EMRI QË U SHNDËRRUA NË SIMBOL - Gazeta Express
string(29) "emri-qe-u-shnderrua-ne-simbol"

EMRI QË U SHNDËRRUA NË SIMBOL

Gazeta Express

08/03/2020 14:32

Shkruan Agim Vinca

E nderuara familje Jashari, me kryfamiljar bacën Rifat,

Lexo Edhe:

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Të nderuara autoritete të vendit: Kryeparlamentare Osmani, Kryeministër Kurti, Zëvendëskryeminstër, ministra, deputetë e të tjerë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj!

Njëzet e dy vjet më parë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në fshatin Prekaz i Poshtëm të Drenicës, ndodhi një bëmë madhështore: një familje luftoi me një shtet dhe një ushtri. Ranë therorë njëzet anëtarë të kësaj familjeje, burra e gra, pleq e të rinj, edhe fëmijë. Në historinë e njerëzimit rrallë ka ndodhur që një familje e tërë të flijohet për lirinë e vendit. Sakrifica sublime e familjes Jashari është pothuajse rast unik në botë.

Edhe dy herë të tjera më parë, më 30 dhjetor 1991 dhe më 22 janar 1998, policë e udbashë e kishin rrethuar kullën e Jasharëve, por të dy herët ishin kthyer me turp e humbje.

Pas rrethimit të dytë, të 22 janarit ‘98, pushteti serb, nëpërmjet emisarëve të tij, u kishte ofruar Ademit dhe Hamzës garanci për t’u larguar nga Kosova, por ata, natyrisht, nuk kishin pranuar, sepse nuk ishin të sojit të atyre që braktisnin rrugën në të cilën ishin nisur, e aq më pak tokën që i kishte lindur dhe i kishte rritur.

Nuk e kishin veshur uniformën me emblemën “UÇK” që ta zhvishnin dhe nuk i kishin ngjeshur armët që t’i dorëzonin. Jo. Të mbruajtur me dashurinë për atdheun, për Shqipërinë, pjesë të së cilës ata e konsideronin edhe Kosovën, vëllezërit Adem e Hamzë Jashari, babai i tyre, Shaban Jashari dhe gjithë të tjerët, ishin të vendosur të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut.

Lufta ishte e pabarabartë, tmerrësisht e pabarabartë, por kjo e bënte edhe më madhështore atë, e bën, ashtu siç u quajt me të drejtë: Epope. Epopeja e UÇK-së, e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe e gjithë familjes e lagjes Jashari, ku për një çast u ngjesh si me magji e tërë drama tragjike e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit amë, Shqipërisë, si pasojë e pushtimeve të shteteve fqinje gjatë Luftërave Ballkanike dhe e vendimeve të padrejta të fuqive të mëdha evropiane në Konferencën e Amasadorëve në Londër më 1912/13.

Epopeja e Prekazit bëri kthesë në historinë e Kosovës, duke e ndërruar rrënjësisht kahjen e saj. Ajo rimëkëmbi shqiptarët, ringjalli moralin dhe krenarinë e tyre të nëpërkëmbur dhe i tregoi botës se këtu jetonte një popull që ishte i gatshëm të sakrifikohej për lirinë e vet.

Okupatori kësaj here i kishte bërë, si thuhet, hesapet pa hanxhinë. Duke e goditur familjen Jashari, këtë çerdhe të rezistencës, të cilën e kishin halë në sy, krerët e Beogradit kishin menduar se do ta frikësonin popullin e Kosovës dhe do ta detyronin të hiqte dorë nga synimi i tij liridashës. Por ndodhi krejt e kundërta. Populli i Kosovës dhe mbarë Kombi Shqiptar, brenda e jashtë, u ngrit në këmbë: doli në rrugë e sheshe, duke protestuar fuqishëm kundër dhunës dhe terrorit shtetëror të regjimit serb, kurse radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u mbushën me luftëtarë të rinj, djem e vajza, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga viset e tjera shqiptare dhe nga diaspora. 

