Ekstremizmi në Kaçanik që dyshohet se vrau policin, njëri prej të arrestuarve bënte thirrje kundër votimit e demokracisë - Gazeta Express
string(119) "ekstremizmi-ne-kacanik-qe-dyshohet-se-vrau-policin-njeri-prej-te-arrestuarve-bente-thirrje-kunder-votimit-e-demokracise"

Lajme

Gazeta Express

22/04/2025 12:54

Ekstremizmi në Kaçanik që dyshohet se vrau policin, njëri prej të arrestuarve bënte thirrje kundër votimit e demokracisë

Lajme

Gazeta Express

22/04/2025 12:54

Shtatë persona u arrestuan të martën në një aksion të Policisë si të dyshuar për planifikimin dhe ekzekutimin e rreshterit të Policisë, Muhamed Lika në Kaçanik më 1 prill.

Rilind Murati i lindur në vitin 2003 është njëri prej të arrestuarve. Ai, sipas Prokurorisë, po e priste të miturin Rejhan Bela, pasi ai do ta kryente vrasjen në katin e dytë të një ndërtese, ku Policia kishte gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm. Rilind Murati e kishte përgëzuar të miturin Rejhan Bela duke i thënë “Bravo ik”, dhe duke u larguar bashkë me të.

Rilind Murati

Në profilin e tij në Facebook, Rilind Murati shpërndante materiale të ndryshme ekstreme, si thirrje kundër demokracisë dhe votimit në zgjedhje.

“Ata kundërshtojnë sunnetin. Ata thërrasin në votime. Ata marrin pjesë në portale anti-islame. Ata lejojnë bidate. Ata lejojnë demokracinë. Ata e bëjnë hallall gjakun e muslimanëve. Ata e lejojnë demokracinë. Ata janë këpucë lëpirës të tagutit. Ata kundërshtojnë sunnetin”, thuhet në një video të shpërndarë nga ai më 6 mars, më pak se një muaj para vrasjes së policit.

Ai shpërndante edhe materiale të tjera të ngjashme, si një video ku shihen disa persona duke i thyer disa instrumente muzikore. Mbi të, Rilind Murati shkruante kështu më 23 shkurt: “Muzika e forcon Sihrin dhe Xhint ( ne trupin tuaj)”.

Përveç Rejhan Belas dhe Rilind Muratit, edhe Haki Bela, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi u arrestuan për planifikimin dhe kryerjen e vrasjes.

Gjatë aksionit që nisi mëngjesin e së hënës, në nëntë lokacione në Kaçanik dhe në një fshat të Klinës, Policia sekuestroi dy vetura, telefonë, disa laptopë, një armë zyrtare, maska, tyta armësh e fishekë.

Rreshteri i Policisë u vra rreth orës 23:00 teksa po kthehej nga puna në banesën e tij. Vrasja besohet se u krye për motive që ndërlidhen me punën e tij zyrtare, thanë autoritetet të hënën.