I dërguari Special i Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz, ka thënë se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është një prioritet për Francën.
Ai tha se kjo ambicie është edhe më urgjente duke pasur parasysh rrezikun e paqëndrueshmërisë në kontinent si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Prandaj, ne duhet të fillojmë punën për procesin e pranimit në BE dhe t’i qëndrojmë besnikë angazhimit të bërë në Samitin Europian të Selanikut të vitit 2003, i cili zyrtarisht hapi perspektivat e pranimit evropian të vendeve të Ballkanit”, tha ai për revistën serbe “CorD”, transmeton Gazeta Express.
Ai më pas bëri me dije se jo të gjitha gjashtë vendet e rajonit kanë bërë progresin e njëjtë drejt rrugës së BE-së, ndërsa përmendi edhe nevojën e kapërcimit të tensioneve që vijnë nga e kaluara.
“Sigurisht, ka dallime midis secilit prej vendeve të Ballkanit. Disa kanë përparuar më shumë se të tjerët në procesin e pranimit në BE, ndërsa të tjerët janë pak më pak të zhvilluar. Por gjëja thelbësore është të qëndrojmë në kurs dhe të ruajmë ritmin. Nga kjo pikëpamje, Franca mbështet përpjekjet e partnerëve të saj dhe inkurajon reformat. Ne gjithashtu duhet të punojmë për të kapërcyer tensionet që ndonjëherë mbeten si trashëgimi e së kaluarës. Por ne e bëjmë këtë si partnerë. Kjo është logjike, pasi vendet e Ballkanit Perëndimor janë të destinuara të bëhen anëtare të plota të BE-së”.
Për lexuesit e mediumit serb, Troccaz pati një mesazh se si duhet ta shohin BE-në.
“Dua t’u kujtoj lexuesve tuaj se BE-ja nuk është vetëm një treg. Sigurisht, është edhe kjo, por duhet të kujtojmë gjithmonë pse u krijua me iniciativën e Francës dhe Gjermanisë në vitin 1957. Qëllimi i këtij krijimi, i paprecedentë në historinë e njerëzimit, nuk ishte kryesisht prosperiteti. Ishte paqja. Ky mesazh mbetet po aq i rëndësishëm përherë”.
Ai shtoi se çështja e stabilitetit “të kontinentit tonë është thelbësore, por ka një pikë tjetër të qartë që duhet mbajtur mend: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë europiane”. “Ne jemi pjesë e së njëjtës familje, secili me dallimet e veta. Dhe BE-ja i respekton këto dallime kulturore. Vendi i natyrshëm për këto vende është, pra, brenda BE-së. Është brenda këtij kuadri paqeje, prosperiteti, integriteti territorial dhe vlerave demokratike që ne duhet të punojmë së bashku për të ndërtuar të ardhmen tonë”, tha emisari francez./Express/