Emisioni i komedianit Jimmy Kimmel, i cili u ndërpre papritur javën e kaluar, do të rikthehet të martën, ka njoftuar kompania Disney.
Ndërprerja e befasishme e programit në televizionin ABC, që është në pronësi të Disney-t, ndodhi pas ankesave të qarqeve konservatore për komentet e Kimmelit pas vrasjes së aktivistit konservator, Charlie Kirk.
“Të mërkurën e kaluar morëm vendimin të ndalonim prodhimin e emisionit, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së tensionuar në një moment emocional për vendin tonë. Kjo ishte një vendim i marrë pasi vlerësuam se disa nga komentet ishin të papërshtatshme dhe të pandjeshme”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
“Në ditët e fundit kemi zhvilluar biseda të kujdesshme me Jimmyn dhe pas tyre kemi marrë vendimin që programi të kthehet të martën”, thuhet më tej në deklaratë.
Kimmel bëri disa deklarata lidhur me reagimet ndaj vrasjes së aktivistit konservator, gjatë emisionit “Jimmy Kimmel Live”, përfshirë edhe deklaratën se “shumë njerëz në botën MAGA [Bëje Amerikën Sërish Madhështore] po punojnë shumë për të përfituar nga vrasja e Charlie Kirkut”.
ABC, që e transmeton emisionin e Kimmelit që nga viti 2003, mori vendimin pasi grupi Nextar Communications, që ka në pronësi një numër stacionesh, tha se do të ndalte transmetimin e emisionit nga e mërkura.
Deklaratat e Kimmelit për vdekjen e Kirkut “janë fyese, të pandjeshme dhe janë bërë në një moment kritik të diskutimit tonë politik kombëtar”, tha Andrew Alford, president i divizionit të transmetimeve në Nextar.
Nextar operon me 23 stacione të lidhura me ABC-në.
Njoftimi i ABC-së se Jimmy Kimmel do të rikthehet në ekran erdhi vetëm disa orë pasi qindra yje nënshkruan një letër në mbrojtje të humoristit të njohur.
Jennifer Aniston, Meryl Streep dhe Robert De Niro janë mes emrave më të mëdhenj që e kanë quajtur pezullimin e Kimmelit një “moment të errët për lirinë e fjalës në vendin tonë”./REL