Epistula e javës/ F. Dostojevski për M. Dostojevskin – 31 tetor 1838 - Gazeta Express
string(63) "epistula-e-javes-f-dostojevski-per-m-dostojevskin-31-tetor-1838"

Arte

Gazeta Express

17/03/2023 17:07

Epistula e javës/ F. Dostojevski për M. Dostojevskin – 31 tetor 1838

Arte

Gazeta Express

17/03/2023 17:07

Mihail Mihajloviç Dostojevskij (1820 – 1864), vëllai i madh i Fjodor Dostojevskit, ishte autor tregimesh të shkurtra, botues dhe kritik letrar.

Mihail Mihajloviç Dostojevskit1

Lexo Edhe:

Sh. Petersburg, 31 tetor 1838

Oh, që sa, sa kohë nuk të kam shkruar, vëllai im i dashur… Shembull i mallkuar! Më ka lënë pa të shkruar ty, babës dhe pa e takuar Ivan Nikolajeviçin, e ç’të mirë solli gjithë kjo? Nuk e kalova provimin!

Edhe një vit, edhe një vit i humbur! S’do të isha kaq i tërbuar po të mos e dija se ultësia njerëzore, vetëm ultësia njerëzore më ka hedhur për toke; dhe s’do të zemërohesha sikur lotët e babait të shkretë të mos ma digjnin shpirtin. Deri më sot s’e kisha ditur çka donte të thoshte sedra e fyer. – Do të skuqesha po të mos mbizotëronte kjo ndjesi… por, a e di? Do të doja ta shkërmoqja botën me një të rënë… Kam humbur, kam vrarë gjithë ato ditë deri te provimi, jam sëmurë, jam dobësuar, kam mbrojtur provimin shkëlqyeshëm me tërë forcën dhe gjerësinë e kësaj fjale dhe prapë jam rrëzuar… Kështu ka dashur njëri prej mësimdhënësve (ai i algjebrës) me të cilin kam qenë harbut gjatë vitit dhe ka pasur poshtërsinë të ma përkujtojë, duke ma shpjeguar arsyen e rrëzimit nga provimi… Po në djall gjithë kjo. Duhet të duroj… S’do të çoj poshtë letër, unë që aq rrallë bëj muhabet me ty.

Miku im! Ti filozofon si poet. – Dhe ashtu siç nuk e duron përherë një shkallë të njëjtë frymëzimi, po ashtu e pabarabartë dhe e rreme është filozofia jote.

Të thuash se të dish më shumë, duhet të ndiesh më pak dhe anasjelltas, është një rregull që nuk merret parasysh, një përçartje e zemrës. Çka dëshiron të thuash me fjalën të dish? Të njohësh natyrën, shpirtin, Zotin, dashurinë… Tërë kjo njihet me zemër e jo me inteligjencë. Po të ishim shpirtra do të jetonim, do të lëviznim në sferën e atij mendimi, përmbi të cilin çlirohet shpirti ynë, kur dëshiron ta shquajë. Ne jemi pluhur, njerëz dhe njerëzit duhet të shquajnë, por nuk mund ta përqafojnë me një hop mendimin. Udhërrëfyese e mendimit përmes mbështjellës jetëshkurtër në substancën e shpirtit është inteligjenca.

