Ëndrrat e një Vere - Gazeta Express
string(18) "endrrat-e-nje-vere"

Arte

Donjeta Abazi

29/09/2022 18:15

Ëndrrat e një Vere

Arte

Donjeta Abazi

29/09/2022 18:15

Vera ëndërron një dalje nga vorbulla e varfërisë. Vera ëndërron të ardhmen më të mirë për vajzën e mbesën e saj. Vera ëndërron një shkundje patriarkati. Vera e ëndërron detin

Nga: Donjeta Abazi

Lexo Edhe:

Drama e një familje nga Kosova përçon lehtësisht një ide të realitetit të një jete depresive në vend. Vera është një mesogrua, mban një punë në televizion, ka profesion gjuhën e shenjave, jeton me burrin e saj në një banesë bashkë me mykun, ka në njëfarë mënyre ca kushte jetese, ama jo jetesë të ëndrrave të saj. Vera ka një vajzë të vetme, e cila mban punën e një aktoreje teatri, ka një vajzë të vogël dhe bën një jetë mes varfërisë tradicionale prishtinase, dëshirës së saj për ta mbajtur vendin e punës dhe dashurisë me një regjisor.

Filmi hapet me skenën e Verës, e cila po bën gati bakllavanë për ditëlindjen e burrit të saj. Megjithatë, atë do ta gjejë të vetëvrarë në banjën e banesës. Vera nuk e kalon dhimbjen për humbjen e bashkëshortit, sepse veç varri i vuajtjes së saj nuk ka kohë, të paktën jo njëherë për njëherë. Para dhimbjes së Verës për humbjen e bashkëshortit vjen tradita e vizitave të miqve të familjes, lotët e vajtimet e tyre koti dhe kërkesa e njërit nga familjarët e gjerë për ta bartur mbi vete pasurinë e lënë nga i ndjeri. i cili ka lënë pas vetes një shtëpi fort të keqe, në rrënim e sipër, në një fshat të harruar nga zoti. Mirëpo, jo nga autostrada dhe interesi shtetëror. Vlera e shtëpisë rritet kur paralajmërohet ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup.

Ahmeti (Astrit Kabashi), është një familjar nga trungu i bashkëshortit të Verës, i cili nuk kursen kohë, kërkon shtëpinë, gjoja si amanet nga i ndjeri.

Vera është një grua, një grua e fort, një grua që nuk dorëzohet lehtë, që gjithë hapat në jetë i bën një pas një e shumë qetë, njëjtë reagon edhe me situatat e krijuara së fundmi.

Vera nuk e nënshkruan një marrëveshje për të cilën nuk është e sigurt që është bërë, ani pse nga vjen ajo e nga vjen kërkuesi i shtëpisë, trashëgimia nuk do t’i lihet në asnjë rrethanë vajzave veç djemve.

Por, ajo mendon ndryshe. Pasurinë e lënë nga i shoqi dëshiron t’ua bartë vajzës e mbesës së saj.

Në film janë të përfshirë Ahmeti, familja e tij, një avokat, mik i bashkëshortit të saj, prej të cilit Vera kërkon ndihmë. Një rol periferik kanë një grumbull burrash që kujdesen t’ua tregojnë vendin grave, të përcaktojnë kujt i takon pasuria, sipas kanunit dhe amaneteve të një burri.

Ngjarja është e tillë. Vera në njërën anë, Ahmeti që po kërkon që ajo ta nënshkruajë kontratën që do t’ia dhurojë shtëpinë atij, vajza e Verës që po vuan vdekjen e babit dhe kjo po i kushton me humbjen e rolit kryesor në teatër dhe në fund avokati, i cili gjatë gjithë kohës po gënjen dhe mashtron.

Vera e kupton që bashkëshorti e kishte humbur shtëpinë në bixhoz; e kishte futur në hipotekë dhe e kishte humbur. Bashkëshorti i Verës gjithë jetën kishte qenë kumarxhi. Pas humbjes së tillë, pas jetës të varfër e pas pamundësisë për t’i ofruar familjes diçka më shumë, zgjedh egoizmin, largohet, vetëvritet.

