Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani ka kërkuar që emri i tij të hiqet nga një botim i Universitetit të Prishtinës me titullin “Gjenocidi, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit”, ku ai është bashkëautor.
Hasani ia ka bërë këtë kërkesë Këshillit Botues të UP-së pasi në kopertinën e kësaj përmbledhjeje të jurisprodencës së gjykatave ndërkombëtare mbi gjenocifin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, nuk figuron “Hasan Prishtina”, emri i universitetit.
Në reagimin e tij përmes e-mailit të cilin e ka siguruar Gazeta Express, Hasani ka shkruar se botimi fillimisht ka qenë i konceptuar si botim i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, dhe se ky qëllim “qenka braktisur”. Ai e ka quajtur këtë lëvizje si “ligjërisht krejt pa vend”.
“Siç shihet në kopertinë, emri i UP qenka ndryshuar arbitrarisht. Pak javë më parë kam botuar librin E DREJTA KUSHTETUESE dhe atë me emrin ligjor “Universiteti Prishtinës Hasan Prishtina”. Nuk kam qenë i vetmi që kam qenë kndër ndryshimit të emrit, sepse është bërë në mënyrë arbitrare, okulte, huliganeske dhe krejtësisht për motive të ulëta. Kjo nuk është arsye, megjithatë, që ne të ndryshojmë emrin e universitetit ku punojmë në mënyrë arbitrare, okulte, huligansle dhe krektësisht për motive të ulëta. Dy arsye janë pse nuk duhet ta bëjmë këtë: e para, sepse jemi Fakultet i Drejtësisë që prej fillimi qenë fytyra krenare e juristit kosovar; dhe, e dyta, sepse mbi të gjitha nuk ekziston një vendim i organit ligjërisht të autorizuar për një gjë të tillë – ndryshim të emrit të tanishëm të universitetit tonë”, ka shkruar profesori.
Më poshtë, reagimi i plotë i profesorit Enver Hasani ndaj kolegëve të tij:
Përshëndetje të nderuar kolegë,
Unë lexova email-in me kujdes, i cili paska ngritur çështje krejtësisht ligjore. Shumë me vend! Edhe përgjigja ime dhe komentet janë me përmbajtje ligjore, me kuptim respektimin e ligjit dhe dinjitetit të njeriut. Të atij njeriu – siç e thotë rektori i ndjerë Ejup Statovci, në parathënien e një libri të tij për ndryshimet kushtetuese të vitit tanimë të largët 1988 – që duhet të jetë në qendër të mbrojtjes dhe vëmendjes kushtetuese.
Kur kam kam hy në këtë projekt, qëllimi ka qenë që një grup ekspertësh nga Faktulteti Juridik të pëpunojnë për lexuesin shqip rastet kryesore të krimit të gjenocidit nëpër botë si dhe të krimeve të tjera kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombtare humanitare. Botimi ka qenë i konceptuar si botim i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, nga një grup autorësh, në mesin e të cilëve kam qenë edhe unë. Ky qëllim fillestar qenka braktisur dhe atë për dy arsye, ligjërisht krejt të pa vend!
Siç shihet në kopertinë, emri i UP qenka ndryshuar arbitrarisht. Pak javë më parë kam botuar librin E DREJTA KUSHTETUESE dhe atë me emrin ligjor “Universiteti Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ ” . Nuk kam qenë i vetmi që kam qenë kundër ndryshimit të emrit, sepse është bërë në mënyrë arbitrare, okulte, huliganeske dhe krejtësisht për motive të ulta. Kjo nuk është arsye, megjithatë, që ne të ndryshojmë emrin e universitetit ku punojmë në mënyrë arbitrare, okulte, huliganske dhe krejtësisht për motive të ulta. Dy arsye janë pse nuk duhet ta bëjmë këtë: e para, sepse jemi Fakultet i Drejtësisë që prej fillimit të tij nën komunizëm, ka qenë fytyra krenare e juristit kosovar; dhe, e dyta, sepse, mbi të gjitha, nuk ekziston një vendim i organit ligjërisht të autorizuar për një gjë të tillë – pra, për ndryshim të emrit të tanishëm të universitetit tonë.
