Teksa po largohet nga administrata Trump, miliarderi Elon Musk ka dhënë edhe komentet e fundit, duke thënë se “ka mendime të ndryshme” me administratën.
Duke folur për “CBS Sunday Morning”, në një intervistë që do të publikohet të dielën, sipas CNN, Musk është shprehur se ka “mendime të ndryshme” me administratën e Donald Trump-it dhe nuk është “plotësisht dakord” me disa nga veprimet e saj.
“Nuk është se jam dakord me gjithçka që bën administrata. “Pra, jam dakord me shumë nga veprimet e administratës, por kemi mendime të ndryshme,” raportohet të ketë thënë ai.
Bëhet e ditur se tutje Musk ka shtuar se: “Janë disa gjëra me të cilat nuk jam plotësisht dakord. Por më vjen vështirë t’i përmend në një intervistë sepse atëherë krijohet një pikë konflikti. Jam pak i bllokuar, ku them, nuk dua të flas kundër administratës, por as nuk dua të mbaj përgjegjësi për gjithçka që po bën ajo.”
Kujtojmë se të mërkurën, miliarderi i teknologjisë njoftoi se koha e tij në administratën Trump ka përfunduar, ndërsa pritet edhe një paraqitje me Donald Trump më vonë gjatë ditës në Shtëpinë e Bardhë.
Elon Musk ishte përgjegjës për Departamentin e Efikasitetit Qeveritar, që bëri shkurtime të mëdha në punësimin federal si pjesë e përpjekjeve për të ulur shpenzimet shtetërore.
Largimi i tij erdhi pasi shprehu shqetësime dhe “zhgënjim” me planin fiskal të Donald Trump, duke thënë se një plan i tillë “do të rrisë deficitin buxhetor të SHBA-së dhe do të dëmtojë përpjekjet e DOGE”.