Policia e Shkodrës ka përfunduar me sukses operacionin policor të koduar “Sheldija”, i cili çoi në kapjen dhe arrestimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
Të arrestuarit janë vëllezërit Emiljan Filipi, 28 vjeç dhe Mikelian Filipi, 20 vjeç, banues në fshatin Sheldi. Ata ishin shpallur në kërkim pas një hetimi të thelluar dhe të ndjekur me metoda proaktive nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Sipas autoriteteve, të dy vëllezërit dyshohen si autorë të kultivimit të rreth 400 bimëve narkotike, të zbuluara gjatë operacionit kombëtar “Koordinata” të zhvilluar më 29 prill 2025 në fshatin Sheldi.
Në bazë të provave të siguruara gjatë hetimit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Materialet procedurale në ngarkim të të arrestuarve i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. Autoritetet theksojnë se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike mbetet një nga prioritetet e Policisë së Shtetit.