Epistula e javës/ Agustini për Hermogenianusin - Gazeta Express
string(45) "epistula-e-javes-agustini-per-hermogenianusin"

Arte

Gazeta Express

04/07/2025 17:43

Epistula e javës/ Agustini për Hermogenianusin

Arte

Gazeta Express

04/07/2025 17:43

Aurelio Agustini  nga Ipona (latinisht Aurelius Augustinus Hipponensis 354 – 430), ka qenë filozof, ipeshkv, teolog dhe mistik romak. I njohur edhe si Shën Agustini, doktor dhe shenjtor i Kishës katolike

Agustini për Hermogenianusin1

Nuk duhet të futem në aventura, madje as për shaka, të kritikoj Akademikët2, ndikimi i të cilëve prore ka qenë me peshë për mua, po të mos mendoja se kishin një reputacion bukur më ndryshe nga ai sa besohet përgjithësisht. Prandaj, me aq sa ishte e mundshme, i kam imituar ata më shumë se sa që i kam sulmuar – çka së fundmi nuk jam më në gjendje ta bëj. Nëse ndonjë rrymë e pandotur rrjedh nga kroi platonik, mua më duket se këtyre kohëve është më mirë për të të kalojë përmes shkurreve hijore dhe gjembore, në të mirë të pak vetave, se sa të endet përmes fushave të hapura të mbushura me gjedhe dhe ku është e pamundshme për të të ruhet e kthjellët dhe e pastër. Se, çka është më e pranueshme për turmën e përgjithshme se sa ideja se trupi dhe shpirti janë identikë? Përkundër njerëzve të këtij lloji, unë mendoj se metoda ose arti i fshehjes së të vërtetë është një sajesë e dobishme. Por, në këtë moshë, derisa nuk hasim në filozofë të vërtetë – dhe unë konsideroj se ata që sorollaten në veshur me petka filozofi nuk e meritojnë fare atë titull të respektueshëm – njerëzit duhet të kthehen mbrapa te shpresa e zbulimit të së vërtetës, posaçërisht ata që janë shkurajuar të kuptojnë gjërat nga dinakëria e frazave Akademike. Përndryshe, ajo që ishte menduar në kohën e saj për të zhbërë gabimet e rrënjosura thellë tash mund të jetë një pengesë për kultivimin e dijes.

Në kohën e tyre, dëshira e shkollave të ndryshme ishte aq e zjarrtë sa e vetmja që e kishin frikë ishte pranimi i gabimit. Kështu, saherë që dikush, për shkak të këtyre argumenteve, largohet nga një opinion që e kishte konsideruar të palëkundshëm dhe të pathyeshëm, atëherë e kërkon një tjetër dhe e bën këtë me vendosmëri dhe kujdes në përpjesëtim me energjinë e karakterit të tij dhe me të vërtetën e thellë dhe të involvuar që ai ndiente se ishte e fshehur në universin e fenomenit dhe idesë. Por, në ditët e sotme, ka aq shumë prapsje nga përpjekja dhe vlerësim aq të pakët të studimit sa është e mjaftueshme për mendjehollët të deklarojnë se asgjë nuk mund të kuptohet dhe njerëzit pa vonesë heqin dorë nga kërkimi dhe i zhysin veten në errësirën e përjetshme. As ata më të qëndrueshmit nuk marrin mundin të angazhohen në këto studime, duke mos pasur shpresë se do të zbulojnë atë që Carneades3 nuk mund ta zbulojë, pavarësisht studimit të tij të thellë dhe të gjatë, gjenisë së tij, nxënies së madhe dhe të shumëllojshme dhe jetës së tij shumë të gjatë. Dhe nëse ndokush do të përpiqej të heqë qafesh plogështinë, qoftë edhe një çikëz, duke lexuar ato traktate ku dëshmohet se të kuptuarit është i pamundshëm për mendjen njerëzore, do të bjerë në një gjumë aq të thellë sa as trumbeta e mbrame s’do ta zgjojë.    

Për këtë, derisa unë i besoj me qejf opinionit tënd për librat e mi dhe derisa mbështetem te ti plotësisht, se për mua s’mund të ketë të metë në maturinë tënde as hile në miqësinë tënde, të lutem të mendosh për këtë me shumë kujdes dhe më shkruaj nëse je i pajtimit me përfundimin tim në fund të Librit III4, një përfundim që e shoh me shumë me druajtje se sa me siguri, por që mendoj se është në ujdi me faktet ia vlen të besohet. Në fund, cilado qoftë vlera e shkrimeve të mia, kënaqësia ime më e madhe nuk është ajo që ke thënë – se i kam tejkaluar Akademikët, por fakti se i kam thyer prangat më të urryera, të cilat më kishin penguar të shijoja ëmbëlsinë e filozofisë nga dëshpërimi se do ta arrij tek e vërteta. Dhe e vërteta është ushqimi i shpirtit.

Shënime:

1) Jo i njohur përndryshe, përveçse njohja e tij e Akademikëve ishte aq e thellë sa ta bënte Agustinin t’i kërkonte një mendim rreth librit të ri.

2) Akademikët, shkollë e filozofisë e themeluar nga Platoni. Te Rrëfimet (5.10), Agustini shkruan: “Se kjo nxit tek unë trillin se këta filozofë, që ata i quajnë Akademikë, do të duhej të ishin më të mençur se pjesa tjetër, se ata i bëjnë njerëzit të kenë dyshime mbi gjithçka dhe shpallin se asnjë e vërtetë nuk mund të kuptohet nga njeriu”.

3) Filozof i Kirenit, nxënës i stoikut Diogjen, themelues i Akademisë së Re në Athinë. Ai pohonte se shqisat, të kuptuarit dhe imagjinata shpesh na mashtrojnë, prandaj nuk mund të jenë gjykatës të pagabueshëm të së vërtetës.

4) Contra Academicos 3.37-42.

/Marrë nga Saint Augustine, “Letters – volume i (1-82)”, The Catholic University of America Press, 2008

/ Gazeta Express