Inteligjenca është zotësi materiale…. Ndërsa shpirti, ose fryma, jeton me mendimin që ia pëshpërit zemra, mendimi lind në shpirt… Ndërsa (artikulli i dytë) inteligjenca e njeriut, e tërhequr në fushën e njohjes, vepron pavarësisht ndjenjës, për rrjedhojë nga zemra. Nëse qëllimi i njohjes është dashuria dhe natyra, këtu hapet një fushë e paanë në zemër… Nuk dua të debatoj me ty, por do të të them se nuk jam dakord me ty në opinionin tënd rreth poezisë dhe filozofisë. Filozofia nuk duhet të konsiderohet si një problem i thjeshtë matematik ku inkogniciteti është natyra. Vër re se poeti në impulsin e frymëzimit e shquan Zotin, për rrjedhojë e realizon detyrën e filozofisë. – Prandaj entuziazmi poetik dhe entuziazmi i filozofisë… Për pasojë, filozofia është ajo që është poezia, vetëm se një shkallë e saj më e lartë!… E çuditshme që ti të mendosh për frymën e filozofisë aktuale. Sa sisteme absurde nuk kanë lindur në koka të mençura në flakë! për të nxjerrë një rezultat të saktë nga ajo masë kaq të larmishme lypset të tkurret në formulë matematike. – Ja rregullat e filozofisë aktuale… Por unë me ty jam lëshuar në fantazi… Duke mos e pranuar filozofinë tënde të fishkur, megjithatë unë e pranoj ekzistencën e një shprehjeje të saj të fishkur, me të cilën nuk dua të të lodhë…

Vëlla, është e trishtë të jetosh pa shpresë… Shikoj përpara dhe e ardhmja më fut frikën… zvarritem në njëfarë atmosfere të ftohtë, polare, ku s’ka depërtuar asnjë rreze dielli. Prej kohësh nuk e kam ndier vrullin e frymëzimit… Por në kompensim shpesh gjej veten në një gjendje si, a e mban mend?, ajo e I burgosuri i Killonit2 pas vdekjes së vëllezërve në burg… Nuk fluturon për tek unë zogthi parajsor i poezisë, nuk e ngroh zemrën e bërë akull… Ti po thua se unë jam i mbyllur; po tashmë ëndrrat e mia të një kohe më kanë braktisur dhe arabeskat e mia të lezetshme, që i krijoja dikur, e kanë humbur prarimin e tyre. – Ato mendime që me rrezet e tyre e ndiznin shpirtin dhe zemrën, tash e kanë humbur flakën dhe ngrohtësinë; ose zemra ime është tharë ose… Kam frikë të flasë tutje… Më frikëson të them se e gjithë e kaluara qe një ëndërr e artë, fantazi tekanjoze…

Vëlla, e kam lexuar poezinë tënde… ajo i ka shtrydhur ca lot nga shpirti im dhe e ka përkundur për disa momente shpirtin më pëshpërimën e këndshme të kujtimeve. Po thua se e ke një ide për një dramë. Më gëzon… Shkruaje… Ose po të kishe qenë i privuar nga dromcat e fundit të tortës parajsore, do të të mbetej… Mëkat që javën e kaluar s’kam mundur të takohem me Ivan Nikolajeviçin, isha i sëmurë! Dëgjo! Më duket se lavdia kontribuon edhe në aspiratën e poetit. Bajroni qe egoist. Ideja e tij e lavdisë qe një ide e asnjë vlere, e kotë… Por vetëm mendimi se një ditë, duke e ndjekur entuziazmin tënd të një kohe, do të shkërmoqet në pluhur një shpirt i pastër, lartësisht i bukur, mendimi se frymëzimi si një mister qiellor do t’i ndriçojë faqet mbi të cilat ke derdhur lot dhe do t’i vajtojnë brazat e ardhshëm, nuk ma ha mendja se ky mendim nuk është futur në shpirtin e poetit në vetë momentet e frymëzimit.

Britma e zbrazët e turmës është asgjë. Ah!, më erdhën në mendje dy vargje të Pushkinit kur ai e përshkruan turmën dhe poetin:

Dhe pështyn [turma] mbi altarin ku zjarri yt digjet

dhe me fodullëk infantil bën të lëkundet tripodin tënd…3

E këndshme, apo jo? Lamtumirë.

Miku dhe vëllai yt, F. Dostojevski.

