Lucia Berlin (1936-2004), shkrimtare amerikane, u lind në Alaskë dhe e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë nëpër vende të ndryshme, ndërsa adoleshencën në Santiago të Kilit. Pati tri martesa dhe një jetë të varur nga alkooli. Sa ishte gjallë vlerësohej lart nga shkrimtarë si Saul Ballow dhe Lidia Davis, mirëpo u bë mjaft e njohur vetëm pas vdekjes, më 2015, kur iu botua përzgjedhja A Manual for Cleaning Women
1959, pranverë
I dashur Ed,
Faleminderit, përnjëmend, faleminderit për letrën tënde dhe para së gjithash për poezinë. Ti e ke përmendur atë që burrat e thonë dhe unë e kisha vrarë mendjen për këtë tashmë një kohë të gjatë, kryesisht rreth asaj se si të thuash gjithçka herën e parë… jo pse, çka ti e thua në poezinë tënde.
Ti përherë thua kudo PO ose JO. Është pretencioze për mua të komentoj shkrimin tënd, por unë e di se Jo-ja dhe Po-ja e kësaj, evoluimi i asaj çfarëdo që ti je duke shkruar, është diçka me të cilën s’kanë lidhje Denisi dhe të tjerët… zotimi dhe kujdesi (kujdes, jo vëmendje) janë ato që të bëjnë ty shkrimtar më të mirë se ata. Andaj jam shumë e lumtur që ti do t’i lexosh gjërat e mia. “Mirë de, ai DO TE TA thotë të vërtetën”, tha Race, pakëz në merak për mua, më duket. Shpresoj të jetë kështu, por po ashtu jam krenare ngase nuk jam aq e merakosur rreth së keqes së shkrimit në vetvete sa rreth spitullimit dhe kallëpeve të cilat ti je i shkathët t’i përdorësh a t’i hedhësh, sipas nevojës.
Por të lutem, jam shumë në siklet dhe e turpëruar që ti do të më flasësh mua si t isha kolege e jotja. Faji im, sepse unë flas aq lirshëm për “shkrimin” tim. E di dhe më vjen keq se do të mbetesh shumë i zhgënjyer dhe shokuar nga punët e mia të mjera. Creeley thotë se jam amatere. Por kjo është e gjitha që ai thotë dhe ma thotë veç kur është tapë. Njëmend, e di se shkrimi im është i dobët, se nuk jam duke ia dalë… ama nuk jam amatere… ngase shkoj me mendjen se mund… qoftë edhe vetëm ngase kam një mori gjërash që dua t’i rrëfej, t’i hedh në letër dhe t’i them. Kështu pra.
I kam ca gjëra të shkruara mirë, por ia kam dërguar dikujt tjetër, kështu që po t’i nis këto tekste të shkruara fare mjerisht. Profesori im më tha se janë gjërat më të keqija që kam shkruar dhe kjo gjë më dëshpëroi fort, për një arsye, ngase ai nuk ka tha PSE. Pra, do të doja që ti të mundoheshe… përnjëmend çkado që të thuash, qoftë edhe “Nuk më pëlqejnë”, nuk do të më lëndojë as nuk do të më dekurajojë. Dua dëshpërimisht, përnjëmend, të mësoj si të shkruaj në atë mënyrë.
Dhe, Dorns, a nuk ishte një vizitë e këndshme? Kur do të vish ta kalosh një ditë a më shumë? Race mori atë punën në Bandbox, çka do të jetë mirë. I ka dy javë pushim, pra është i lumtur, posaçërisht përderisa bendi i tij po luan mirë dhe ai po merr oferta me ton. Të dielen do të luajë për shoun Bob Hope, çka do të jetë bukur, etj. Pra, të gjithë këtu janë për merak.
Me dashuri, Lucia
/Marrë nga Lucia Berlin, Welcome home – A Memoir with Selected Photographs and Letters”, Picador, 2018
/Përkthimi: Gazeta Express