ka marrë fund. Kisha nuk ka pushtet mbi ndjenjat e njerëzve: i gjithë ndikimi i saj mbetet mbi opinionin e pushtetit të saj: tash u pa se ka pak pushtet; dhe efekti i këtij zbulimi do të jetë aq i madh sa kam filluar të mendoj se do të shoh rënien e kishës në kohën time. Nuk të thashë asgjë rreth ndonjë teme tjetër përveç kësaj çështjes së kishës, por është ku e ku ngjarja më e rëndësishme që po ndodh tash sa zor se do të mund të zgjidhja një temë tjetër të ngjashme që do të mund të ishte më me interes për ty. Sidoqoftë, tash është e sigurt se ministrat tonë janë të gatshëm të kujdesen për lirinë e tregut madje edhe më shumë se sa paraardhësit e tyre: shpresoj ta bësh edhe ti të njëjtën.

Besomë,

Yti përgjithmonë, j. S. Mill

Shënime:

Gustave D’Eichthal (1804-1886), bir i një familjeje bankare hebreje. Fillimisht u njoh me shkrimet e Henri Saint-Simonit përmes mësuesit të tij, Auguste Comte. U takua me Millin për herë të parë më 30 maj 1828, gjatë një vizite në Angli. 

Adolphe D’Eichthal, vëllai i vogël i Gustavit.

Leonard Honer (1785-1864) gjeologjist dhe edukator, ishte mbikëqyrës (Warden) i Universitetit të Londrës nga viti 1827-31.

Projekti i D’Eichthalit për librin mbi Anglinë nuk u realizua kurrë. Djali i tij kishte botuar më vonë vetëm disa shënime të ruajtura.

Kjo ishte një pjesë në leximin e parë të projektligjit të Emancipimit katolik në mëngjesin e hershëm të 6 majit. Kalimi final i projektligjit në Dhomën e Vegjëlisë u bë më 30 mars dhe në Dhomën e Lordëve më 10 prill. Miratimi mbretëror më 13 prill 1829.

Ernest Augustus, Dukë i Cumberlandit (1771-1851), djali i tretë i Xhorxhit III, për kohë të gjatë kishte kundërshtuar çdo zbutje të ligjeve penale katolike.

John Scott, fillimisht kont i Eldonit (1751-1838), jurist, ishte dy herë Lord Chancellor.

John Singleton Copley, baroni Lyndhurst (1772-1863), e kishte pasuar Eldonin si Lord Chancellor më 1827.

Sir Robert Peel (1788-1850) kundështues për kohë të gjatë i Emancipimit katolik, por i bindur se vendi ishte i vendosur ta kishte, në mars 1829, e paraqiti projketligjin për masat paraprake.

Henry Addington, së pari viskont Sidmouth (1757-1844), anëtar i Tory.

/Marrë nga Collected Works of John Stuart Mill, Volume XII, University of Toronto  Press, 1963

/Gazeta Express