Ferizaj ka shënuar fitore të madhe me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Suharekës në kuadër të javës së 32-të në elitën e futbollit kosovar.
Pjesa e parë e takimit ishte tejet e vakët me shumë pak raste shënimi andaj ajo u mbyll me rezultat të barabartë 0-0.
Të gjithë golat e kësaj sfide u shënuan në pjesën e dytë, me mysafirët të cilët ishin më të saktë përballë portës për të marrë fitoren e madhe.
Për t’i dhënë epërsinë Ferizajt u përkujdes Valmir Nafiu i cili realizoi për rezultatin 1-0 në minutën e 58-të.
Vendasit reaguan në minutën e 78-të, duke arritur që të barazojnë shifrat në 1-1 me anë të Fitim Susurit.
Ky gol i pësuar duket se motivoi të besuarit e Arsim Abazit, pasi ata gjetën edhe golin e dytë, kësaj radhe përmes Marko Musulin i cili realizoi me kokë për 2-1 pas asistimit të Qlirim Avdullit.
Kjo fitore e Ferizajt i çon ata në kuotën e 48 pikëve, duke u barazuar kështu me Malishevën e vendit të tretë me po aq pikë.
Në këtë mënyrë, ‘Ujqit’ kanë hapur seriozisht luftën për kualifikim në Evropë dhe përfundimi i kampionatit pritet të jetë më interesant se asnjëherë më parë./GazetaExpress/