Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ende nuk ka marrë një vendim për të mbajtur sulmuesin Gonzalo Garcia Torres në skuadër, pavarësisht formës së tij mbresëlënëse në Kupën e Botës për Klube.
Alonso madje e krahasoi atë me legjendën e Real Madridit, Raul Gonzalez, por pranoi se e ardhmja e tij mbetet ende e pasigurt.
Pas golit të dytë në tre ndeshje të shënuar ndaj RB Salzburg, me të cilin mbylli fitoren 3-0 për Realin, Alonso e lavdëroi fuqishëm lojtarin.
“E njihja mirë që më parë, sepse e kam ndjekur prej kohësh. Prandaj për mua nuk është befasi, ai gjithmonë e lexon lojën mirë. Në disa gjëra më kujton Raulin, është një numër nëntë klasik. Është gjithmonë në pozicion të mirë, punon për ekipin. Dhe kur lojtarët nga Castilla marrin shansin, luftojnë për të. Por ne po e shtyjmë që të përmirësohet edhe më shumë.”
Megjithatë, kur u pyet nëse Garcia është në planet e tij për sezonin e ardhshëm, Alonso u tërhoq nga dhënia e një përgjigjeje të prerë:
“Nuk ka ende një vendim për sezonin e ardhshëm. Jemi të fokusuar në Kupën e Botës për Klube me lojtarët që kemi. Sigurisht që kjo garë të tregon diçka, por vendimet nuk janë marrë ende.”