Kombi që të mbijetojë ka nevojë për sakrifica. Kombet kanë nevojë gjithashtu edhe për simbole. Adem Jashari është një simbol i madh i kombit shqiptar, që si i tillë është bërë pjesë e memories kolektive dhe e panteonit të heronjve të kombit – nga Skënderbeu, Abdyl Frashëri e Ismail Qemali e gjer te Isa Boletini, Bajram Curri e Azem Galica. Të tillë e bëri jeta, lufta dhe vdekja e tij heroike me përmasa legjendare.[1]

“Babai i poezisë”, Homeri, krijuesi i Iliadës dhe Odisesë, në këngën e dytë të Iliadës,thotë se për të kënduar lavdinë e atyre që luftuan në Trojë nuk mjaftojnë “dhjetë gjuhë dhe dhjetë gojë”.

“Të gjithë kreshnikët që në Trojë luftuan/ nuk do të mundja t’i përmend me emër,/ sikur dhjetë gjuhë edhe dhjetë gojë të kisha” – thotë rapsodi i verbër, por largpamës, “ati i vjershës”, duke ftuar në ndihmë Muzat e Olimpit, të bijat e “Zeusit shqytamadh”. Për të përshkruar atë që ndodhi në Prekaz njëzet e dy vjet më parë, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, nuk mjaftojnë jo dhjetë, por as njëqind gjuhë dhe njëqind gojë… Njëzet anëtarë të familjes Jashari, nga mosha 7-74 vjeç, ranë duke mbrojtur pragun e shtëpisë, që ishte edhe prag i atdheut, vatër e lirisë. Nuk do mend se një akt i tillë, gati jashtë kufijve të normales, është sa tragjik, po aq edhe heroik, dramë dhe tragjedi njëkohësisht. Dhe kjo dramë nuk ndodhte në kohën e Homerit, në antikë, kur luftohej me shpatë e shqyt, e as në mesjetë, por në fund të shekullit XX, midis Ballkanit dhe Evropës.

Ata ranë që ne të jetojmë të lirë, në shtetin tonë të pavarur e demokratik, të krijuar me shumë mund e sakrifica, në radhë të parë në saje të luftës së armatosur të bijve më të devotshëm të këtij populli, të luftëtarëve të UÇK-së, sepse këngën e lirisë, si thoshte Noli, “asnjë saze s’e këndon si dyfeku”, pa mohuar as përpjekjet me karakter politik e diplomatik, para, gjatë dhe pas luftës, si dhe ndihmën e miqve tanë në botë, të atyre që i quajmë “aleatë strategjikë”, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të Bashkimit Evropian. 

Po, ku gjendet Kosova 22 vjet pas rënies së Jasharëve, në ç’gjendje është ajo sot, në mars të vitit 2020?

21 vjet pas çlirimit dhe 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ndodhet në një gjendje të rëndë ekonomike, politike dhe sociale, si pasojë e keqqeverisjes shumëvjeçare. Qeveria e re, e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, po bën përpjekje t’i ndërpresë trendet negative në shoqëri – kjo është evidente, por ajo nuk ka shkop magjik për t’i zgjidhur problemet brenda natës. Situata e brendshme jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë hapësirën shqiptare, është thënë më së buti e paqartë, kurse konteksti ndërkombëtar delikat. Pozita ndërkombëtare e Kosovës sot duket sikur kurrë s’ka qenë më e pavolitshme. Serbia vazhdon fushatën e saj kundër Kosovës, duke lobuar për çnjohjen e saj si shtet, kurse bashkësia ndërkombëtare dhe në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vend që t’i inkurajojnë përpjekjet për shtet ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, kërkojnë në mënyrë apodiktike vazhdimin e dialogut, heqjen e menjëhershme të tarifës dhe mosaplikimin e parimit të reciprocitetit, duke i krijuar kështu favore agresorit. Si qytetar i këtij vendi dhe si intelektual shqiptar nuk mund të mos them se kjo qasje më duket e padrejtë, madje tejet e padrejtë.[2]

Sikur ky zell i autoriteteve amerikane të ishte i orientuar tjetërkah, ta zëmë, kah lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, kundër privilegjeve të pushtetarëve, do të ishte një mrekulli. Por, fatkeqësisht, hëpërhë nuk po ndodh kështu. Asnjë fjalë e mirë për hapat që po bëhen në këtë plan, asnjë inkurajim. Urdhër i ditës është bërë dialogu me Serbinë; heqja e menjëhershme dhe e plotë e taksës dhe mosaplikimi i parimit të reciprocitetit, në emër të vazhdimit të dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. S’ka njeri normal që është kundër një marrëveshjeje përfundimtare me shtetin fqinj, Serbinë, që do të ishte në të mirën e të dy popujve dhe sidomos të brezave që vijnë. Por, me cilën Serbi? Me dishepujt e Sheshelit dhe të Millosheviqit, që jo vetëm nuk kanë kërkuar as gjysmë faljeje për krimet në Kosovë, por edhe i mohojnë ato në vazhdimësi,  ndërkohë që vazhdojnë me fushatën kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për çnjohjen e saj si shtet.

