Epistula e javës/ George Orwell për Victor Gollancz: Mars 1947 - Gazeta Express
string(60) "epistula-e-javes-george-orwell-per-victor-gollancz-mars-1947"

Arte

Gazeta Express

23/01/2026 16:46

Epistula e javës/ George Orwell për Victor Gollancz: Mars 1947

Arte

Gazeta Express

23/01/2026 16:46

George Orwell, pseudonim i Eric Arthur Blair (25 qershor 1903 –21 janar 1950), shkrimtar, gazetar, eseist, kritik letrar dhe aktivist anglez. Konsiderohet njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj anglez të shekullit XX, sidomos për dy romanet e njohura, alegorisë politike Ferma e kafshëve dhe distopisë 1984.

Victor Gollancz (1893-1967), botues. Që nga viti1933 deri më 1940 ai kishte botuar shtatë libra të Orwellit, por kishte refuzuar të botonte ‘Homage to Catalonia’ dhe ‘Animal Farm’ për arsye politike

Letra e parë 

Për Victor Gollancz

I dashur Gollancz,

Besoj se Leonard Moore tashmë ju ka folur rreth kontratës që ende e kam me ju dhe rreth dëshirës sime që të lirohem prej saj. Besoj se kontrata që ende është në fuqi mes nesh është ajo e bërë për Keep the Aspidistra Flying, në vitin 1937, e cila parashikonte të drejtën e refuzimit për tri romanet e mia të ardhshme. Coming Up for Air ishte njëri prej tyre, por ju nuk e pranuat të botonit Animal Farm, të cilin e lexuat dhe refuzuat më 1944, në pritje të një tjetri. Kështu që sipas kushteve të kontratës ende ju detyrohem refuzimin e dy romaneve të tjera.

E di se po ju kërkoj një favor shumë të madh duke ju kërkuar që të anuloni kontratën, por rrethana të shumta kanë ndryshuar në këto dhjetë vjet prej se e kemi nënshkruar dhe mendoj se mund të jetë në dobinë tuaj, ashtu siç sigurisht do të jetë në dobinë time, që të merremi vesh ta përfundojmë. Çështja është se prej atëherë keni botuar tri libra të mitë, por po ashtu keni refuzuar dy të tjerë për arsye politike dhe ishte edhe një libër tjetër që ju nuk e refuzuat, por që e pamë të udhës të gjeja një botues tjetër. Çështja kruciale ishte Animal Farm. Në atë kohë kur libri ishte i përfunduar, ishte vërtet shumë e vështirë ta botoja dhe vendosa se po të ishte e mundshme do t’ia jepja gjithë atë që do të shkruaja botuesit që do ta botonte atë, ngase e dija se kushdo që do të rrezikonte me këtë libër do të rrezikonte gjithçka. Seeker & Warburg jo vetëm që ishin të gatshëm ta botonin Animal Farm, por po ashtu kanë dëshirë, kur ta kenë letrën në dispozicion, që të bëjnë një botim uniform të disa prej librave të mi që unë mendoj se ia vlen të ribotohen, përfshirë disa sosh që tash për tash nuk gjenden në treg. Ata po ashtu po presin në ankth të ribotojnë romanin tim Coming Up for Air në një botim të zakonshëm këtë vit, por, vetëkuptohet, ata duan të bëjnë këtë vetëm nëse mund të kenë një kontratë mirëkuptimi që iu jep kontroll mbi gjithë atë që shkruaj unë. 

Nga pikëpamja ime është, pa fijen e dyshimit, tejet e pakëndshme t’ia jap romanet e mia një botuesi dhe në të njëjtën kohë të jem i obliguar, në raste të caktuara, t’ia jap librat non-fiction një botuesi tjetër. E pranoj, natyrisht, se pozicioni juaj politik nuk është tash saktësisht ai që ishte kur refuzuat Animal Farm dhe për çdo rast e respektoj mosdëshirën tuaj që të botoni libra që shkojnë drejtpërdrejt kundër parimeve tuaja politike. Por mua më duket se kjo vështirësi ka gjasa të paraqitet prapë në një mënyrë a tjetër dhe do të ishte më mirë nëse ju keni dëshirë t’i japim fund kësaj gjëje. 

Nëse doni të më takoni personalisht rreth kësaj gjëje, unë jam në dispozicionin tuaj. 

Do të jem në këtë adresë deri më datën 10 prill. 

Juaji sinqerisht, 

Geo. Orwell

Letra e dytë 

Për Victor Gollancz

I dashur Gollancz,

Më duhet t’ju falënderoj për letrën tuaj të këndshme dhe të kujdesshme dhe edhe unë e kam vrarë mendjen rreth saj me kujdes. Pavarësisht kësaj unë ende mendoj, po patët qejf edhe ju të jeni të një mendjeje, se do të ishte më mirë t’i japim fund kontratës sonë. 

Nuk është se çdo gjë në librin që jam duke shkruar tash ka gjasë të shkaktojë telashe, por më duhet të mendoj për gjendjen e përgjithshme. As Warburgu as askush tjetër nuk mund të më vlerësojnë si një propozim të mirë përderisa të mos kenë një opsion rreth mbarë krijimtarisë sime, e cila gjithsesi nuk është aq e bollshme. Pa dyshim është më mirë nëse mund të jem vetëm me një botues tjetër dhe, meqë nuk po supozoj se do të resht së shkruari për politikën herë pas here, kam frikë se dallime të tjera do të lindin ndërkohë, si në të kaluarën. Ju e dini sa problematike, pra, Rusia. Për rreth 15 vjet e kam shikuar atë regjim me tmerr të plotë dhe sado që, natyrisht, do të ndryshoja mendimin tim po pashë ndonjë arsye ta bëj këtë, nuk mendoj se ka ndonjë gjasë që ndjenjat e mia të ndryshojnë për aq sa Partia Komuniste është në pushtet. E di se pozicioni juaj viteve të fundit nuk ka qenë aq larg timit, por nuk e di cili do të ishte nëse, për shembull, do të ketë edhe një përafrim të dukshëm mes Rusisë dhe Perëndimit, çka është një zhvillim i mundshëm pas pak vitesh. Ose në një gjendje lufte të vërtetë. Nuk dua, për atë Zot, të shpërthejë një luftë tjetër, por nëse jam i detyruar të zgjedh mes Rusisë dhe Amerikës – dhe ma ha mendja se është zgjedhja që mund jesh i detyruar të bësh – gjithmonë do të zgjidhja Amerikën. E njoh Warburgun dhe mendimet aq mjaftueshëm sa të di se ka fare pak gjasa që ai të refuzojë ndonjë gjë timen për arsye politike. Siç po thoni edhe ju, asnjë botues nuk mund të nënshkruajë verbërisht një zotim që të shtypë gjithçka që prodhon një autor, por unë mendoj se Warburgu ka më pak gjasa të ngurrojë se sa shumëkush tjetër. 

E di se po kërkoj shumë prej jush, duke qenë se pas së gjithash ne kemi një kontratë që e kam nënshkruar me vullnetin tim të lirë dhe pas së cilës jam ende i lidhur. Nëse ju vendosni se kontrata duhet të qëndroj, natyrisht unë nuk do ta shkel atë. Por sa u përket ndjenjave të mia, do të doja ta përfundonim. Ju lutem më falni për atë që mund të duket si mosmirënjohje dhe që jua kam shkaktuar gjithë këto telashe. 

Juaji sinqerisht,

Geo. Orwell

/Marrë nga “The Collected Essays, Journalism, and Letters of George Orwell – In front of your nose, 1945-1950”, Harcourt, Brace&World, 1968

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement