Marcus Aurelius Antoninus Augustus (121 –180), i njohur thjesht si Mark Aurelio, ka qenë perandor, filozof dhe shkrimtar romak. Autor i librit të njohur, Meditimet
Aurelio për Frontin
(Rreth vitit 139/40)
Përshëndetje, mësuesi im më i mirë.
Nëse ia del të marrësh një sy gjumë pas një nate të tërë zgjuar duke i ndier dhimbjet, më shkruaj mua, po të përgjërohem; dhe mbi të gjitha të përgjërohem të kesh kujdes për shëndetin tënd. Dhe lëre anash sëpatën e Tenedit1 me të cilën po na kërcënon neve, fshihe diku, dhe mos hiq dorë nga qëllimi të mbosh kauza legale – por edhe po qe se e bën këtë, askujt mos iu dëgjoftë fjala më.
Ti po thua se ke bërë bashkë ca copa ose diçka tjetër nga greqishtja që të pëlqen më shumë se çkado tjetër që ke shkruar më parë. megjithatë, a nuk je ti ai që më ke qortuar rëndë jo shumë kohë më parë pse kisha shkruar diçka në greqisht? Po mua më duhet njëmend të shkruaj diçka në greqisht tash, më shumë se kurrë më parë. Do të më pyesësh pse? Më duhet ta verifikoj nëse ajo që nuk kam mësuar mund të më jetë më e hairit, duke parë se ajo që kam mësuar po më zhgënjen. Tash, nëse ti njëmend më do mua, duhej të ma kishe dërguar atë copë për të cilën ti po shprehesh hapur se të pëlqen aq shumë. Po ashtu po të lexoj të pëlqeu ty a jo dhe vetëm kjo gjë në të vërteët po më bën të vazhdoj tutje. Është një temë se jo mahi që ma ke nisur. Ende s’e kam lexuar ekstraktin nga Koeliusi që ma ke dërguar, as nuk e kam ndërmend derisa ta kem gjurmuar përt vetveten idenë që gjendet në të2. Por fjalimi im mbi Cezarin3 më mban shtrëngueshëm në kthetrat e tij. Tash, tekembramja unë e çmoj sa punë duhet për të shkruash siç duhet ca rreshta për çdo ditë sipas kutit4 tënd dhe kështu të harxhosh një kohë të gjatë duke shkruar diçka të vlefshme.
Mirë u pafshim, frymë e jetës sime. Si mund të mos digjem dashurie për ty kur ti ke shkruar gjithë ato gjëra për mua? Çfarë duhet të bëj unë? S’rezistoj dot. Tash një mot ishte kismeti im, në po këtë vend, të digjesha nga dëshira të shihja nënën time. Këtë vit atë dëshirë ma ndeze ti. Zonja5 ime ju dërgon të fala e saj të përzemërta.
Shënime:
Sëpata e Tenedit – Shprehje proverbiale (bazuar në mitin e Tenesit) që ka kuptimin e vendosmërisë së palëkundshme.
Koeliusi (historian romak i shekullit të dytë para erës sonë) ka shkruar një histori të Luftës së Dytë Punike, një temë e një gjakderdhjeje të madhe. Aurelio dëshironte ta trajtonte temën për vetveten para se të shihte shembullin e historisë së Koeliusit që ia kishte dërguar Fronti si model.
Fjalimi i Cezarit – ne nuk e dimë nëse ky është një fjalim që Aurelio e kishte mbajtur për ta falenderuar që ishte zgjedhur (dhe kështu edhe Cezar) trashëgimtar nga Antonini apo një pjesë e caktuar e bazuar në shkrimet ose jetën e Jul Cezarit.
Sipas kutit tënd – një imazh i marrë nga Platoni, Fedra 234e, ku është përdorur për shprehje të realizuara në mënyrë fine.
Zonja ime – kjo letër duket të jetë relativisht e hershme, me gjasë e shkruar para se Aurelio të martohej, në vitin 145. Pra fraza mund t’i referohet nënës së tij Lucilës ose (nëse ajo s’ishte aty pari atëkohë) Faustinës, gruas së Antoninit.
/Marrë nga Marcus Aurelius “Meditations – with selected correspondence”, Oxford University Press, 2011
/Përkthimi: Gazeta Express