Epistula e javës/ Hannah Arendt për Gershom Scholem - Gazeta Express
string(50) "epistula-e-javes-hannah-arendt-per-gershom-scholem"

Arte

Gazeta Express

11/07/2025 18:18

Epistula e javës/ Hannah Arendt për Gershom Scholem

Arte

Gazeta Express

11/07/2025 18:18

Gershom Scholem (1897 – 1982), filozof dhe historian gjerman. Ai çmohet si njëri prej themeluesve të studimeve moderne akademike të Kabalës.  

317 West 95th Street, New York

17 tetor 1941

I dashur Scholem, Miriam Lichtheim ma ka dhënë adresën tënde dhe m’i ka transmetuar përshëndetjet e tua. Edhe pse shpresoj se do të kisha arritur të të shkruaja edhe pa të, prapë më duhet të pranoj se ajo më ka dhënë një shtytje të lehtë.

Wiesengrund më ka thënë se ta ka dërguar një raport të detajuar rreth vdekjes së Benjaminit1. Këtu në New York unë kam dëgjuar ca detaje jo të parëndësishme për herë të parë. Mund të jetë se unë nuk jam aq e kualifikuar të jap një raport rreth vdekjes së tij, ngase e kam konsideruar një mundësi të tillë aq të pamundshme sa me javë të tëra pas vdekjes së tij e mohoja gjithë këtë gjë si të ishte një thashetheme emigrantësh. Gjithë kjo pavarësisht faktit se posaçërisht viteve të fundit ne ishim miq shumë të afërt dhe takoheshim rregullisht.

Kur shpërtheu lufta ne ishim të gjithë bashkë për një pushim veror në një fshat të vogël francez afër Parisit. Benji ishte në formë të shkëlqyer. E kishte përfunduar një pjesë të punës së tij mbi Baudelairen dhe ishte përgatitur, në mënyrë të justifikueshme, mendoj, të bënte ca gjëra të jashtëzakonshme2. Shpërthimi i luftës e tmerroi menjëherë përtej çdo mase. Duke iu frikësuar bombardimeve nga ajri, në ditën e parë të mobilizimit të përgjithshëm, ai u largua nga Parisi për në Meaux. Meaux ishte qendër e njohur për mobilizim, me një aeroport ushtarak dhe stacion treni shumë të rëndësishëm, që e bën atë qendër për tërë shpërndarjen e forcave. Natyrisht, rezultati qe se që nga fillimi alarmet e bombardimeve nga ajri vinin njëri pas tjetrit; bukur i shastisur, Benjamini menjëherë u kthye në Paris. U kthye me kohë që ta gjente veten të arrestuar. Në kampin e përkohshëm në Colombes, ku im shoq3 foli me të gjer e gjatë, ai ishte tejet i dëshpëruar dhe për arsye të qëndrueshme, natyrisht. Menjëherë ai ra në një lloj asketizmi. E la duhanin, hoqi dorë nga çokollatat, refuzonte të lahej e rruhej dhe pak a shumë refuzoi të bënte qoftë edhe një lëvizje të vetme. Pas arritjes në kampin final nuk ndihej edhe aq keq. Kishte një tog djemsh të rinjë rreth vetes; ata e donin goxha shumë dhe ishin të prirë të mësonin prej tij dhe përpinin çdo fjalë që thoshte4. Pas kthimit në mes ose në fund të nëntorit, ishte pak a shumë i lumtur që kishte pasur atë përvojë. Paniku i tij fillestar ishte larguar për fare. Në muajt në vijim shkroi një tezë historiko-filozofike, një kopje të së cilës, kam marr vesh, ta ka dërguar ty po ashtu5. Siç e ke parë, ai ishte në gjurmë të në numri gjërash, megjithëse në të njëjtën kohë ishte i frikësuar në mënyrë të pamohueshme për shkak të mendimit të atyre të Institutit6. Ti me siguri e di se para luftës kishte marrë fjalë nga instituti se paga e tij nuk ishte më e sigurt dhe se duhej të shikonte diku tjetër7. Kjo i shkaktoi një ankth të madh, sado që nuk ishte edhe aq i bindur për seriozitetin e sugjerimit të Institutit. Çka nuk i përmirësonte gjërat dhe për më tepër e bëri gjendjen edhe më të padurueshme. Shpërthimi i luftës e shtoi atë ankth. Sidoqoftë, nuk ishte aq rehat me të gjitha reagimet ndaj teorive të tij më të vona, krejtësisht jo-ortodokse. Në janar njëri prej miqve të tij të rinj nga kampi, që doli të kishte qenë student i burrit tim, vrau veten, kryesisht për arsye private8. Kjo vetëvrasje e vuri në merak Benjaminin deri në një masë të konsiderueshme; dhe në të gjitha muhabetet rreth kësaj gjëje, me gjithë yryshin e pasionuar, ai u vë në anën e atyre që mbronin vendimin e të riut. Në pranverën e vitit 1940, me zemër të thyer, të gjithë ne udhëtuam për te Konsullata amerikane. Megjithëse dëgjuam të njëjtën gjë, se do të na duhej të prisnim mes dy e dhjetë vjetëve para se kuota jonë e numrave të dalë, tre nga morëm mësime anglishteje9. Askush nga ne s’e mori këtë aq serozisht. Benjamini kishte veç një dëshirëË të mësonte mjaftueshëm anglisht që të thoshte se absolutisht s’i pëlqente gjuha. Dhe ia doli mbanë. Tmerri i tij nga Amerika ishte i papërshkrueshëm dhe njëmend pothuaj në atë kohë ai iu tha miqve të tij se parapëlqente një jetë më të shkurtër në Francë më shumë se sa një sosh të gjatë në Amerikë.

