Emini: Ultimatumi i Kurtit për BE-në është hipokrizi, deklarata e Kos tregon se Brukseli e ka humbur durimin me Kosovën - Gazeta Express
string(117) "emini-ultimatumi-i-kurtit-per-be-ne-eshte-hipokrizi-deklarata-e-kos-tregon-se-brukseli-e-ka-humbur-durimin-me-kosoven"

Lajme

Gazeta Express

22/11/2025 19:38

Emini: Ultimatumi i Kurtit për BE-në është hipokrizi, deklarata e Kos tregon se Brukseli e ka humbur durimin me Kosovën

Lajme

Gazeta Express

22/11/2025 19:38

Politologja Donika Emini ka folur për paraqitjen që pati kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Samitin për Planin e Rritjes së BE-së që u mbajt në Tiranë.

Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ajo ka deklaruar se Kosova nuk mund t’i lëshojë ultimatume Bashkimit Evropian, derisa u pyet për deklaratën e Kurtit që tha se është hera e fundit që do t’i kërkojë bllokut heqjen e masave për Kosovën.

“Kjo vetëm reflekton marrëdhëniet e acaruara të Kosovës me Bashkimin Evropian. Është e pamundur që t’i jepet BE-së ultimatum i tillë duke pasur parasysh faktin se kemi pasur një vit kohë për të votuar Planin e Rritjes dhe nuk kemi bërë një gjë të tillë.”

“Kjo do të thotë se është një hipokrizi e gjithë elitës në Kosovë, e cila vazhdimisht akuzon BE-në për heqjen e masave dhe kërkon heqjen e masave. Por, në anën tjetër, nuk e ka aprovuar Planin e Rritjes, i cili e trajton Kosovën të barabartë me të gjitha vendet në rajon, i jep Kosovës fonde për t’u reformuar dhe Kosova e ka pasur planin më të avancuar të reformës, të cilin e ka kërkuar vitin e kaluar dhe ende nuk e ka aprovuar një gjë të tillë”, tha Emini.

E njëjta pohoi se deklarata e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, tregon se BE-ja e ka humbur durimin me Kosovën.

“Kjo normalisht është shumë mirë, sepse Marta Kos është një nga komisioneret më të zëshme, e cila për herë të parë iu drejtua Bosnjës dhe Kosovës në mënyrë të tillë. Kjo tregon se ka humbur durimi në Bruksel në raport me Kosovën”, tha Emini.