Epistula e javës / Bergson – Le Bonn – James - Gazeta Express
string(38) "epistula-e-javes-bergson-le-bonn-james"

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 17:11

Epistula e javës / Bergson – Le Bonn – James

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 17:11

Henri-Louis Bergson (1859-1941) dhe William James (1842-1910) filluan t’i shkruajnë njëri-tjetrit në dhjetor 1902, me iniciativën e Jamesit dhe u takuan për herë të parë më 1905

Henri Bergson për Gustav Le Bonn-in

Lexo Edhe:

Chalet Sans-Souci

St. Cergues (Vaud), Zvicër,

31 gusht 1909

Zotëri i nderuar,

më është përnjëmend e pamundur t’ia prezantoj publikut një libër në të cilin u kushtohet një hapësirë e tillë librave të mi dhe ku vlerësohen me fjalë aq të ngrohta. Nuk do të doja në asnjë mënyrë t’ju mbes në hatër dhe do ta shkruaja me shumë qejf parathënien e çfarëdo vëllimi tjetër të koleksionit tuaj; por përnjëmend jo parathënien e këtij. Nga ana tjetër lërmëni t’ju them se nuk ma ka nevojën fare. Nami i William James-it është universal. S’ka filozof të huaj që të ketë te ne nam të krahasueshëm me të tijin.

Nuk do të pendoheni fare që e keni zgjedhur znj. Paris si përkthyese. Ata që e kanë përkthyer James-in do t’ju thonë se origjinaliteti dhe piktoreskja e gjuhës së tij e bëjnë skajshmërisht të vështirë për t’u përkthyer. Gjykuar nga esetë e provës që i kam parë, ky përkthim do të jetë njëmend i mirë, duke qenë bukur besnik, megjithatë pa i dhënë lexuesit përshtypjen e një përkthimi.

Besoni, ju lutem, në ndjenjat e mia shumë të devotshme.

H. Bergson

Henri Bergson për William James-in

Grand Hotel Britannia, Venecia,

8 shtator 1909

I dashur William James,

kam mbetur shumë i kënaqur kur e kuptova se përfundimisht keni rënë në ujdi me dr. Le Bonn-in për përkthimin në frëngjisht të Pluralistic Universe. Znj. Paris, të cilën ia kam rekomanduar dr. Le Bonn-it për këtë punë, është një person me inteligjencë të lartë, bukur e informuar për çështjet filozofike dhe adhuruese e flaktë e veprave tuaja. Më kishte folur për këtë përkthim ( madje e kishte nisur, ma ha mendja) para se dr. Le Bonn-i t’jua kërkonte ta botonte në koleksionin e tij. E njeh mirë anglishten, por ka dashur ta ketë përkrah një bashkëpunëtor me të cilin këshillohet me pasazhet më të vështira. I kam lexuar ca faqe të përkthimit të saj, që m’i ka nisur si ese; më janë dikur vërtet të mira, gjithnjë afër tekstit në anglisht, e megjithatë bukur franceze. Pavarësisht kësaj, e kam nxitur t’ju kontaktojë drejtpërdrejt he t’jua nisë ca faqe, në mënyrë që të mund t’ia thoni ju vetë nëse është në rrugë të mbarë.

Me ta përfunduar përkthimin e Pluralistic Universe do të donte – po qe se edhe ju jeni të së njëjtës mendje – ta përkthente librin tuaj Pragmatism. Uroj gjithë zjarr që edhe kjo vepër e juaja të përkthehet në frëngjisht.

Nuk duhet ta ngatërroni znj. Paris, për të cilën po të flas, me znj. Gaston Paris, të venë e studiuesit të madh, që është, edhe ajo, adhuruese e punëve tuaja dhe që – koincidencë e çuditshme – po ashtu kishte menduar një kohë ta përkthente diçka tuajën. Bëhej fjalë, ma ha mendja, për konferencën tuaj mbi “Pavdekësinë”, që do të ishte mirë të përkthehej herëdokur. Jam larguar nga qyteti i Parisit prej tashmë gjashtë javësh. E kam kaluar gjithë muajin e gushtit në Zvicër, jo larg Gjenevës; por treni ishte aq i mundimshëm sa nuk kam pasur guxim të shkoj në Kongresin e psikologjisë. Duhet punë për t’iu bërë ballë mundimeve të një kongresi! – Në këtë moment po udhëtoj për në Itali. Do të kthehem në Paris gjatë pesëmbëdhjetë ditëve të para të tetorit dhe atëherë do t’ju shkruaj.

Besoni, i dashur William james, në ndjenjat e mia përzemërsisht të devotshme.

H. Bergson

/Marrë nga Henri Bergson – William James: Durata reale e flusso di coscienza, Lettere e altri scritti (1902-1939); Raffaello Cortina, 2014

/Përkthimi Gazeta Express