E gjithë kjo mori fund shpejt. Nga mesi i prillit, ata në mesin tonë që ishin nën 48 vjeç që ishin liruar nga internimi u ekyaminuam a ishim të përshtatshëm për detyrat e lodhshme të ushtrisë. Detyrë e lodhshme ishte në të vërtetë thjesht një fjalë tjetër për internimin me punë të detyruar; dhe krahasuar me raundin e parë të internimit, në më të shumtën e rasteve ishte më e keq. Çdonjëri – kështu pra, çdonjëri përpos Benjit – ishte i bindur se do të shpallej i paaftë për shërbim. Gjatë këtyre ditëve ai ishte tmerrësisht i trazuar dhe në një mori rastesh më tha se s’ishte më i yoti të vazhdonte kështu. Natyrisht, ai u shpall i paaftë. Pavarësisht gjithë kësaj, nga mesi i majit zuri vend një internim i dytë dhe më sistematik. Do të jesh në dijeni tashmë. Si nga ndonjë mrekulli, nga ne të tre, Benji qe ai që u kursye nga internimi. Për shkak të kaosit administrativ, sidoqoftë ai s’do të mund ta dinte kurrë nëse, a për sa kohë, policia do të merrte ndonjë urdhër nga Ministria e Brendshme. A mos thjesht policia do ta arrestonte? Personalisht, nuk në atë kohë nuk kisha kontakte me të, ngase isha e internuar10. Miqtë më kanë thënë, sidoqoftë, se nuk rreyikonte të dilte në rrugë më dhe po jetonte në panik të përhershëm. Por në fund ia doli të merrte trenin e fundit nga Parisi. Mori vetëm një valixhe të vogël me dy këmisha dhe brushën e dhëmbëve. Siç e di edhe ti, udhëtoi deri në Lourdes. Posa unë dola nga Gursi në mesin e qershorit, rastësisht, po ashtu, u nisa për në Lourdes, ku qëndrova ca javë me cytjen e tij. Kjo ishte koha e disfatës dhe pas pak ditësh trenat u ndaluan të udhëtonin. Askush s’e dinte çka kishte ndodhur me familjet, bashkëshortët, fëmijët dhe miqtë. Benji dhe unë luanim shah nga mëngjesi në mbrëmje dhe mes lojëve lexonim gazetat, kur na dilte kohë të zgjasnim duart drejt tyre. Gjithçka ishte mirë për aq sa mund të ishte – derisa u bënë publike kushtet e armëpushimit, së toku me klauzolën namkeqe të ekstradimit11. Por edhe pas kësaj s’mund të them se Benji përfundoi në një panik shkatërrimtar, edhe pse që të dy ishim në ankth. Merre me mend, kur morëm lajmin e parë për vetëvrasjen në mesin e atyre në internim në ikje nga gjermanët, Benjamini nisi për herë të parë të më fliste në mënzrë të vazhdueshme për vetëvrasjen: ekzistonte gjithmonë “ajo” mundësi. Në përgjigje të vërejtjeve të mia energjike dhe empatike se kishte ende sa të duash kohë para se gjendja të bëhej aq e dëshpëruar, ai në mënzrë të parashikueshme ma përsëriti se kurrë s’mund ta dish dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të presësh tepër gjatë. Në të njëjtën kohë, folëm për Amerikën, një perspektivë ndaj së cilës dukej tash më i dhënë se sa më herët. Mori seriozisht një letër nga Instituti ku e informonin se po bënin çdo përpjekje të mundshme ta nxirrnim prej këtu ku ishte; më pak bindëse për të ishte deklarata e tyre se ai do të bënte pjesë në grupin e redaktorëve të gazetës dhe se do të merrte pagë të rregullt12. Këtë ai e konsideronte një kontratë të rreme me qëllim që të siguronte një vizë. Ajo që e kishte frikë më së shumti, gabimisht, sa duket, ishte se posa të shkonte atje, menjëherë do t’ia kthenin shpinën.

