Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, duke vënë në pranga një 41-vjeçar të dyshuar për përfshirje në trafikimin e armëve të zjarrit.
Si rezultat i një pune të mirorganizuar nga shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale të Hetimit në DVP Lezhë, u arrestua shtetasi Ritvan Keqi, 41 vjeç, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga DVP Tiranë në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle”, zhvilluar rreth 3 muaj më parë për goditjen e një rrjeti kriminal që trafikonte armë zjarri nga Kosova në Shqipëri. Gjatë këtij operacioni, janë sekuestruar 14 armë zjarri.
Veprimet e mëtejshme procedurale ndaj Ritvan Keqit do të kryhen nga strukturat e DVP Tiranë, ndërsa materialet janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.