string(59) "epistula-e-javes-iris-murdoch-per-frank-thompson-24-11-1942"

Arte

Gazeta Express

23/05/2025 15:43

Epistula e javës/ Iris Murdoch për Frank Thompson, 24.11.1942

Arte

Gazeta Express

23/05/2025 15:43

Dame Jean Iris Murdoch DBE (1919 – 1999), shkrimtare dhe filozofe angleze. E njohur për romanet mbi të keqen, marrëdhëniet seksuale, moralitetin dhe fuqinë e të pavetëdijshmes. Romani i saj i parë, ‘Under the Net’ (1954), është seleksionuar nga Modern Library në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze në shekullin XX. Romani i saj i dytë, ‘The Sea, The Sea’, ka fituar Booker Prize, më 1978.

Për Frank Thompson, i stacionuar në Irak

5 Seaforth Place

 Buckingham Gate

London SW1

24 nëntor [1942]

Frank, i dashuri im i pashoq, letra jote e datës 7 tetor sapo më erdhi – në të cilën ke folur për dështimin tënd linguistik me një shofer taksie ukrainas. Po, një gjuhë mahnitëse – jo, deri më tash, aq e vështirë sa e prisja – por kam guximin të them se më presin kurthe të frikshme dhe arrêts1 therëse. Po ashtu ende nuk mund të kuptoj çfarë poezie mund të ketë në një gjuhë të tillë. Mësuesi ynë ambicioz tashmë na ka dhënë ta mësojmë një poezi të shkurtër të Pushkinit (me titullni ‘Utro’) – por nuk mund të pretendoj se ndihem pa frymë në një majë në Darien2, si përfundim. Po ajo do të bëjë vaki, do të bëjë vaki.

Teksa po shkruaj këtë, bota është zgjuar me një hakmarrje dhe të gjitha llojet e inkurajimit dhe gjëra interesante janë duke ndodhur në Rusi dhe në Afrikën e veriut – ende mund të jetë kështu derisa ta marrësh letrën3. Ky kompleks i rrënjosur inferioriteti duhet të zhbëhet – na është bërë zakon i tepërt të mendojmë se populli i vetëm që mund të mposhtë gjermanët janë rusët – dhe ata s’mund ta bëjë këtë për një vit. Por tash, falë Zotit… Në njëfarë mënyre natyrisht duket e tmerrshme të gëzosh ndonjë gjë që duhet t’i shtohet një shume të tillë të ankthit njerëzor, kur e shqyrton në hollësi – posaçërisht kur ti vetë je rehat në shtëpinë tënde – o zot, o zot. S’më zë vendi vend fare herë pas here. Do të doja të dilja vullnetare për çkado që do të ishte e sigurt se do të më nxirrte jashtë. Fatkeqësisht, s’ka asnjë garanci kur u bashkohesh forcave të grave! – dhe sidoqoftë Thesari s’do të më linte kurrë të shkoja; se, e padobishme siç jam, po mbuloj një rol përnjëmend të nevojshëm si një grua e gjysmë kualifikuar. Nganjëherë mendoj se është punë dreqi të jesh grua. Një pjesë shumë e mirë e jetës sonë duhet të konsistojë në të pasurit e një pikëpamjeje. (Shpresoj ta ndjekësh këtë, kështu e kondensuar siç është).

Besoj se je bukur larg vijës së frontit si gjithmonë? Isha e habitur të vëreja se letra jote e fundit nuk përmbante referenca në tamariskë a përrenj që rrjedhin rrëmbyeshëm – sidoqoftë, ‘PAI Force4’ duket se tregon se ti ende je në shoqërinë e një flore të tillë kaq të lezetshme. Mbetsh sa më gjatë. Do të doja, sigurisht, të jesh hero – por dyshoj në do të mund ta pranoja këtë – dhe jam fare e sigurt se i ke të gjitha vetitë e një tipi të fortë, pa nevojën e një demonstrimi vulgar.

Në këtë moment kam shumë pak lajme për miqtë tonë. Si është puna me Leon, Halin dhe të tjerët që kam njohur përmes teje? Më mungoni të gjithë, ti e di – më mungon ajo shoqëri e ankthshme ku i besonim njërit-tjetrit, ishim të sjellshëm dhe të hareshëm. Më mungon vetja jote trupmadhe. Si të gjithë njerëzit e ndjeshëm, po kërkoj zëvendësues. Thesari jep një numër burrash dhe grash të këndshme që, përveç që janë shumë inteligjentë/e (dhe disa shumë të bukur/a) janë një shoqëri e mirë pas një gote birrë a uiski. Por u mungon njëfarë ndjenje e skuqjes – njëfarë mirësjelljeje njerëzore dhe ndjeshmërie. Nga ana tjetër,  rrethi im i njohjeve i Soho Bloomsbury dhe Chelsea po zgjerohet. Swiss në Old Compton Street, Wellington në Wardour Street dhe Lord Nelson në King’s Road janë klubet që i frekuentoj në kërkim të Qenieve Njerëzore të Fundit – njohjeve, përvojës dhe lirisë. Një shoqëri e çuditshme – e përbërë prej personash të pandalshëm gjysmakë ambiciozë që jetojnë në një mënyrë kaotike dhe kuturu, pa u kujdesur kurrë për pesë minutat e ardhshëm, të dehur çdo natë pa përjashtim prej orës gjashtë e tutje, të pashtëpi dhe jofamiljarë, duke jetuar në bare dhe duke u bashkuar në dyshemetë e apartamenteve të njerëzve të tjerë. Me gjasë poezia është gjëja e vetme që e marrin seriozisht – dhe emri i vetëm që e respektojnë të gjithë është ai i T.S. Eliot. Politikën s’e kuptojnë ose s’e çajnë kokën për të. Mendimet dhe poezia e tyre kanë të bëjnë me hollësitë e marrëdhënieve të tyre personale – me krijimin e të papritshmes në fjalë – ‘duke pastruar të tmerrshmen nga e vendet e papara mbrapa manteleve dhe pasqyrave5’.

