string(60) "epistula-e-javes-bergson-per-william-james-in-20-korrik-1905"

Arte

Gazeta Express

24/02/2023 17:09

Epistula e javës / Bergson për William James-in, 20 korrik 1905

Arte

Gazeta Express

24/02/2023 17:09

Henri-Louis Bergson (1859-1941) dhe William James (1842-1910) filluan t’i shkruajnë njëri-tjetrit në dhjetor 1902, me iniciativën e Jamesit dhe u takuan për herë të parë më 1905

Henri Bergson për William James-in

Villa Montmorency,

18 Avenue des Tilleuls (Auteuil), Paris

20 luglio 1905

Kolegu im i dashur,

me keqardhjen time të thellë më është dashur t’i shkruaj Abauzit-it se nuk do të mund ta marr përsipër ta shkruaj parathënien që ma kishte kërkuar njerëzisht për përkthimin e tij. Prej dy a tri javësh vuaj nga një lodhje nervore e përgjithshme, të shkaktuar nga një pagjumësi shumë e fortë: pa dyshim që e kam rënduar këtë gjendje duke këmbëngulur të qëndroj në Paris për të punuar njësoj. Po ja që tash jam i obliguar ta ndërpres çdo punë dhe të nisem në udhëtim, nëse dua të jem në gjendje t’i rifilloj ligjëratat e mia pas kthimit. Më vjen shumë keq që s’po mund t’ia jap Abauzit-it këtë shenjë simpatie dhe librit tuaj, lejomëni t’jua them, këtë dëshmi të admirimit tim të madh. Por kurrë një vepër e huaj nuk ka pasur më pak nevojë të “prezantohet” para publikut francez.

Prej se i kam marr, i kam lexuar artikujt që m’i keni dërguar1 bujarisht dhe këmbëngul t’ju them se sa shumë më kanë interesuar. Ata artikuj e sqarojnë doktrinën tuaj duke iu përgjigjur, më duket, vërejtjeve që janë ngritur kundër tyre. Pika esenciale më duket të jetë ajo që ju e nxirrni në artikullin e dytë: “How two minds can know one thing”. Sa më shumë që reflektoj aq më shumë besoj se filozofia duhet të ndalet te një solucion afër atij që e tregoni ju: ekziston përvoja e pastër, që nuk është as subjektive as objektive (unë e përdor fjalën përfytyrim për të treguar një realitet të këtij lloji) dhe ekziston ajo që ju e quani përvetësimi i kësaj përvoje nga ana e kësaj a asaj vetëdijeje, përvetësim që më duket se konsiston në një zvogëlim sui generis të përfytyrimit, por që ju do ta bënit të konsistojë më tepër, nëse ju kam kuptuar mirë, në gjendjet afektive që i rrinë si kornizë përfytyrimit të pastër. Nga ana tjetër, nuk besoj se këto dy vizione të fundit janë të pajtueshme mes vete, ngase zvogëlimi për të cilin po flas arrihet përherë në kuptim praktik; ai zvogëlim ka të bëjë me trupin tonë dhe duhet, për rrjedhojë, të përkthehet në një prirje të trupit që mirëpret ose që refuzon përfytyrimin e jashtëm. Tash kjo prirje e trupit perceptohet në pikat në të cilat prodhohet, do të thotë në brendi të përfytyrimit-trupit. Dhe një perceptim brenda trupit tonë më duket se është pikërisht ajo që e quajmë gjendje afektive.

Nuk e di nëse e keni lexuar, në numrin e fundit të Revue philosophique, një artikull përkitazi me Kongresin e Romës2. Në këtë artikull pohohet se konceptimi i “kohëzgjatjes reale” që e kam dhënë në veprën time të parë (Ese mbi të dhënat imediate të vetëdijes) marrka shtysë nga idetë e Ward-it dhe paksa edhe nga ato të tuat dhe se, në mënyrë reciproke, filozofia që ju na e jepni sot marrka shtysë nga punët e mia. Në përgjigje ndaj këtij artikulli, menjëherë i kam shkruar Revue philosophique një letër që do të dalë në numrin e ardhshëm dhe ku sqaroj: 1), se Eseja ime është shkruar pa qenë në dijeni të ideve të Ward-it dhe të tuajave dhe se nga ana tjetër është bukur e dukshme se teoritë e zhvilluara në të kanë një domethënie dhe origjinë shumë të ndryshme; 2), se nga ana tjetër as vetë ju s’keni mundur të inspiroheni nga “bergsonizmi” për arsyen e thjeshtë se, bukur para botimit të  Materia dhe memoria, veçse e kishit marrë rrugën që sot po e përshkoni. Kam shkuar me mendjen se duhet ta këpus në rrënjë këtë ngjizje legjende, ngase, për mendjen time, njëri prej argumenteve më impresionues që mund të thirren (nga jashtë) në favor të “pragmatizmit” amerikan dhe të “filozofisë së re” franceze konsiston pikërisht në faktin se këto dy doktrina kanë lindur pavarësisht nga njëra-tjetra, me pikënisje të ndryshme dhe me metoda të ndryshme. Kur, në kushte të tilla, dy doktrina anojnë të ndërlidhen, ka mundësi që njëra dhe tjetra të jenë afër të vërtetës. Uroj me gjithë shpirt që ju ta vini në jetë planin tuaj që t’i kaloni disa muaj në Francë. E s’jam i vetëm, të jeni i sigurt, që uroj të ndodhë kjo. Ju lutem, kolegu im i dashur, të besoni në ndjenjat e mia sinqerisht të devotshme,

H. Bergson

Shënime:

1), Bëhet fjalë për artikujt e vitit 1905: “The think and its dattions”, “The essence of humanism”, “How two minds can know thing”, “The piace of affectional facts in a world of pure experience”, botuar në The ]ournal o/Philosophy, Psychology, and Scienti/ic Methods, 2, 1905, fq. 281-287.

2), Bëhet fjalë për artikullin e Gaston Rageot në “Koncepti i vetëdijes”, në Anna/es de psychologie, v, 17 qershor 1905, referuar në Kongresin V të psikologjisë, mbajtur në Romë, prill 1905, kushtuar pikërisht “Nocionit të vetëdijes”, ku James kishte marrë pjesë me një konferencë rreth natyrës së vetëdijes.

/Marrë nga Henri Bergson – William James: Durata reale e flusso di coscienza, Lettere e altri scritti (1902-1939); Raffaello Cortina, 2014

/Përkthimi Gazeta Express