Emancipimi ka emër - Gazeta Express
string(18) "emancipimi-ka-emer"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

03/02/2021 15:49

Emancipimi ka emër

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

03/02/2021 15:49

Vitaliteti i demokracisë do të varet kryekëput  nga shpleksja e së vërtetës nga autoriteti. Nuk është ideja e misionarizimit të politikes, mirëpo as e reduktimit të politkës në menaxhim dhe as në estetizim të politikes, kur dihet qe përpjekjet e tilla kanë rezultuar fatale

Nga Fisnik Dragusha

Fundi i historisë, ky koncept i etabluar nga politologu amerikan Francis Fukuyama, kishte për qëllim të arsyetonte triumfin e demokracisë liberale dhe fitoren e demokracisë mbi socializmin qeverisës, mbi komunizmin si ide e rregullimit shoqëror. Mbi të gjitha fitoren mbi krejt totalitarizmat e shek XX.

Historia kishte përfunduar si proces koherent evolutiv, jo si zhvillim ngjarjesh. E nisa me konceptin e fundit të historisë në mënyrë që të krijohet një tablo më e qartë e idesë se çfarë ishte debati në rrafshin socio-politik.

Kjo ide e fundit të historisë kishte mbërthyer debatin tonë, kryesisht në zhvillimet që do të pasonin pas vitit ‘99. Kosova do të gjendej në një zhvillim specifik shoqëror e politik, që do të karakterizohej me lindjen e pluralizmit në përgjithesi dhe zhvillimin e së djathtës si ideologji. Refuzimi dhe stigma ndaj të majtës kishte shpjegim natyrisht, megjithëse më shumë duke pasë refuzim kombëtar për te.

Partitë e dala nga lufta, PDK – AAK, për arsye të njohura, nuk mund të etabloheshin si parti të majta, andaj rreshtimi i tyre natyrshëm do të ishte i djathtë. Krejt kjo na qartëson se specifikat e orientimeve do të bëheshin në vitet 1989 dhe 1999.

Gjithë këto parti do të krijonin një totalitet në dominim të skenës politike. Debatet tjera do të ishin të papërfillshme, duke konsiderusr veten si bartësit e të gjitha proceseve historike. Në një formë këta ishin zotëruesit e së vërtetës, pra krijimi i monopolit në posedimin e çështjeve  nga modeli i qeverisjes që prodhoi konformizëm, poltronizëm dhe tribalizëm të formave të ndryshme, duke dështuar në krijimin e shoqërisë si normë moderne. Pushteti i kishte dehur, kishin pësuar një ndryshim, sa as vetja e tyre më nuk i njihte.

Partitë dhe kasta politike kishin pershtatur “cogito” të Dekaritit në variantin: “Shitem, prandaj ekzistoj”, duke e shndërruar si mall tregu programin politik, parimet që s’i kishin kurrë dhe vetveten lakuriq. Marksi do të thoshte “prostituim i përgjithësuar”.

Sociologu amerikan Robert Merton thekson se: shkencëtarët janë një komunitet ku parulla kryesore e tyre është “Skepticizmi i organizuar”. Përbënte nevojë imediate krijimi i ketij lloj skepticizmi, që në formën e skepticizmit të organizuar, mund të shërbente si potencial i mirë për kritikë dhe si mjet për shikim mikroskopik nëpër proceset të cilat kalojmë si shoqëri. Shoqëritë perëndimore, aty ku aspirojmë të behemi pjesë, një ndër vlerat fundamentale e kanë mendimin kritik dhe debatin… kjo është sinjifikative në ndërtimin e demokracisë. Vitaliteti i demokracisë do të varet kryekëput  nga shpleksja e së vërtetës nga autoriteti.

Nuk është ideja e misionarizimit të politikes, mirëpo as e reduktimit të politkës në menaxhim dhe as në estetizim të politikes, kur dihet qe përpjekjet e tilla kanë rezultuar fatale, siç do të thoshte Walter Benjamin. Flas për politikën në nivel të zhvillimit të koncepteve, ku koncepti politik nuk do të nënkupton strehimin, nuk nënkupton reduktimin e tij në komunikim ose opinion. Politikë që zhvillon mendësi ku bazohen vlerat shoqërore dhe ndërtohet kohezion që brenda vetes inkorporon qytetarinë, ku legjitimiteti buron nga poshtë-lart dhe ku ka artikulim politik.

Gjithë këto janë shenja të qarta të rritjes së kërkesës së përgjithshme. Idealisht do të doja që kjo të nënkuptonte emancipim dhe jo lodhje nga politikat e gabuara.