Ndërsa sezoni i LaLigës po i afrohet fundit, debati për një “gardë nderi” në El Clásico mes Real Madridit dhe Barcelonës është rikthyer fuqishëm. Barazimi 1–1 i madrilenëve ndaj Gironas në “Santiago Bernabéu” ka bërë që shpresat për titull thuajse të shuhen.
Gazetari Guillem Borràs Pérez ndezi diskutimin në platformën “X”, duke shkruar se nëse Real Madridi humbet pikë në ndeshjet e mbetura dhe Barcelona i fiton të gjitha, mund të lindë situata që katalanasit të marrin nderimin tradicional të kampionit në “Camp Nou”.
Por reagimi nga kampi madrilen nuk ka vonuar. Media pranë Real Madridit e ka quajtur një skenar të tillë “skandal” dhe “mungesë respekti”, duke theksuar se një nderim i tillë nuk do të ishte i pranueshëm në rrethanat aktuale.
Si el Madrid pierde un partido de los tres que le quedan hasta el Clásico del Camp Nou y el Barça lo gana todo, se puede venir pasillo al campeón. Ahí lo dejo.
— Guillem Borràs Pérez (@Guillembp01) April 10, 2026
Në qendër të tensionit mbetet çështja e njohur si “Negreira”, ku Barcelona akuzohet për pagesa të dyshimta ndaj ish-nënkryetarit të Komitetit të Gjyqtarëve, Enric Negreira. Sipas qëndrimit të Real Madridit, këto pagesa—të cilat sipas tyre nuk janë shpjeguar qartë—hedhin hije mbi integritetin e garës dhe duhet të hetohen deri në fund.
Klubi madrilen kërkon përgjegjësi të plotë dhe madje ndalimin e caktimit të gjyqtarëve me lidhje të mëparshme me atë rreth, duke argumentuar se mungesa e transparencës vetëm sa shton dyshimet.
Nga ana tjetër, Barcelona i konsideron këto akuza si pjesë të një strategjie për ta dëmtuar imazhin e klubit, duke këmbëngulur se pagesat kishin karakter këshillimor dhe se procesi ligjor duhet të ndjekë rrugën e tij pa presion të jashtëm.
Edhe pse “gardë nderi” nuk është një detyrim zyrtar, dy klubet e kanë praktikuar në të kaluarën në shenjë respekti ndaj kampionit. Megjithatë, klima e tensionuar sportive dhe ligjore e bën gjithnjë e më pak të mundshme një gjest të tillë në përballjen e ardhshme.
Real Madridi kërkon një zgjidhje të shpejtë dhe të plotë të çështjes Negreira për të ruajtur besueshmërinë e futbollit spanjoll, ndërsa Barcelona synon të mbyllë sezonin me titullin në dorë, pavarësisht polemikave që e shoqërojnë.
Në fund, mbetet e hapur pyetja nëse El Clásico i së dielës do të shënohet nga një gjest respekti sportiv apo nga thellimi i një përplasjeje që po e shoqëron të gjithë sezonin. /GazetaExpress/