Amerika është e madhe, kurse ne jemi të vegjël. Por, miqtë tanë amerikanë, siç e kishte zakon të thoshte mësuesi i madh i lirisë, baca Adem, Adem Demaçi, frymëzuesi i Adem Jasharit dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë, duhet ta dinë se nuk ka popull më proamerikan në Evropë e, madje, as në botë, se shqiptarët, edhe pse në pikëpamje konfesionale me shumicë myslimane. Serbia e sotme e Vuçiqëve dhe Daçiqëve, sikurse ajo e djeshmja e Sllobodanëve dhe Kushtunicave, edhe kur flirton me Amerikën për interesa të vetat, sytë i ka nga Rusia, me ndihmën e së cilës e ka aneksuar Kosovën dhe viset e tjera shqiptare para njëqind e sa vjetësh. 

Pozitë e opozitë duhet t’i bashkojnë forcat, qeveri e presidencë, shoqëri civile e inteligjenci, për t’i shtyrë përpara proceset, sepse ndërtimi i shtetit nuk është punë e lehtë. Këtë e kërkon populli i Kosovës; të gjithë ata që ranë për lirinë e saj; edhe sakrifica sublime e familjes Jashari e para njëzet e dy viteve.

Përvjetori i “Epopesë së UÇK-së”, është një rast për të gjithë ne dhe para së gjithash për politikanët tanë, për të nxjerrë mësim dhe për të dhënë ndonjë mesazh.

Krerë institucionalë të Republikës së Kosovës, President, Kryeministër, Kryekuvendare dhe ju të tjerët, që jeni apo s’jeni në këtë sallë, bëhuni bashkë dhe flisni me një zë! Kjo është sakrifica që kërkohet sot prej jush. Koordinim, bashkërenditje, marrëveshje, quajeni si të doni, por unifikoni qëndrimet në raport me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare, për hir të Kosovës dhe ardhmërisë së saj. Edhe duke i bashkuar forcat e qëndrimet nuk do ta keni, nuk do ta kemi lehtë si shihet, por të përçarë e me veprime kryemëvete humbjen e kemi të sigurt.

Do të mund të flitej gjatë për situatën në Kosovë dhe problemet me të cilat ballafaqohet ajo, por nuk po e zgjas më shumë për të mos e prishur atmosferën e kësaj mbrëmjeje përkujtimore kushtuar Epopesë së UÇK-së, Familjes Jashari dhe komandantit të shndërruar në  legjendë Adem Jashari.

I vetëdijshëm se për të folur për atë që ndodhi në Prekaz njëzet e dy vjet më parë nuk mjaftojnë jo dhjetë, sa na është lënë në dispozicion, por as njëqind minuta, më lejoni ta mbylli këtë fjalë timen modeste me vargjet e një poezie kushtuar Prekazit, të shkruar me rastin e vizitës sime të parë në këtë vend pelegrinazhi, në qershor të vitit 1999.

HOMAZH PËR PREKAZIN

Prekazi s’ka godina të mëdha

as pirgje e kambana madhështore.

Prekazi ka kullën e vjetër të goditur nga predhat

dhe kullën e re tek përkunden djepat.

Pa harruar, sigurisht, as varret.

Ah, varret!

Prekazi s’është Trojë, as Çanakala a Termopile.

Prekazi është një fshat i thjeshtë, që lind e vdes shqip

dhe luftën e bën luftë –  pa hile!

            Ju falemnderit!

            Prishtinë, 6 mars 2019


[1] Një luftëtar, një kryeluftëtar, që, për çudi, ende nuk ka shtatore në kryeqytetin e shtetit që lindi nga gjaku i tij!

[2] Le të kujtojmë se diplomati amerikan, Gelbart, e pati quajtur UÇK-në nvitin 1998, në ambasadën e SHBA-ve në Beograd, “organizatë terroriste”, por më vonë kjo qasje ndryshoi.