Esther Judith Singer, e njohur me pseudonimin Chichita, argjentinase, përkthyese pranë Unescos dhe International Atomic Energy Agency, do të bëhej gruaja e Calvinos më 1964. Letërkëmbimi i tyre në të vërtetë kishte filluar në kohën kur ende nuk njiheshin mes vete.
San Remo, 7 maj 1962
Chichita e dashur,
Jam kthyer këtu këtë pasdite, me aeroplanin Barcelonë-Nicë, i lodhur dhe i pakënaqur me këtë javë dhe me një dëshirë të vetme: t’i kaloj ca ditë i qetë dhe të shkruaj një ese të cilin po e bart pas vetes prej dy muajsh. Kisha edhe një dëshirë tjetër të madhe: të merrja aeroplanin për në Paris dhe të vija të të vizitoja, se po e ndiej shumë mungesën tënde, por ia kam lënë rastit disi në dorë, do të thotë portierit të hotelit që duhej të ma merrte vendin në aeroplan në Barcelonë. Isha në waiting-list si për Nicë ashtu edhe për Paris, po ma ndanë së pari vendin për në Nicë. Pas dy ditësh në Barcelonë (dhe një korridë, që s’ma dha kurrfarë emocioni, sado që ishte i shkëlqyeshmi Diego Puerta) isha shumë i kënaqur të kthehesha në shtëpi dhe do të më pëlqente shumë që ti të ishe këtu, qoftë edhe vetëm për week-end.
Me aeroplanin Paris-Nicë s’do të ishte aq e vështirë, por mos e bëj veten telash menjëherë me ao orare, të lutem, e gjitha duhet të jetë bukur, thjesht dhe natyrshëm dhe nëse për ty është vështirë të vish, do të vij unë te ti; kisha shumë mall për ty në Formentor, një vend ku nëse je vetëm nuk shijon dot deri në fund diellin dhe detin. Por nuk ishte vetëm sherri i vetmisë që isha i pakënaqur me këtë javë; të gjithë jemi kthyer disi paksa të pakënaqur. Njëri prej çmimeve është ndarë në mënyrë shumë të keqe dhe kjo, edhe pse nuk jam përgjegjës në mënyrë të drejtpërdrejtë (është Prix Formentor, për roman të pabotuar, për të cilin votojnë vetëm shtatë botuesit), më bën të ndiej përgjegjësi indirekte, ngase është vlerësuar dorshkrimi më i keq në mesin e të gjitha dorëshkrimeve, i mbështetur nga Moravia (autorja është një vazjë shumë e bukur) dhe besonim se asnjëri s’do bindej, po ja që… Atëherë më takon të bëj një autokritikë të hidhët, ngase me atë shpirtin e zakonshëm qetësues dhe diplomatik nuk kemi dashur ta fyejmë Moravinë duke ia pamundësuar të (mos) prezantojë dorëshkrimin dhe e kemi lënë bëjë propagandën e tij, duke na kufizuar të mbështesim dorëshkrimet tjera që ishim të sigurt se na dukeshin më të mira të gjithëve dhe nuk i kemi paralajmëruar botuesit me shije më trashanike që do të ishin bërë qesharak duke ia ndarë atij libri… Prix des Editeurs (që, përkundër emrit, nuk jepet nga botuesit – vetëm paratë i japin ata – por nga juritë e shtatë vendeve) nga ana tjetër është ndarë mirë, një shkrimtari gjerman shumë të ri dhe që do të thotë diçka në të gjitha kuptimet (Uwe Johnson); ky është mendimi im, por shumica nuk u bindën dhe në diskutimet e këtij çmimi juria italiane (përveç Elio Vittorinit që është i vetmi që ka ide të qarta) ka vepruar në mënyrë goxha ngordhalaqe dhe me shumë polemika të brendshme. E edhe aty më duhet të bëj autokritikë: pse nuk e kam parashikuar, pse i kam pasur idetë e qarta vetëm pasi që ishte shumë vonë… Dhe mundimi të rrish tok me njerëz që e kanë secili pjesën e tyre të çmendurisë: Moravia, që, megjithatë, pavarësisht budallallëqeve të mund të bëjë, mbetet njeri – nganjëherë – inteligjent dhe për të cilin vazhdoj të ndiej miqësi; Carlo Levi për të cilin vuaj, duke qenë se jemi miq, kur e shoh si bëhet gjithnjë e më shumë i padurueshëm dhe qesharak. Një juri, kjo e jona, e gjitha vedettes, secili mbante fjalime tejet të gjata, përveç Vittorinit që e ka marrë fjaln veç njëherë dhe i ka dhënë njëfarë kuptimi gjithë çmimit, dhe meje që tërë kohës kam heshtur. Pra, gjatë gjthë këtyre ditëve kam qenë me cafard. Për më tepër, gjendja spanjolle: policia që e ka sekuestruar mikun tonë Carlos Barral1, në orën tre të natës në dhomën e tij të hotelit dhe e kanë marrë në pyetje; mandej e gjitha është fashitur pas kërcënimeve për të shkaktuar skandal ndërkombëtar e edhe ngase Franco tash duhet të çajë kokën për minatorët e Asturieve më shumë se sa për çmimet letrare.
Ja, siç po e sheh ta shkrova një letër shfryrjeje. Më vjen keq që s’e kam numrin tënd të ri të telefonit. Po deshe të më telefonosh ti (80-0-14) mendoj se do të rri këtu gjithë javën. Por komunikimi është i keq me long distance calls, i keq psikologjikisht, jo teknikisht, po them.
Eh, tung Chichita, më shkruaj ose më telefono ose eja ose më prit të vij unë.
Italo
/Marrë nga Italo Calvino, “Lettere a Chichita, 1962-1963”, Mondadori, 2023
/Përkthimi: Gazeta Express