Epistula e javës / Anton Çehov për Nikolaj Lejkinin - Gazeta Express
string(49) "epistula-e-javes-anton-cehov-per-nikolaj-lejkinin"

Arte

Gazeta Express

30/09/2022 16:06

Epistula e javës / Anton Çehov për Nikolaj Lejkinin

Arte

Gazeta Express

30/09/2022 16:06

Anton Çehov (1860 – 1904), njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj rus. Përveç dramave dhe tregimeve, Çehovi ka lënë pas vetes edhe një pasuri të pafundme letrash, drejtuar personave të ndryshëm

Për Nikolaj A. Lejkin-in

Lexo Edhe:

Moskë, 18 prill 1883

Po jua dërgoj disa tregime dhe po ju përgjigjem në letrën tuaj. Ju e vëreni a propos se tregimet e mia Takimi dhe Hajni janë paksa tepër serioze për revistën “Ciflat”. Bën vaki, por unë s’do t’ju dërgoja tregimthe pa asnjë fije komiciteti sikur të mos i kisha pasur parasysh disa gjëra. Unë mendoj se një gjë e vockël serioze, e shkurtër, me nja njëqind rreshta për shembull, nuk do të përputhej gjithaq, aq më tepër që në kokën e ‘Ciflat” nuk figurojnë fjalët “revistë humoristike dhe satirike”, s’ka ndonjë detyrim të kufizohemi te humour-i. Një gjë e vockël e lehtë (jo e imja, po flas në përgjithësi), sipas shpirtit të revistës, që do të përmbante intrigën dhe denoncimin e duhur të zakonit, lexohet me shumë qejf, me aq sa kam mundur të shoh, prandaj nuk është e mërzitshme.

Nga ana tjetër, thënë mes parantezash, mes artikujzve të të mprehtit I. Grek herë pas here hasim në gjërëza me intonacion serioz, delikat, madhështore, për t’i ngrënë pas vaktit në vend të dessert-it. Ato nuk stonojnë, përkundrazi…  Vetë Liodor Inanoviçi nuk është gjithmonë spirituoz, e megjithatë mbase nuk ka lexues të “Ciflat” që i lë poezitë e tij pa i lexuar. Një artikulth i lehtë dhe i shkurtër, sado serioz që mund të jetë (nuk po flas, vetëkuptohet, për matematikën apo për çështjen kaukaziane) nuk e përjashton një lexim të këndshëm. Zoti na ruajttë nga qaravitjet, por një fjalë e përzemërt që ia themi një gjatë Pashkëve një hajni që në të njëjtën kohë është edhe i internuar, nuk do ta rrënojë gazetën. Pastaj, që të jemi të sinqertë, është e vështirë të arrish ta kapësh për bishti humorizmin. Nganjëherë e ndjek dhe prej asaj gjëje del në dritë ndonjë poshtërsi, aq sa ta neverisë edhe atë që e ka shkruar. (Pa dashur bëhemi serioz). Për Pentakoste do t’ju dërgoj diçka të hirtë të llojit të Takimi. Do të jem serioz vetëm gjatë festave solemne.

I kam shkruar Agafopod Ediniçinit. Është vëllai im, momentalisht nëpunës shteti; viteve të fundit ka bashkëpunuar me revistat e Moskës. Ka shkruar shumë dhe në kohën e tij ka qenë bukur i suksesshëm: aq sa të rrojë nga ajo punë. Ishte humorist, mandej ka rrëshqitur në lirizëm, në fantazmagori dhe mbase… si autor është i dështuar. Do të donte ta shmangte lirizmin, por tashmë është vonë, e ka hëngër. Letrat e tij janë plot me humorizëm, s’mund të imagjinosh diçka më komike; por sapo të ulet të shkruajë për ndonjë revistë, e zë halli, nis të çalojë. Po të ishte më i ri do të mund të ishte një bashkëpunëtor i mirë. Si humorist nuk është keq, shihet nga fakti se ka hyrë në doganën e Taganrog-ut kur s’kishte më asgjë për të vjedhur. I kam shkruar dhe jam i sigurt se do t’ju dërgojë diçka.

Dhe me këtë jam shërbëtori juaj i devotshëm,

Çehov,

Ditën e Pashkëve jua kam nisur tregimin Vanja, Mamaja, Halla dhe sekretari. I keni marrë?

Marrë nga: Cechov, Epistolario, I, Einaudi, 1960 Përktheu: Gazeta Express