Nëse ka ndonjë vendim të tillë, atëherë duhet të dihet publiksht: nuk ka asnjë faj patrioti e heroi i Kosovës, Hasan Prishtina, që huliganë e rrugaçë ordinerë herë ia vejnë e herë ia hjekin emrin sipas tekeve dhe për qërim të haspeve të tyre të vjetra e të reja me liderët politikë.
Emri i Hasan Prishtinës vetëvetiu paraqet aset dhe krenari kombëtare edhe për faktin se libri ka të bëj me gjenocid, të cilin Hasan Prishtina e ka parë në një version edhe më brtual se ne disa që e pamë së voni: Hasani e gjenerata tij e panë atë në një kohë kur krejt Evropa ishte me Serbinë. Ky autor ka pasur rast të shoh me sytë e tij – dhe i ka në posedim kopjet e origjinalit – peticionet e Hasan Prishtinës, Bedri Pejanit, Iliaz Vrionit, Shtjefën Gjeçovit dhe patriotëve të tjerë, dërguar Lidhjes së Kombeve në Gjenevë për masakrat ndaj shqiptarëve. Atëherë akoma nuk ka ekzistuar kategoria e krimit të gjenocidit dhe as e krimeve të luftës.
Për hirë të vendit që ka në historinë tonë kombëtare Hasan Prishtina, nuk do të doja, siç e thotë populli, “as në parajsë të shkoj me këdo që turpërohet nga emri i tij!”. U muar vesh, kjo nuk është arsye e vlefshme pse nuk dua që emri im të figuroj në këtë përmbledhje. Arsyeja e parë dhe kryesore ka të bëjë me faktin se emri i saktë ligjërisht për momentin është “Universiteti Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ “. Edhe sikur të ndryshohet sot, ne që jemi juristë e dimë që vendimi ose norma e përgjithshme duhet të tregoj për fatin e botimeve dhe procedurave që janë nisur me sistemin e vjetër normativ. Deri atëherë ju bëj me dije se nuk pranoj që emri im të jetë në një kontribut aq me rëndësi për vendin, por që ka të meta serioze ligjore.
Kjo mund të duket një hiç, si diçka formale, por besoj se romakët kanë pasur të drejtë kur kanë insistuar në maksimën “forma dat ese rei”, siç e ka vëretuar shekuj më vonë John Rawls në teorinë e vet për drejtësinë.
Arayeja e dytë, po aq me rëndësi, ka të bëj me diskriminimin, të cilin nuk duhet ta lejojmë në mesin tonë. Më sipër shpjegova për qëllimin e botimit të librit. Ai qëllim bie në momentin kur dikush nga grupi ik dhe mendon të botoj pjesën e vet ndaras si monografi. Unë e kuptoj Avniun që i duhet për avansim, por atë të drejtë duhet ta kenë të gjithë autorët e grupit. Dihet që unë nuk e kam këtë për vete: jam profesor i rregullt kaherë, dhe kam botime shumë më shumë se kërkohet, si në vend ashtu edhe në botën e jashtme. Këtë reagim e bëj për parim kushtetues që mbron dinjitetin e secilit dhe nuk lejon diskriminim në asnjë bazë. Për këtë arsye – edhe sikur të ndryshohet emri i tanishëm i universitetit tonë – nuk pranoj që emri im të figuroj në një libër diskriminues vis-a-vis kolegëve të tjerë. Qëllimi dhe marrëveshja fillestare ka qenë siç e përshkruajta më sipër dhe këtë e dinë të gjithë.
Më lejoni në fund fare të falenderoj nga thellësia e zemrës financuesin e këtij projekti, si dhe Afërditen si menaxhere e tij, por edhe krejt juve dhe të tjerët që na ndihmuan tërë kohën e shkrimit të librit.
Me shumë respekt!
Enveri