Ekzekutohet me armë zjarri në Elbasan Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, një nga grabitësit e 4.6 mln eurove në aeroportin e Rinasit, më 9 prill të 2019. Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 05:45 të mëngjesit të sotëm në një lokal tek rrethrrotullimi i Bradasheshit. 50-vjeçari, i cili punonte si taksist (pa licencë) u ekzekutua teksa po pinte kafen e mëngjesit. Pista ku po heton policia është ajo e hakmarrjes, pasi 50-vjeçari nuk ishte person me precedent penal.
Burime për Dosja.al bëjnë me dije se kanë qenë 3 persona të veshur si policë, të cilët kryen ekzekutimin. 3 autorët kishin disa ditë që ndiqnin 50-vjeçarin, duke mësuar kështu rutinën e tij të përditshme. Edhe këtë mëngjes ata e kanë vëzhguar viktimën dhe sapo ky i fundit u ul në lokal për të pirë kafen, ata qëlluan me armë zjarri 4 herë në drejtim të tij. 3 autorët të veshur si policë zbritën nga makina tip ‘Renault’ me targa AA 876 DC dhe hapën zjarri ndaj 50-vjeçarit, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas vrasjes, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pas minuta më vonë ata i kanë vënë flakën mjetit tip ‘Renault’ që përdorën gjatë atentatit. Autorët i kanë vënë flakën makinës në një rrugicë në fshatin Murras, përgjatë aksit Elbasan-Peqin.
Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin e kapjen e autorëve. Vendi ku ndodhi ngjarja është i monitoruar me kamera, për shkak se aty pranë janë tre karburante, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e të gjithë dinamikës së ngjarjes.
Ndërkohë uniformat blu kanë ngritur postblloqe në hyrje dhe dalje të qytetit të Elbasanit, dhe në qytetet si Durrësi, Fieri dhe Tirana, për kapjen e autorëve.