Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë fton në hapjen e ekspozitës së përkohshme të veprës ‘Pas Kujtesës’ nga autorja Zanita Halimi, e përzgjedhur nga thirrja për projekte artistike – DwP Creations, më 15 janar nga ora 17:00, në Bibliotekën ‘Hivzi Sulejamani’.
Pas Kujtesës përshkruan marrëdhënien që ka patur brezi i fëmijëve të lindur pas luftës me përvojat e plota, shpesh traumatike, që i kanë paraprirë lindjeve të tyre. Pra, me përvojat që ata “kujtojnë” vetëm me anë të tregimeve, imazheve dhe sjelljeve mes të cilave ata u rritën. Këto përvoja iu transmetuan atyre aq thellë dhe me emocion saqë, dukej se përbënin kujtime më vete.
Tregimet rreth luftës nga gjeneratat e lindura pas luftës të prezantuara në këtë projekt, janë shumë personale, pasi u përkasin tregimeve familjare. Mënyra e të rrëfyerit dhe ndjeshmëria që kanë patur tregon se trauma iu është përcjellë edhe atyre sikur të ishin pjesë e saj. Kjo tregon se edhe gjeneratat e lindura pasluftës si pasardhës të viktimave, refugjatëve, të të mbijetuarëve të ngjarjeve traumatike lidhen aq thellë me to sikur të ishin edhe ata pjesë e përjetimeve direkte të këtyre ngjarjeve. Të gjitha këto dëshmi përmblidhen secila ne 60 sekonda rrëfim të një historie të treguar nëpërmjet një objekti apo fotografie familjare që në një formë është esenca e saj.
Këtu merr vëmendje edhe roli i familjes si një hapësirë e rëndësishme për përcjelljen e kujtesës. Këto tregime familjare të trashëguara te brezat e rinj, ofrojnë dëshmi shumë të rëndësishme për luftën. Këto ngjarje kanë ndodhur në të kaluarën, por efektet e tyre vazhdojnë në të tashmen. Kjo është, besoj, përvoja e “paskujtimit” dhe procesi i gjenerimit të tij. Në shumë dhoma të shtëpive gjenden objekte që lidhen me të kaluarën, ofrojnë dëshmi të tingujve të maktheve, të lotëve, të dhimbjeve që i kanë rezistuar kohës për të ofruar dëshmi.
“Postkujtimi” nuk është një lëvizje, metodë apo ide, është një strukturë e përcjelljes së njohurive traumatike ndërmjet brezave, është pasojë e kujtimit traumatik. Në këtë rast, kjo kujtesë brezash del në publik si një arkivë e përbashkët tregimesh që dëshmon lidhjen mes së shkuarës dhe së tashmes, midis brezit të dëshmitarëve e të mbijetuarëve dhe brezit pasardhës.
Kjo vepër është pjesë e ekspozitave të organizuara nga Qendra e Dokumentimit Kosovë dhe ka si qëllim ballafaqimin me të kaluarën nëpërmjet veprave dhe krijimeve artistike.