Emrat për drejtorë që po qarkullojnë nga LSDM dhe BDI, pritet viza zyrtare - Gazeta Express

Emrat për drejtorë që po qarkullojnë nga LSDM dhe BDI, pritet viza zyrtare

Ballina

Gazeta Express

27/09/2020 12:37

Partitë e koalicionit LSDM, BDI, BESA dhe partitë e tjera deri më sot gati se kanë konkretizuar emrat për drejtorë.

Në rrugë zyrtare asnjëra nga këto parti nuk bën të ditur emrat se kush do të ulen në kolltuqet e drejtorive. 

Edhe pse zëvendëskryeministri Lubço Nikollovski theksoi se për këto poste do të shpallen konkurse dhe do të kërkohen kushte e program nga kandidatët, megjithatë në koluaret partiake po qarkullojnë emrat e drejtorëve, përcjell INA.

Siç mësohet shumë emra të vjetër e të rinj të njohur të funksionarëve do të kenë fatin të udhëheqin me drejtoritë. 

Sanja Lukarevska sërish do të marrë mandatin për drejtore në Drejtorinë e të Hyrave Publike, edhe pse ajo u zgjodh për deputete. 

Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski do të jetë drejtor i Doganës, Jovan Despotovski në Drejtorinë TIRZ për zona të lira, Hari Lokvenec do të jetë drejtor operativ në Telekom, Muhamed Zekiri nga posti i deputetit do të emërohet drejtor i Fondit të Shëndetësisë. Jani Makraduli do të jetë drejtor në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Nikola Babovski në Agjencinë për përkrahje financiare, Kosta Petrov në Fondin për Inovacione, etj. Për drejtor të Postave përmenden Kiril Kolemishevski dhe Goran Gerasimovski, mëson INA. 

Nga BDI në Agjencinë e Barnave do të emërohet për drejtor Lirim Shabani, Ejup Rrustemi nga posti i drejtorit të Postave do të shkojë si drejtor në Ndërmarrjen publike për “Rrugë Shtetërore”, në kompaninë “MEPSO” po lakohen emra të ndryshëm nga dega e Çairit dhe Kërçovës, por është në kombinim edhe dega e Kumanovës – Likovës.

Hadi Fetishi përmendet si drejtor i mundshëm në Inspektoratin Shtetëror për Punë, Bashkim Ahmeti për drejtor në Kadastër, Faton Pollozhani për drejtor në Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut. BDI po ashtu do të drejtoj edhe Agjencinë për Komunikime Elektronike, por në këtë post do të emërohet në shkurt të vitit të ardhshëm, pasi që në këtë periudhë i skadon mandati drejtorit aktual. 

Këto janë emra jozyrtarë nga të dyja kampet politike, që tashmë janë po qarkullojnë në koluaret e tyre, megjithëse ende nuk janë zyrtarizuar. 

Siç mësohet vendimet finale për drejtorët mund të sillen gjatë dy javëve të ardhshme, pasi që një pjesë do ti emëroj Qeveria, ndërsa pjesa tjetër do të zgjedhen përmes konkurseve.