Në fillim të korrikut unë u largova nga Lourdes á la recherche de mon mari perdu. Benji ishte i tronditur keq dhe unë isha në mëdyshje në duhej ta merrja me vete. Por kjo thjesht do të kishte qenë e pamundshme. Sipas zyrtarëve (falë një letre rekomandimi nga Ministria e Jashtme) ai ishte më i sigurt nëse nuk do të luante vendit se sa që do të ishte diku tjetër. Deri në shtator, kontakti im i vetëm me të ishte përmes letrave. Ndërkohë, Gestapoja kishte qenë në apartamentin e tij dhe kishte konfiskuar gjithçka. Gjykuar nga letrat e tij, ishte shumë i dëshpëruar. Dorëshkrimet e tij ishin shpëtuar, por pastaj ai kishte plotësisht arsye të ndihej se kishte humbur gjithçka13. Në shtator udhëtuam për në Marsejë ngase vizat tona kishin ardhur. Benji tashmë kishte qenë aty që nga gushti, meqë viza e tij veç kishte mbërritur kah mesi i muajit14. AI e kishte lejekalimin e famshëm tranzitor nga Spanja dhe, natyrisht, Portugalia. Kur e pashë, viza spanjolle ishte e vlefshme edhe për nja tetë a dhjetë ditë. Të merrja atë lloj vize atyre ditëve ishte krejtësisht e pamundshme. Ai më pyeti, në një moment dëshpërimi, çka duhej të bënte dhe nëse ne, po ashtu, do të mund të merrnim vizat spanjolle, sa më shpejt që të ishte e mundshme, ashtu që të mund të kalonim kufirin bashkë. I tregova sa e pashpresë ishte kjo gjë dhe se për këtë arsye ai duhej të largohej shumë shpejt, ngase vizat spanjolle s’do të vazhdoheshin. Për më tepër, i thashë se s’duhej të ndërmerrte rrezikun të lejonte vizën e tij të skadonte, nagse ishte tejet e pasigurt sa kohë mund të ishin të pranueshme këto viza. Natyrisht, do të preferonim të shkonim bashkë, që të tre, i thashë. Por askush nuk mund të merrte përgjegjësinë për këtë. Më tepër nga një shtytje e çastit, ai vendosi të largohej. Domenikanët i kishin dhënë një letër prezantimi pranë njëfarë abati spanjoll. Ato momente Banjamini na bëri një përshtypje të fuqishme të gjithë neve, por në të njëjtën kohë situata ishte krejtësisht absurde.