Ahmeti arrin që ta marrë për vete shtëpinë, edhe ai është i zhytur në borxh, edhe ai do të fitojë para për ta shlyer egoizmin. E në gjithë këtë mes është edhe avokati, i cili tradhton dhe që kishte qenë i pranishëm në natën e kumarit kur ishin bërë gjithë pazaret.

Pak a shumë kjo është ngjarja e filmit “Vera ëndërron detin”. Film me regji të Kaltrina Krasniqit, skenar të Doruntina Bashës, me producent Shkumbin Istrefin dhe aktorë: Teuta Ajdinin, Astrit Kabashin, Refet Abazin, Aleta Sylajn, Ilire Vincën, Arona Zyberin etj.

Po çka themi ne nga pikëpamja e një audience krejt të thjeshtë të ngjarjes që fitoi shumë cmime ndërkombëtare?

Vera andrron

Diçka që nuk i kushton Verës është të ëndërrojë. Një koktej buzë detit, hiç-hiç së paku një pjesë shalqiri që mund t’ia ofrojnë. Ajo e përbuz faktin që nuk ka para të mjaftueshme në dyqan dhe mbetet borxh, shpërfill faktin së shtëpia po vishet nga myku, se vajzës saj i kanë ndërprerë energjinë, ajo shpërfill varfërinë njëjtë siç mundohet ta shpërfill patriarkatin dhe faktin që vajza e saj po e ngulfat me akuza të një gruaje që kurrë nuk i mësoi më shumë së sa rolit të gruas tipike shqiptare. Ajo është e qetë, nuk ka momente kur thyhet, Vera nuk thyhet kurrë. Megjithatë, një herë po. I gjithë publiku me të. Vera të mban me shpresën që do t’ia dalë në fund, se do ta prekë plazhin e detit, do t’i përqafojë ëndrrat siç e përqafon një i burgosur lirinë në momentin kur e kalon derën e objektit. Ama një herë gjatë filmit ajo e lëshon veten, kur vajza e saj është në rrezik, sepse okupuesit e shtëpisë e godasin me veturë. Aty pastaj Vera na thyen ne si publik, e thyen paktin e gruas se qetë, gruas që kërkon paqen mes vorbullës së pabesisë. Çdo lot i Verës vret, na vret si shoqëri, na vret si kolektiv, na vret si individ, na vret si mendësi, na vret si e ardhme.

Kanuni i (pa)drejtë

Pasuria e lënë, i takon djalit. Pasuria e pa lënë i takon djalit. Toka i takon djalit. Shtëpia i takon djalit. Çka nuk i takon djalit? Çka i takon vajzës?

Ligjet e bëra për ndarje të pasurisë janë të drejta për shumicën, për të gjithë që kanë fuqi mbi diçka e dikë, këto ligje janë të padrejta veç për gratë, për vajzat. Sepse veç gratë nuk ndajnë, veç gratë, nuk kanë fuqi mbi dikë e diçka. Vera po, gratë si Vera rrënojnë realitete të tilla të pakontestueshme për shekuj me radhë, rrënojnë ose së paku mundohen.

‘Vera ëndërron detin’, ka si shkas vuajtjen e një gruaje për të drejtën që i takon dhe pasojë një gabim egoist, një shoqëri egoiste, disa ligje që as kanë arsye e as bazë, ama janë aty, së i krijuan të fortit.

Vera gëzon një triumf në fund. Bashkë me vdekjen bashkëshorti i saj do ta marrë me vete edhe shkatërrimin e reputacionit të tij. Reputacionin njëjtë nuk do ta gëzojë as avokati që gjoja mundohej t’i ndihmonte Verës gjatë gjithë kohës, ai do të mbahet në burg në fund. Ky është triumfi i Verës, kaq mundi të bëjë Vera, e cila do të bënte më shumë sikur i shoqi i saj mos ta mbillte vesin e kumarit në vete aq keq e aq dëmshëm.

