Elioti, poet në kërkim të perfeksionit! - Gazeta Express
string(37) "elioti-poet-ne-kerkim-te-perfeksionit"

Elioti, poet në kërkim të perfeksionit!

Arte

Gazeta Express

19/04/2024 14:29

Vepra e Thomas Stearns Eliot i përket modernizmit, rrymë letrare e cila mori zhvillim midis 1912-ës dhe Luftës së Dytë Botërore. Vepra e tij përbëhet nga poezi dhe poema të cilat ndahen në dy faza të lidhura ngushtësisht me përjetimet personale të vetë autorit. Një pjesë e tyre kanë një atmosferë pesimizmi dhe në to bëjnë pjesë poezitë: “Prufrock dhe vëzhgime të tjera” (1917) dhe poemat; “Toka e shkretuar” 1922.

Në një moment të dytë krijimtaria e tij është e mbushur me nota shprese dhe optimizmi: Poema “Udhëtimi i magjistarëve” shkruar në 1927, viti i konvertimit të Eliot në të krishtere dhe poema “E mërkurë e hirit” dhe drama, “Vrasje në katedrale” shkruar, në 1935. Eliot konsiderohet si një poet jo shumë voluminoz pasi mund të shkruante në një vit deri në tre poezi po si thoshte dhe ai vetë duhet të ishin perfekte. Ai u lind më 26 shtator 1888 në Misuri në një familje të shquar dhe u transferua në Angli në 1914 në moshën 25 vjeç ku dhe u vendos për të jetuar.

Lexo Edhe:

Ai u bë shtetas britanik në vitin 1927 në moshën 39 vjeç, duke hequr dorë më pas nga shtetësia e tij amerikane. I konsideruar si një nga poetët kryesorë të shekullit të 20-të, Eliot tërhoqi vëmendjen e gjerë me poezinë e tij “Kënga e dashurisë së J. Alfred Prufrock” në 1915, e cila u pa si një kryevepër e lëvizjes moderniste. Ajo u pasua nga disa nga poezitë më të njohura në gjuhën angleze, duke përfshirë ” Tokë e shkretuar” (1922), “E mërkura e hirit” (1930) dhe “Katër kuartetet” (1943).

Eliot u vlerësua me Çmimin Nobel në Letërsi në 1948, “për kontributin e tij të shquar si pionier në poezinë e sotme”. Dashuria e fëmijërisë së Eliot me letërsinë mund t’i atribuohet disa faktorëve. Së pari, ai kishte disa probleme shëndetësore të cilat nuk i lejonin aktivitetin fizik dhe shpesh detyrohej të izolohej në shtëpi ku edhe u lidh ngushtësisht me librat dhe leximin.

Ai filloi të shkruajë poezi kur ishte 14 vjeç nën ndikimin e Edward Fitzgerald dhe të Omar Kajami. Poema e tij e parë e botuar, “Një fabul për festat”, u shkrua si një ushtrim shkollor dhe u botua në Smith Academy Record në Shkurt 1905. Eliot u martua dy herë në jetë po nuk pati kurrë fëmijë me bashkëshortet e tij. Ai ishte i vetëdijshëm për numrin e pakët te krijimeve letrare por këtë e lidhte me perfeksionin që tentonte të arrinte në vargje. Eliot së pari i botoi poezitë e tij individualisht në revista periodike ose pamflete dhe më pas i mblodhi ato në libra. Poeti i konsideronte “Katër Kuartetet” si kryeveprën e tij dhe me këtë vepër mori Çmimin Nobel në Letërsi.

Ajo përbëhet nga katër poezi të gjata, dhe secila ka 5 ndarje. Secila poezi përfshin meditime mbi natyrën e kohës në një aspekt të rëndësishëm – teologjik, historik, fizik – dhe lidhjen e saj me gjendjen njerëzore. Çdo poezi shoqërohet me një nga katër elementët klasikë, përkatësisht: ajri, toka, uji dhe zjarri.

Eliot vdiq në shtëpinë e tij në Kensington në Londër më 4 janar 1965, dhe trupi i tij u dogj në krematorium, ndërsa hiri u dërgua në kishën e një fshati sipas dëshirës së tij./Hejza