Emrat e personave që dyshohet se ishin pjesë e grupit që kreu edhe shpërthimin e veturës së u.d drejtorit të QKUK-së - Gazeta Express
string(116) "emrat-e-personave-qe-dyshohet-se-ishin-pjese-e-grupit-qe-kreu-edhe-shperthimin-e-vetures-se-u-d-drejtorit-te-qkuk-se"

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 7:17

Emrat e personave që dyshohet se ishin pjesë e grupit që kreu edhe shpërthimin e veturës së u.d drejtorit të QKUK-së

Lajme

Gazeta Express

10/09/2025 7:17

Kastriot Ahmeti, Fatmir Dodaj, Ylber Syla, Mimoza Hoti, Vera Hallulli, Majlinda Gjeka, Sadije Hasanaj, Hamza Tahiri e Flutura Farici, janë nëntë nga 10 të arrestuarit nën dyshimin se funksionin si grup i organizuar dhe se dyshohet se morën pjesë edhe në organizimin e shpërthimit që ndodhi në prill të vitit 2025 në oborrin e QKUK-së, më saktësisht në veturën e ushtruesit të detyrës së drejtorit.

Për rreth katër muaj, ekipet e hetuesisë së Policisë së Kosovës, trajtuan rastin e shpërthimit që ndodhi më 30.04.2025 në parkingun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Edhe Prokuroria e Shtetit e ka konfirmuar se gjatë këtij aksioni janë ndaluar 10 persona, në mesin e tyre edhe shtetas të Shqipërisë, të cilët dyshohen për veprat penale ‘’Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, paisijeve apo matrialeve narkotike’’, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Nga ky institucion kanë bërë të ditur se nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme e substancave psikotrope narkotike, armë zjarri, si dhe prova të tjera materiale, të cilat do të përdoren në procedurën hetimore.

Policia e Kosovës më 09.09.2025, në zbatim të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka realizuar tri bastisje në tri lokacione, dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë.

Përveç kontrollit, policia ka ndaluar dhe arrestuar 10 persona, një kishte madje edhe një urdhër arrest aktiv për drogë.

Policia ka njoftuar se gjatë verifikimit të të dyshuarit F.D., është konstatuar se ndaj tij ekziston një urdhër arrest aktiv për çështje të narkotikëve, dhe me vendim të prokurorit, ai është dërguar për vuajtje të dënimit.

Ndërkaq, pas intervistimit të personave të ndaluar dhe në konsultim me prokurorin kompetent, 9 persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve procedurat janë ndarë në raste të veçanta dhe janë njoftuar njësitë përkatëse për trajtimin e mëtejshëm të tyre.

Nga bastisjet që ka realizuar policia me njësitet e saj në Prishtinë në rrugën “Fan Noli” kanë sekuestruar një telefon, një llaptop, dokumente të ndryshme.

Në rrugën “Pavarësia” në Prishtinë kanë konfiskuar, pesë telefona, një palë pranga metalike, një radio lidhje, gjashtë fishekë.

Në anën tjetër në fshatin Rimanishtë, policia ka arritur që të konfiskojë një pistoletë, një kallashnikov, tre telefona, si dhe drogë e mjete për kultivim e përpunim të narkotikëve.

Si rezultat i bastisjeve, policia ka njoftuar se kanë konfiskuar 142 kilogramë e 172 gramë substancë narkotike (Kanabis Sativa) në fazë përfundimtare të përpunimit.

Më 30.04.2025, në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të Osman Hajdarit, ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, e parkuar në parkingun e administratës.

Një shpërthim ishte regjistruar në oborrin e QKUK-së ndërsa Shërbimi Spitalor kishte konfirmuar se një mjet shpërthyes ishte vendosur në veturën e Hajdarit.

Sipas tyre, dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e Administratës qendrore të SHSKUK-së.

“Për incidentin janë njoftuar menjëherë organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila tashmë ka filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti” – thuhej në njoftim.

Pak ditë më vonë, më 07.05.2025, policia kishte konfirmuar se kishin arrestuar B.K., nga Podujeva, i dyshuar për shpërthimin e veturës së ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte njoftuar se B.K. po dyshohet për veprat penale “mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. /Kallxo