P.S.:

Po, shkruama idenë themelore të veprës së Chateaubriand-it Le Genie du Christianisme. Pak kohë më parë në «I biri i atdheut4» kam lexuar një artikull të kritikut Nisard5 për Viktor Hygonë. – Oh, sa ulët qëndron ai në opinionin e francezëve. – Në çfarë mënyre të kotë Nisard i prezanton dramat dhe romanet e tij. – Ato janë të padrejta ndaj tij dhe Nisard (sado që është njeri inteligjent) gënjen. – Prapë: shkruama idenë kryesore të dramës tënde: jam i bindur se është shumë e bukur; edhe pse për të medituar siç duhet mbi karakteret dramatike janë pak dhjetë vjet. Të paktën kështu mendoj unë. – Ah! Vëlla, sa më vjen keq që ti je keq me para! Më vjen të qaj. Kur ka ndodhur kjo? Në lidhje me këtë, të uroj për ditën e emrit dhe ditëlindje e kaluar.

Në poezinë tënde: Vizioni i nënës, nuk e kam të qartë me çfarë kontornoje të çuditshme e ke rrethuar shpirtin e të ndjerës. – Ky karakter i përtjevarrit nuk është i plotë. Por në kompensim vargjet janë të bukura, edhe pse në një vend është një gabim. – Mos u irrito nga ky shqyrtim i imët. Shkruaj më shpesh, unë do të jem më i kujdesshëm. Ah, shpejt, shpejt, rilexoji poezitë e reja të Ivan Nikolajeviçit. Çfarë poezie! Kam harruar të të them një gjë: ti e di, besoj, se Smirdini po e përgatit një libër: Panteonin e letërsisë sonë, Portretet e 100 letrarëve dhe një ese mbi veprat e secilit letrar. Merre me mend, në mesin e tyre janë Zotovi6 (!?) dhe Orlovi7 (Aleksander Anfunoviçi). Ec e mos plas së qeshuri! Dëgjo, dërgoma edhe ndonjë poezi. Ajo tjetra është shumë e bukur! – Merkurovët do të nisen së shpejti për në Penza ose, duket, tashmë janë nisur.

Babai i shkretë po ma thyen zemrën! Karakter i çuditshëm! – Ah, sa gjëma i ka rënë mbi kokë! Të dalin lotët nga trishtimi që s’mund të bësh gjë për të.

A e di si, babai nuk e njeh botën fare. Ka jetuar 50 vjet dhe opinioni i tij për njerëzit ka mbetur ai i 30 viteve më parë. Injorancë e lume. – Po ai s’është aq i zhgënjyer. Ky duket të jetë shorti ynë i përbashkët. – Lamtumirë edhe njëherë. Yti.

Shënime:

1)Në këtë letër, ose thënë më mirë në diskutimin e ideve të vëllait, mbi poezinë dhe filozofinë, biografët e Dostojevskit kanë vërejtur në pasqyrim të filozofisë së Shellingut, idetë e të cilit ishin të përhapura në shoqërinë e ngritur ruse të asaj kohe. Sipas Dolininit është pothuajse për t’u përjashtuar që Dostojevski e njihte nga dora e parë, meqë ende s’e njihte gjermanishten mirë, ndërsa mund t’i përsëriste nga artikujt e Belinskit të viteve 1834-36.

2) I burgosuri i Killonit, poemë e Bajonit, botuar më 1816.

3) Dy vargjet e Pushkinit të cituara këtu janë dy vargjet e fundit të sonetit të titulluar Poetit, më 1830.

4) I biri i atdheut, Syn Otečestva, revistë me karakter reaksionar, antiromantik, që doli përgjatë viteve 1825-39.

5) C. Nisard, kritik francez.

6) Smirdin (1795-1857), librar, editor rus.

7) Rafail Mihajloviç Zotov (1795-1871), autor romanesh pseudohistorike dhe melodramash. Orlov – autor romanesh në stilin pseudo-popullor.

/Marrë nga Dostoevskij, ‘I demoni quotidiani’ (Lettere 1882-1867, I), Aragno, 2017

/Përkthimi Gazeta Express