Dhjetëditëshi i fundit i muajit gusht shënon çdo vit kthimin e pushuesve dhe emigrantëve shqiptarë nga porti i Vlorës drejt vendeve ku jetojnë e punojnë, kryesisht Italia dhe shtete të tjera të Bashkimit Europian.
Edhe këtë sezon veror, tabloja është e njëjtë: mijëra persona nisen pas javëve të kaluara në Shqipëri pranë familjes dhe miqve.
Shumica e qytetarëve thonë se pushimet në vendlindje gjithnjë kanë një emocion të veçantë, por shqetësim i përbashkët mbetet rritja e çmimeve, sidomos në sektorin e akomodimit dhe ushqimit.
Sipas tyre, ky shtrenjtim është ndjerë dukshëm gjatë sezonit të këtij viti, duke i bërë shpenzimet më të larta se vitet e kaluara.
Pavarësisht kritikave, Vlora mbetet një nga destinacionet më të preferuara për shqiptarët e diasporës.