Gjatë atyre ditëve në Marsejë ai foli prapë për qëllimet e tij vetvrasëse. Ti e di kusurin e ngjarjes: se ishte larguar në shoqërinë e disa personave plotësisht të panjohur; se ata kishin zgjedhur të merrnin një rrugë të gjatë që kërkonte gjashtë orë udhëtim këmbë përmes bjeshkëve; se ata për arsye krejtësisht misterioze kishin shkatërruar dokumentet e tij franceze të banimit dhe kjo kishte bërë të pamundshëm çfarëdo kthimi në Francë; se ata kishin mbërritur te kufiri saktësisht njëzet e katër orë pas mbylljes së kufirit spanjoll për personat pa pasaportë nacionale – dokumentet e vetme që kishim ishin ato nga konsullata amerikane; se Benji tashmë ishte thyer plotësisht disa herë rrugës për te kufiri; se grupi supozohej të raportonte te kufiri spanjoll mëngjesin tjetër; dhe se atë natë ua kishin lejuar të qëndronin aty dhe ai ia mori vetes jetën.

Muaj më vonë, kur ne mbërritëm në Portbou, e kërkuam më kot varrin e tij. S’ishte punë të gjendej. Emri i tij s’ishte askund. Varreza shihte kah një liman i vogël, drejt në Mesdhe. Përbëhet nga tarraca guri. Kofinët vihen mbi ato mure gurësh. Është ku e ku vendi më i bukur fantastik që kam parë ndonjëherë.

Instituti e ka trashëgiminë e tij latrare, megjithëse në kohën në vijim ata kanë hezituar të botojnë ndonjë gjë në gjuhën gjermane15.

Vras mendjen a do të mund ndokush të nxjerrë tezën historiko-filozofike, në mënyrë të pavarur me Schockenin16. Benjamini ma kishte dhënë dorëshkrimin dhe Instituti e mori së pari përmes meje.

Dear Scholem, kjo është e gjitha që mund të të them dhe ta tregova ngjarjen sa më sakësisht dhe pa komente që ishte e mundur. Të fala ty dhe gruas tënde nga monsieur dhe unë,

Jotja, Hannah Arendt

P.S.

Për shkak se të gjitha kopjet e Rahelit tim të pafat kanë humbur, i kam lutur të afërmit e mi të marrin kopjen nga ti dhe të ma dërgojnë. Kurt Blumenfeld do të t’i transferojë të gjitha paratë e nevojshme për këtë përmes gruas së tij17.

Merci d’avance!

Shënime:

1. Theodore Weisengrud Adorno (1903-1969) ishte filozof hebreo-gjerman. Më 8 tetor 1940 Adorno i kishte shkruar Scholemit dhe e kishe nisur letrën me rreshtin, “Walter Benjamini ia ka marrë vetes jetën”. Në një letër më të vonë, të datës 19 nëntor, Adorno i kishte shkruar Scholemit rreth asaj që dinte rreth detajeve të vdekjes së Benjaminit.

2. Në korrik të vitit 1939, Benjamini kishte përfundua resenë e tij “Mbi dis motive te Baudelaire”. Eseja ishte botuar në numrin e janarit të vitit 1940 të Zeitschrift für Sozial Forschung. Eseja ishte pjesë e librit të paërfunduar mbi Baudelairen.

