Enesa Xheladini me ekspozitën “Njihe vetveten” në Hanin e dy Robertëve - Gazeta Express
string(68) "enesa-xheladini-me-ekspoziten-njihe-vetveten-ne-hanin-e-dy-roberteve"

Arte

Gazeta Express

26/06/2025 16:11

Enesa Xheladini me ekspozitën “Njihe vetveten” në Hanin e dy Robertëve

Arte

Gazeta Express

26/06/2025 16:11

Sot në “Hani i dy Robertëve” nga ora 19:00 hapet ekspozita “Njihe vetveten” me autore Enesa Xheladini dhe kurim të Shkëlzen Maliqit.

Shkëlzen Maliqi

Enesa Xheladini hulumton themelet e vizualitetit, duke veçuar pikën dhe vijën si elemente bazë në gjeometri, arkitekturë dhe arte pamore. Konceptualisht shquhet vepra e saj me vizatime minimaliste të bëra me lapsa grafiti, e realizuar si ndërmarrje monumenatale në kohë (vitet 2014 – 2020), e përbërë nga 12 fletore (9 x 12 cm), të mbushura dendur me rreshta të tërë të përsëritjes të pikave dhe vijave. Fletoret i kanë 224 faqe, secila si kapitull në vete me rrëfenjëza abstrakte të një ritmi si i frymëmarrja që s’ndalet, pos shkurtazi te kapëciki i faqeve dhe kapakët e fletoreve që përmbyllin episodet e rrëfimit.

Një goxha punë për Enisën me i vizatue, durueshëm dhe pa nge, dora vetë, ato qindra mijëra shenja. Kur e shfleton lumin e insklripcioneve të kaplon ndjenja e zhytjes në oqean shumësie të pamatshme të së njëjtës, por që ka rrymime të brendshme me refraktime simultane të strukturuara në zinxhir, ose rruzare lutjesh për gjetjen të qetësisë dhe harmonisë shpirtërore. Edhe pse 224 faqet janë përsëritje trajtash të së njëjtës, ato nuk janë stampa mekanike me uniformitet industrial, por burojnë nga dorëshkrimi individual. Enesa e thekson edhe vetë dimensionin introspektiv të vizatimeve, sepse janë regjistruese të një procesi tensio-kardio-matës, që veprën e bëjnë si një rruzare lutjesh që emërtohet “Njihe vetveten!”

Nga viti 2019, Enesa ka filluar vetësfidimin e njohjes të vetvetes edhe në mediumin pak më kompleks, në pikturës. Formulën e përsëritjes të elementeve bazë në fletore nuk bartej lehtë në pikturë. Nëse procedimi te fletoret të kujton sentencën latine “Nulla dies sine linea” (në shqip: mos e lë asnjë ditë pa e bërë një vijë), ku Enesa përditë i ka bërë më shumë se një, te piktura formula nuk funkciononte thjeshtë si zgjatim. Andaj eksplorimet e saja në pikturë shkonin në dy drejtime. Së pari ajo u përqendrua te elementet dalluese materiale të pikturës: cilësia e pëlhurës dhe plasticiteti dhe simbolika e ngjyrave elementare (e zeza, e bardha…) ku ajo nuk kujdesej për konceptim holistik të pikturës (gjetja e kompozicionit të balancuar), por e kërkon që në prapaitë monokrone të pikturave, që ndarë në kolana horizontale ose vertikale, të bëjë depozitime të shtresave me ngjyra vaji bazike jo vetëm me brusha por edhe shpatulla të vogla, ku këto ngjyra (e zeza, e bardha, oker, ngjyrë vjollce) i bën të trasha, madje i ngurtëson, duke krijuar prej tyre minirelief kontiunuel pikash dhe vijash që bëjnë hije ose spërkasin shkëlqime me çka piktura spontanisht “vetëstrukturohet”. 

Megjithatë, ky efekt nuk është krejtësisht i pakontrolluar, vetëm se procedimi i artistes nuk synon që ato të dalin doemos të pëlqyeshme, por e nxjerr një vizion të sinqertë pajtimi me ndjenjat vetanake shpirtërore, që pikturën, si edhe më parë vizatimet, i trajton si psikogram peresonal.

Por, nga ana tjetër, nuk është se Enesa nuk di të bëjë edhe piktura të pëlqyeshme dhe me thjeshtësi dhe harmoni mbresëlënëse që p.sh. i shohim te cikli i pikturave me rrathe, që janë shumë afër me stil dhe qasje minimaliste me drejtimin tashmë e afirmuar të artit abstrakt gjeometrik. Te këto vepra artistja arrin një sintetizim të përvojës introspektive me trajtat e përkryera universale. Pa dyshim, Enesa Xheladini është duke e zhvilluar një staturë të një krijueseje tejet premtuese.