Francis Scott Key Fitzgerald (1896 – 1940), romancier, eseist, tregimtar dhe skenarist amerikan. I njohur sidomos për romanet e tij (si për shembull Getsbi i madh, E magjishme është nata, etj), që përshkruajnë pompozitetin dhe teprinë e Periudhës së Xhazit, term i popullarizuar nga ai vetë në përmbledhjen me tregime Tales of the Jazz Age.
LETRA E PARË
Për Harold Ober
I dashur Mr. Ober:
Gjendja është si në vijim. E kam mbaruar romanin tim dhe do të ta dërgoj brenda dhjetë ditësh, ose dy javësh. Mund ose jo të botohet me pjesë – sigurisht kurrë s’do ta pranojnë te gazeta Post. Artistikisht është ku e ku më e mirë se gjithçka që kam bërë deri më tash.
Kur do të ta dërgoj, do të ta dërgoj edhe një letër rreth kontratës, etj.
Jam pothuajse pas asnjë kacidhe dhe posa që të botohet romani do të shkruaj menjëherë një tregim, qoftë edhe për Postin ose për Wheeler1, e cila më ka kërkuar me ngulm një sish. Ai tregim do të pasohet nga dy të tjerë në dy muaj. I pari do të të mbërrijë më 20 tetor, ose një çikë më vonë dy javë pasi që ta marrësh këtë letër – dhe siç pa dyshim do ta kesh marrë me mend tashmë, do të të kërkoj një avanc për këtë.
Tash, me aq sa e di, jam rreth 90 $ borxh – 180 $ avanc për artiukullin e Screenlandit që e kam marr me vonesë, në krahasim me $90 a më shumë që më përkasin nga të drejtat në anglisht të “3d casket.” Kjo është ajo që unë shpresoj thellësisht të mund të bësh:
Të depozitosh 600 $ në tetor;
800 për mua me ta pranuar tregimin, që do të jetë diku rreth datës 20 të muajit. Sidoqoftë, do të të shkruaj prapë rreth depozitës së dytë pasi të ta dërgoj tregimin. Nëse kjo nuk të konvenon, të lutem ma dërgo një telegram.
Duke pasur parasysh faktin se nga njëmbëdhjetë tregimet që i kam shkruar këtë vit, katër nga shtatë sosh të botuara janë botuar për herë të parë dhe them se kam pasur fat të keq me filmat. Më duhet të provoj me disa tregime që kanë më shumë aksion këtë herë.
Do të mundohem t’i shkruaj tre sosh të përshtatshme për Famous-Players po ashtu si edhe për Postin. Po nisemi për në Romë rreth datës 1 nëntor që ta kalojmë dimrin atje.
Sinqerisht,
F Scott Fitzgerald
LETRA E DYTË
Për Harold Ober
I dashur, Mr. Ober:
Po ta nis sot me një zarf të veçantë dorëshkrimin e romanit tim të ri ‘The Great Gatsby’ për ta ndarë në pjesë. Pasi të ndahet në pjesë atëherë do të jesh gjykatës më i mirë i tij se sa unë. Ka bukur ca gjëra të mira aty dhe s’do të doja të gjymtohet siç Hovey e kishte gjymtuar Beautiful + Damned. Ja idetë e mia:
(1.) Mendoj se basti më i mirë nga çdo pikëvështrim është Liberty. Është një tregim dashurie dhe është sensacional. Po ashtu është vetëm 50.000 fjalë i gjatë çka mund t’ua mundësojë ta botojnë në dhjetë vazhdime me nga 5.000 fjalë për secilin, pikërisht ashtu siç janë duke e kërkuar. Për më tepër, nëse fillojnë më 1 shkurt mund të përfundojë tamam me kohë për botimin e pranverës. S’kam botuar libër që tre vjet tashmë dhe do të doja ta botonte Scribners në prill. Do të doja t’ia specifikosh John Wheelerit se mund të fillohet prej atëherë.
(2.) Natyrisht Ray Long2 duhet t’ia hedh shikimin i pari, sipas marrëveshjes sonë të vitit 1923. Por nuk dua ta marrë ai (gjasa të vogla që edhe ai vetë ta dojë), ngase në revistën e tij do ta zvarrisë përgjithonë + botimi i librit mund të shtyhet. Kështu që do t’ia kërkoja 25.000 dollarë për të – një çmim pengues. Po nuk do t’ia vlente për mua t’ia jap për më pak. Nga Liberty do të kërkoja 15.000 dollarë + jam kundër që të kërkoj më shumë për shkak të gjendjes së çuditshme mes Johnit dhe mua. Ai më tha se s’do të bëjë më kurrë pazar me mua – e ka sjellë punën te ofroje çmimin ose lëre fare. Ring Lardner i ka thënë se unë jam mërzitur nga sjellja e tij – disi është njëfarë çështjeje personale, siç po e sheh. Pra nuk mendoj se nuk do t’i kërkoj më shumë se 15.000 dollarë. Kur po paguhesha 900 dollarë për një tregim, fitoja 7.000 dollarë për një pjesë të botuar, tash që i marr 1750, 1500 për një pjesë të botuar më duket çmim korrekt. Posaçërisht nëse është e shkurtër.
(3.) Nuk dua t’ia ofroj The Postit. Nuk është diçka për ta dhe s’dua ta marrin ata se disi do ta vriste shitjen e librit menjëherë. Kaq sa për këtë.
(4.) Në të vërtetë Liberty është ku e ku zari më i mirë – s’ma ha mendja se dikush tjetër do të merrej me të para prillit. Kapitulli i tretë s’i lë derë hapur te revistat për gra dhe kësisoj s’mbetet veçse Red Book që do ta zvarriste deri në vjeshtë.
(5.) E ka dërguar te Scribners kopjen e tyre. Kur ta marrësh vendimin përfundimtar nga Hearts dhe Wheeler, a mund ta telefonosh Max Perkinsin t’i tregpsh, meqë është në ankth ta marrë vesh dhe t’i dërgoj ndonjë letër merr kohë të gjatë. Po ashtu a mund të më dërgosh edhe mua një telegram.
(6.) E tepërt të them se u serializua ose unë do të t’i përcjell të gjitha propozimet e realizimit të librit në film dhe do t’i kërkoj Scribnersit të të informojë për çfarëdo propozimi të tillë që do t’iu bëhet atyre. Natyrisht, është ende herët për këtë.
(7.) Për çdo rast, do të doja të kem mendimin tënd të hapur rreth romanit.
(8.) Tregimi im tash është te daktilografisti. Do ta marrësh brenda një jave.
Si gjithmonë
F Scott Fitzgerald
Shënime:
John N. Wheeler, botues i revistës Liberty.
Ray Long – botues i Heart’s International; The Great Gatsby nuk ishte ndarë në pjesë para se të botohej romani.
/Marrë nga F. Scott Fitzgerald, “A Life in Letters”, macmillan publishing company, 1994
/Përkthimi: Gazeta Express