Në historinë e mendimit, korrespondenca mes Hannah Arendit dhe Karl Jaspersit është më e gjera mes dy filozofësh të gjinisë së kundërt. Filloi më 1926, kur njëzetvjeçarja Arendt ishte duke studiuar filozofi nën kujdesin e Jaspersit në Universitetin e Heidelbergut. Ishte ndërprerë pas emigrimit të Arendit në ShBA, për t’u rifilluar më 1945 dhe për të vazhduar deri në vdekjen e Jaspersit, më 1969.
LETRA E PARË
Hannah Arendt për Karl Jaspersin
Berlin, 1 janar 1933
I dashur profesor Jaspers
Faleminderit shumë për Max Weberin1, të cilin kam kënaqësinë ta kem. Sidoqoftë, ka një arsye të mirë pse po ju shkruaj vetëm tani që t’ju falënderoj për të: titulli dhe parathënia ma bënë të vështirë që në nismë që të komentoj librin. Nuk më brengos ajo se ju e portretizoni Weberin si gjermanin më të madh, por, më parë, ajo se ju gjeni “Esencën gjermane” tek ai dhe identifikoni këtë esencë me “racionalitetin dhe humanitetin, që zënë fill te pasioni2”. Kam të njëjtën vështirësi siç kam me vetë patriotizmin e imponuar të Max Weberit. Ju do ta kuptoni se unë si hebreje nuk mund të them as po as jo dhe se pajtimi im me këtë do të jetë i papërshtatshëm po ashtu si edhe argumenti kundër. Nuk më duhet të mbaj distancë përderisa ju po më flisni për “domethënien e fjalës gjermane pushtet” dhe misionin e saj për “kulturës e së ardhmes3”. Mund të identifikohem me këtë mision gjerman, megjithëse nuk e ndiej veten padiskutueshmërisht identike me të. Për mua, Gjermania do të thotë gjuha ime amtare, filozofi dhe letërsi. Mund dhe duhet të mbahem vetëm te kjo. Por jam e obliguar të mbaj distancën time, nuk mund të jem as për as kundër kur e lexoj fjalinë e mrekullueshme të Weberit ku thotë se për të ngritur Gjermaninë përsëri në këmbët e veta do të bënte pakt edhe me vetë djallin. Dhe është kjo fjali që mua më duket se zbulon pikën kritike këtu.
Doja të bartja këtë rezervim te ju, sado që ushqehet sa më shumë të lexoj tutje. Ende ndiej se këtu ka një kundërthënie mes pjesës kryesore të tekstit dhe parathënies, një tekst ku theksohet se liria nuk duhet të identifikohet me gjermanësinë dhe një parathënie ku ju ofroni “racionalietin dhe humanitetin” të jenë diçka si cilësitë bazike të karakterit gjerman.
Zor se kam nevojë t’ju them se ky libër nxit lexuesin të lexojë vetë Weberin dhe sado që nuk kërkon ndonjë njohje paraprake të veprës së Weberit, përçon gjallërisht fuqinë e tij intelektuale. Megjithatë ndieja se seksioni i dytë4 i prezantimit tuaj ishte një çikëz më i shkurtër dhe se kësodore linte paragrafin e fundit disi skematik dhe abstrakt.
Prej kësaj vere kemi qenë në apartamentin tonë. Do të isha pafundësisht e lumtur nëse ju do të mund të shihnit vetë se sharmi i tij (dhe krenaria ime për të) rrjedh nga fakti se në asnjë mënyrë nuk duket si lagjet studentore. Pavarësisht punëve të shtëpisë, po bëj goxha punë për veten. Rahel është pothuajse i kompletuar. Shpesh mundohem të përfytyroj çka do të thoni ju rreth librin të përfunduar – po marr lirinë të përfshijë në dërgesë një ese5 që botuesit e kanë shkurtuar rëndshëm. Megjithatë, si kompensim, e kanë vënë emrin tim dyfish më të gjatë.
Kam parë Afra Geigerin6 disa herë. Por nuk krijojmë ndonjë lidhje për të qenë për arsye që nuk i kam të qarta.
Me urimet më të mira për Vitin e Ri,
Me respekt dhe mirënjohje
Juaja Hannah Stern
LETRA E DYTË
Karl Jaspers për Hannah Arendt
Heidelberg,
3 janar 1933
E dashur Frau Stern!
Sa rrengtare është kjo puna e karakterit gjerman! Më duket e çuditshme që ju si hebreje doni të lini veten anash asaj që është gjermane. Por në vend se të fokusohem në këtë, do të doja të përpiqem të interpretoj domethënien e fjalive të mia për ju, me shpresën se, nëse jo tani, atëherë në ndonjë kuvendim të mëvonshëm, do të fitoj tumirjen tuaj.