3. Heinrich Blücher.

4. Benjamini ishte internuar në një kamp mbajtjeje në Nevers.

5. Kopja e dorëshkrimi e “Tezë mbi filozofinë e historisë” që Benjamini ia kishte dërguar Scholemit, me gjasë kishte humbur në postë. Arendt e kishte një kopje tjetër, që ia kishte dhënë pastaj Adornos, përfaqësuesit letrar të Benjaminit, pas mbërritjes së saj në New York.

 6. Instituti i Kërkimeve Sociale, si Instituti für Sozialforschung, ishte themeluar më 1923 në Frankfurt. Pas vitit 1933, Max Horkheimer dhe Theodor Adorno e rindërtuan atë në New York.

 7. Shiko shënimin 8.

 8. Me gjasë fjala është për skicografin dhe karikaturistin Augustus Ham

burger.

 9. Në vitet 1920 Shtetet e Bashkuara futën në fuqi një sistem të kuotës së preardhjes kombëtare, që përcaktonte numrin e emigrantëve që lejoheshin në Shtetet e Bashkuara të grupeve etnike të popullsisë amerikane. Më 1939, kuota e emigracionit për Shtetet e Bashkura për gjermanët dhe austriakët ishte 27,350.

 10. Në maj-qershor 1940, Arendt i kaloi pesë javë në kampin e internimit të grave në Gurs. Doli prej aty pas kaosit të shkaktuar nga fitorja gjermane ndaj francezëve.

11. Ujdia e armëpushimit, e nënshkruar në qershor të vitit 1940, i kërkonte qeverisë franceze të shfuqizonte ligjin e saj që garantonte të drejtën e azilit dhe të lironte nga burgjet të gjithë të burgosurit gjermanë – ushtarë e civilë. Për më tepër, i kërkohej qeverisë gjermane, “pa vonesë”, të kthente në Gjermani të gjithë qytetarët gjermanë.

12.Mç 15 korrik 1940, Adorno i kishte dërguar Benjaminit një letër mbështetjeje, pastaj më 17 korrik një deklaratë formale që dëshmonte se Instituti ishte i gatshëm ta punësonte si redaktor të revistës së Institutit.

 13. Në letrën e fundit të Benjaminit dërguar Arendtit, nga 17 korriku 1940, ai i shkruan asaj rreth frikës për fatin e dorëshkrimit të tij. Ndërkohë, Gestapoja, e armatosur me adresat e hebrenjve dhe socialistëve, kishte konfiskuar tërë materialin që Benjamini e kishte lënë në apartamentin e tij në rue Dombasle. Arendt kishte marrë vesh në fund të vitit 1941 se dy valixhe të mbushura me shkrime të Benjaminit kishin mbërritur në New York, tek Adorno. Motra e Benjaminit, Dora, i kishte kërkuar një t afërmi tëia jepjte ato materiale Adornos. Shkrime të tjera, kryesisht nga ato qç i kishte shkruar në Paris në vitet 1930 dhe që do të botoheshin më vonë si Arcades Project, ishin fshehur në Bibliothèque Nationale, gjë që Arendt nuk e dinte në kohën kur po shkruante këtë letër.

14. në gusht 1940 Benjamini kishte udhëtuar për në Marsejë ku po e priste një vizë në konsullatën amerikane.

15. Pas vitit 1940, revista e Institutit u botua në anglisht, si Studies in Philosophy and Social Science.

 16. Në vitet 1930 Salman Schocken, sipërmarrës dhe botues, hapi një degë të shtëpisçë së tij botuese gjermane në tel Aviv, e më pas në New York.

17. Gruaja e Kurt Blumenfeldit, Jenny (1889–1962), qëndroi në Palestinë gjatë udhëtimit të të shoqit në ShBA.

/Marrë nga ‘The Correspondence of Hannah Arendt and Gershom Scholem’, The University of Chigao Press, 2017