Ish-presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me vdekjen e ish-kongresistit Eliot Engel, duke e cilësuar këtë të fundit si njeri i madh, i mirë, mik i rrallë i Kosovës.
Osmani në postimin e saj, ka thënë se gjatë takimeve të saj, liderët e ndryshëm i kanë thënë asaj se ‘’ “Eliot Engel na ka telefonuar për të na kërkuar njohjen e Kosovës”.
Postimi:
Një njeri i madh, një njeri i mirë, një mik i rrallë i Kosovës, na la sot!
Kongresisti Eliot Engel ishte shumë më tepër se thjesht një kongresist përkrahës i Kosovës. Ai e donte popullin e Kosovës me gjithë zemër dhe ishte me ne në sfida e në suksese. Kudo që udhëtoja në botë, takoja liderë që më thoshin: “Eliot Engel na ka telefonuar për të na kërkuar njohjen e Kosovës”, si dhe të tjerë që thonin: “E kam firmosur njohjen e Kosovës sepse ia premtova Eliot Engel-it.”
Këdo që takoja në Kongres, thoshte: “Ju keni pasur një mik të madh këtu, që gjithmonë fliste për Kosovën.” Ai nuk e ndali kurrë këtë ndihmë dhe këtë përkrahje, edhe kur gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua.
Në fakt, ai ishte zëri ynë në Kongresin amerikan dhe përtej tij. Prandaj, kujtimi i tij do të jetë i përhershëm në zemrat e të gjithë qytetarëve të Kosovës!
Faleminderit, Eliot Engel! Zoti e bekoftë shpirtin tënd të bardhë.