Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka vlerësuar si ‘’vendim politik’’ nëse qeveria nuk e përfshin e buxhetin e kryeqytetit në buxhetin e vitit 2026.
Rama ka shtuar edhe se, çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë, kur ‘’dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin’’, dhe se, kryeqyteti nuk është pronë e askujt, përcjell Gazeta Express.
Rama ka shtruar disa pyetje në postimin e tij, ku ndër tjerash ka thënë se ‘’a është kjo hakmarrje politike?’’, dhe se ‘’a po përdoret buxheti si mjet presioni ndaj qytetarëve’’ të komunës së Prishtinës.
Postimi:
Nëse Qeveria nuk e përfshin Buxhetin e Kryeqytetit në Buxhetin e vitit 2026, kjo nuk është thjesht vonesë administrative, është vendim politik!
Buxheti i Kryeqytetit është miratuar në Asamblenë e Kryeqytetit, me të gjitha specifikat teknike dhe ligjore, dhe është dorëzuar sipas procedurave. Çdo justifikim për mospërfshirje bie poshtë kur dokumentacioni është i plotë dhe në përputhje me ligjin.
Prandaj shtrohet pyetja:
Pse nuk po përfshihet në Buxhetin e vitit 2026?
A është kjo hakmarrje politike?
A është tentativë për ta bllokuar zhvillimin e Kryeqytetit?
A po përdoret buxheti si mjet presioni ndaj qytetarëve të Prishtinës?
Qeveria ka obligim kushtetues dhe ligjor të trajtojë buxhetin e Kryeqytetit pa diskriminim politik. Çdo veprim ndryshe është shkelje e parimit të barazisë institucionale dhe goditje direkte ndaj qytetarëve.
Prishtina nuk është pronë e askujt. Është Kryeqyteti i Republikës dhe meriton trajtim institucional, jo kalkulime partiake.
Nëse Qeveria zgjedh ta mbajë peng buxhetin e 2026-tës, atëherë le ta thotë hapur: QYTETARË TË KRYEQYTETIT PO JU NDËSHKOJMË SEPSE NUK NA VOTUAT NEVE!!!
Qytetarët e Prishtinës meritojnë përgjigje!