Kinematografia e grave që flasin

“Vera ëndërron detin”, “Zgjoi”, “Tri dritare e një varje”, janë tre filmat në të cilat temat ndryshojnë, veç diçka në thelb mbetet e njëjtë: gratë që flasin. Pabarazia është e njëjtë, paragjykimet janë të njëjta, dhimbjet janë të njëjta, ama edhe lufta e grave që të mos nënshtrohen është e njëjtë. Kinematografia e Kosovës, viteve të fundit i ka bërë vend vetes jashtë kufijve të Kosovës, por jo krejt rastësisht. Gratë kanë dorë në këtë mes, kanë një rol të madh, një rol që i zhvesh nga ideja historike e gruas kosovare, që i kap si magnet dhe pashkoqitshëm i vendos mes emrave të regjisorëve të huaj, aty ku takojnë, aty ku flasin, aty ku rrëfejnë një tregim që kurrë nuk është i hiperbolizuar.

Vera e dimrit kosovar

Vera jeton në një Prishtinë, pa perspektivë; Vera jeton në një Kosovë të dimrit të mentalitetit që nuk përparoi thuajse asnjëherë në thelb. Fshatrat e thella janë në gjendje mjerimi kur vjen puna tek mentaliteti dhe kjo nuk ka ndërruar, ani pse shpesh herë dëshirojmë të besojmë ndryshe. Vera nuk ndërron në këtë projekt filmik shumë, ama ndërron shumëçka në të njëjtën kohë. Ajo tregon se çfarëdo që do të ndodhë, qëndrimin e saj, punën e saj, të drejtën e saj do ta mbrojë gjithmonë, deri në pikën e fundit. Vera me gjithë fuqinë e një gruaje të palëkundur do ta mbronte edhe të drejtën për pronën e të shoqit në fshat, veç nëse do të kishte përnjëmend bazë dhe të mos kishte gabime të bashkëshortit që ia la barrë edhe pas vdekjes bashkë me dhimbjen.

Nuk ka më ëndrra, veç det

Skena e fundit e filmit, është një ëndërr gjysmake e realizuar. Vera e shijon copëzën e shalqirit, në plazh, në det, veç pa të shoqin. Fundja mes mosrealizimit të marrjes së shtëpisë, këtë e meritonte roli kyç i filmit, një pikë lumturie në fund, një lloj triumfi. E arritura e Verës është që në botën që e rrethon, e ruan karakterin e saj të fortë, bindjen e saj, qetësinë e një nëne racionale e gjysheje të dashur. Mes asaj botës së saj të shenjave, njerëzve shurdhmemec, kanunit e gabimeve të familjarëve të saj ajo mbetet po e njëjta. Mbetet Vera e cila me pak pasuri të marrë nga e ëma (assesi nga i ati) kishte zbarkuar nga një vend i largët, në Prishtinë, kishte fituar vetë punën e saj dhe vetë po mbijetonte që nga ajo kohë.

Ndërlidhja e botës së egër, depresive, të varfër, plot kumar e papastërti shpirtërore, Vera zgjedh botën e të shurdhërve, për ta kapur paqen. Puna e saj është humanizëm gati më shumë së punë. Gruaja me theksin e butë, të përzier mes të folurës së Kosovës e Maqedonisë, kap thjeshtë e lehtë zemrën e një të mbijetuari të mentalitetit patriarkal.

Përfundim

“Vera andrron detin” do të flasë për gratë e Kosovës, për fshatrat e thella, për pasionin e një vajze për teatrin, për artin tonë. Ky film do të tentojë t’i dërgojë botës mesazhin që arti dhe kamera kapin edhe momentet e vështira i shndërrojnë në kurajë e guxim dhe rendisin të dyja këto para syve të miliarda njerëzve.

Vera e ka blerë bakllavanë, nuk e ka gatuar, nuk e ka harruar shporetin dhez (edhe pse mes këtyre do ta zgjidhte shporetin e jo bakllavanë) për të shoqin, i cili, në atë kohë të blerjes, po kryente aktin e vetëvrasjes, aktin e ndaljes së mëkatit. Vera nuk e ka harruar shporetin dhez, as ëndrrën e saj për det.

/Gazeta Express