Nuk e veçoj karakterin gjerman si tip, duke e vendosur kështu anash tipave të tjerë. Nuk është një koncept i përgjithshëm në të cilin mund të përfshihen koncepte të tjera; më parë është një totalitet historik i pandërprerë dhe i shfaqshëm. Kur unë them se karakteri gjerman është racionalitet, etj., nuk jam duke thënë se racionaliteti është ekskluzivisht gjerman. Për këtë arsye unë bukur me vetëdije e baraspeshoj, pa qenë në kundërthënie me veten, sentencën e parathënies me atë të mëvonshmen që thotë se racionaliteti etj., nuk duhet të interpretohet si gjermanësi7.
Arsyeja ime pse kam zgjedhur këtë formulim disi të çuditshëm ka të bëjë me impulsin tim pedagogjik. Rinia jonë nacionaliste ka shumë vullnet të mirë dhe elan të çiltër të përzier me llafazanërinë e tyre konfuze dhe të orientuar gabimisht, ndaj doja t’i vetëdijesoja për kërkesat në vetvete që janë karakteristike në të qenët gjerman dhe në të njëjtën kohë duke e njohur nevojën e tyre të ndihen krenarë për të qenët gjerman. Për këtë arsye pra ndieja se një botues nacionalist ishte ai i duhuri për të arritur te lexuesit që janë në nevojë të këtij impulsi edukativ dhe të cilët ndoshta madje synojnë atë vetë. Në asnjë fjali të vetme nuk kam bërë asnjë kompromis. Nëntitulli është kompromis që kam lejuar, ngase botuesi ma kishte kërkuar, duke pohuar se Max Weberi nuk ishte në dijeni. Sidoqoftë, kompromisi nuk gjendet te përmbajtja e nëntitullit, por në faktin se e kam shtuar nëntitullin. Fjala “gjerman” është aq e keqpërdorur se s’të vjen ta përdorësh më.
Bëra një përpjekje, me gjasë të pashpresë, t’i jap përmbajtje etike përmes tri figurave të Max Weberit. Megjithatë, kjo përpjekje do të tregohej e suksesshme vetëm nëse ju, po ashtu, do të mund të thoshit: Kjo punë është kështu. Dua të jem gjermane. Kur ju flisni për gjuhën amtare, filozofinë dhe letërsinë, e gjitha që lypset të shtoni është fati historiko-politik dhe aty nuk ka asnjë dallim fare. Ky fat sot është se Gjermania mund të ekzistojë vetëm në një Evropë të unifikuar, se ringjallja e saj në lavdinë e saj të vjetër mund të arrihet vetëm përmes unifikimit të Evropës, se djalli me të cilin patjetër do të duhet të bëjmë pakt është ankthi egoist borgjez i francezëve; ngase perandoria e asaj që është gjermane, një perandori që duhet të shkojë nga Holanda tek Austria, nga Skandinavia te Zvicra, është e pamundshme dhe prapë do të jetë tepër e vogël në botën e sotme. Mirë pra, këto janë të gjitha temat që nuk zënë vend në librin e Max Weberit, megjithëse më duket se ngrihen natyrshëm prej tij. Poenta e librit ishte thjesht të tërhiqte vëmendjen te premisat e përfshira në këtë vijë të mendimit.
Karl Jaspers, Max Weber: Deutsches Wesen im politischen Denken, im Forschen und Phibsopbieren (Oldenburg in Oldenburg, 1932). Për botimet e mëvonshme Jaspers kishte ndryshuar titullin në Max Weber: Politiker— Forscher— Philosoph.
2. Ibid., 7.
3. Ibid., 21.
4. “ Max Weber als Forscher.”
5. Hannah Arendt-Stern, “Aufklarung und Judenfrage,” në Zeicschrift fur die Geschichte der Juden in Deutschland 4, no. 2/3 (1932): 65-77.
6. Afra Geiger, mike hebreje e Jaspersit dhe studente e Jaspersit dhe Heideggerit, kishte vdekur në kampin e përqendrimit të Ravensbruck
7. Jaspers, Max Weber, 65. ‘
8. Vepra ishte botuar nga Verlag Gerhard Stalling në vëllim në serinë Schriften an die Nation.
/Marrë nga Hannah Arendt-Karl Jaspers – Correspondence, 1926-1969”, Harcourt Brace & Company, 1992
/Përkthimi Gazeta Express