Mbase është tradhti të shoqërohesh me këta njerëz derisa ushtritë tona po luftojnë në Afrikën e Veriut. Por s’kam ç’të bëj veçse t’i konsideroj këta të dëbuar të Horizontit si një shoqëri e mirë në njëfarë kuptimi – ata duken, në mënyrë të padefinueshme, të jenë qenie njerëzore më të mira se ata njerëzit e buzëqeshur të Thesarit që pinë, por jo aq shumë dhe të cilët kurrë, në asnjë mënyrë, s’e lëshojnë veten. Janë të çuditshëm dhe për të mos iu zënë besë, shumë prej tyre – por të aviten në një mënyre njerëzore, pa ato milje e milje të atmosferës mbrojtëse në mes. Kanë një lloj lirie, po ashtu, që e kam zili. Ma merr mendja se vjen nga një mungesë e plotë e çdo ndjenje të përgjegjësisë – (kështu që mbase zilia ime nuk është e sinqertë. Mundet se këtyre kohëve jam e verbër, por s’do t’i hedh të gjitha instrumentet nga bordi. Pse, s’e di. Një person me një ndjenjë morali, por pa aksiomë morali është një anije dëng me vela që e ka humbur timonin e saj. Pa pasur një timon tjetër, duhet të ngrejë velat, ma ha mendja).

Gjatë ndërkohëve të aventurave të mia në Soho, përkushtimeve të mia ndaj foljeve ruse dhe rregullave për përdorimin e gjinores, bëja edhe një mori gjërash të tjera. Deti i hapur ende kërkon shumë vëmendje ashtu siç pastrojmë dyshemetë apo si i nderim palltot me ngjyra të pastra mbi sipërfaqet e larmishme. Po shkruaj bukur shumë. Po lexoj shumë – po zdërhallem me Edmund Wilsonin6 – (i mirë në letërsi, sipërfaqësor në histori) dhe së fundmi kam rilexuar Seven Pillars of Wisdom7. Ndiej një lloj nderimi për këtë libër – për atë burrë – që është zor ta përshkruash. Të lësh një jetë të tillë të rrëmbyeshme veprimi dhe prapë të mos thjeshtëzosh gjithçka deri në pikën e jonjerëzores – të lësh kompleksitetet e ankthshme të situatave të ta prekin në zemër në vend se të të lidhin duart – kjo është madhështia e vërtetë njerëzore – është lloji i personit për të cilin do të lija gjithçka. Po ashtu kam lexuar shumë poezi – modernë të shumtë, Wilfred Owenin (poet i mrekullueshëm) – dhe Pindarin (i cili më bën të të kujtoj ty!).

Është mirë që po të shkruaj, vëllai im, dhe të përpiqen të shpalos për të mirën tënde fijet e jetës sime aspak të kënaqshme. Në një mënyrë të veçantë ndihem se s’duhet të të lë të biesh poshtë – megjithëse nuk e di si t’ia bëj. Nuk mendoj se besoj më në duart e pastra dhe zemrën e çiltër. Injoranca që e njoh unë – ‘innocence’, ma ha mendja se është veç fjalë. Ajo që njeriu duhet të ketë është thjesht një plan veprimi.

Çka atëherë çka atëherë çka atëherë.

Sonte jam në Detyrën e Parë Ndihmëse në Thesar – një oazë paqeje me një jetë goxha të harlisur. Duhet të shkoj të fle së shpejti. (Kemi një viktimë sonte. Hallakamë e madhe. Një burrë me një gisht të prerë. O Krisht). Mendoj për ty shpesh. Zoti të ruajt. Natën e mirë, Franku im i sjellshëm,

Të dua

Iris

Shënime:

1) Ndalesa.

2) Titulli i poezisë së Pushkinit, botuar më 1829, do të thotë “Mëngjes dimri”. Fraza “pa frymë në një majë në Darien”, u bën jehonë fjalëve “I heshtur, mbi një majë në Darien”, vargu i fundit i sonetit të Keatsit ‘On First Looking into Chapman’s Homer’.

3) Kah fundi i vitit 1942 rusët nisën të rikthenin qytete të ndryshme të marra nga gjermanët; më 19 nëntor Ushtria e Kuqe e veçoi dhe rrethoi Armatën e 6-të gjermane në Stalingrad. Më 8 nëntor një forcë anglo-amerikane, e udhëhequr nga Eisenhower, kishte pushtuar Afrikën veriore franceze. Një armëpushim ishte arritur për datën 11 nëntor dhe forcat anglo-amerikane kishin marrë kontrollin e Afrikën veriore franceze dhe Afrikës perëndimore.

4) Forcat e Persisë dhe Irakut; anëtarët e forcave nuk e kishin të lejuar të zbulonin se ku ndoheshin në letrat që dërgonin në shtëpi.

5) Nga ‘The Singers’ e Terence Tiller.

6) Horizon. Revistë e letërsisë dhe artit, e botuar në Londër mes viteve 1940 dhe 1949, nga Cyril Connolly.

7) Shkrimtar amerikan, botues dhe kritik letrar (1895-1972).

8) Nga T.E. Lawrence.

/Marrë nga ‘Remembering Iris Murdoch: Letters and Interviews’, Palgrave Macmillan, 2013

/Gazeta Express