Një krim i rëndë ka ndodhur sot në mëngjes në Prizren.
Një shtetas turk atje ka therur me thikë dy vajzat e tij, njëra prej të cilës ka vdekur nga plagët e marra, ndërsa tjetra është në gjendje të rëndë duke u trajtuar në QKUK. Po ashtu, ai ka lënduar gruan e tij dhe veten.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha për Gazetën Express se emergjenca kur kishte shkuar në vendngjarje s’kishte mundur t’i japë ndihmën e parë viktimës për shkak se i dyshuari kishte thikën në dorë.
“Sot me datë 06.05.25 rreth orës 05:57 policia nëpërmes telefonit ka marrë informatën se në rrugën “Shote Galica ” në Prizren ndodhet një person i lënduar dhe se emergjenca mjekësore nuk po mund t’i jep ndihmë ngase një i dyshuar ndodhet me thikë në dorë. Në atë drejtim janë nisur 4 patrulla policore”.
“Në vendngjarje është kuptuar se një i dyshuar M.G. viti i lindjes 1981, mashkull ka therur me thikë dy vajzat e tij, njëra 15 vjeçare e cila ka mbetur e vdekur në vend të ngjarjes dhe tjetra e lënduar rëndë, e cila për momentin në gjendje të rëndë ndodhet në QKUK në Prishtinë”.
I dyshuari ka lënduar veten gjithashtu dhe gjendet në Spitalin Rajonal të Prizrenit, tha Bytyqi.
“Lëndime ka pësuar edhe e shoqja e tij 35 vjeçare. Të gjithë këta janë familjarë në mes vete dhe janë shtetas turk me banim të përkohshëm në Prizren. I dyshuari është arrestuar dhe policia është duke u marrë me rastin”.