Në “Open Art Gallery” më 3 tetor do të inaugurohet Ekspozita “Vagullnaja Vizuale” – Hapësirë Alternative e Artit Bashkëkohor, me artistet pjesëmarrës: Albes Fusha, Ardian Isufi, Ardian Kapo, Artan Marku, Artan Peqini, Ergys Krisiko, Gazmend Leka, Helidon Haliti dhe Sadik Spahija.
“VAGULLNAJA VIZUALE” është një përpjekje për të krijuar një gjendje pamore ku kuptimi nuk është i menjëhershëm, si mundësi të eksplorojë paqartësinë përmes peizazheve të ndërmjetësuara, hapësirave të simuluara dhe analogëve të përmbysur të vendeve historike, duke e sfiduar shikuesin të vërë në dyshim natyrën e përfaqësimit. Ajo që shfaqet është fluide në territore, me kufij të papërcaktuar, si një ftesë për të qëndruar me paqartësinë si substancë e të shprehurit duke të ftuar në interpretime të shumëfishta dhe inkurajuar pjesëmarrjen aktive të shikuesit që i rrit rezonancën termike të soditjes ndaj veprës artistike, gjithashtu duke i lejuar audiencave të ndryshme një marrëdhënie më dinamike dhe në zhvillim e sipër që të gjejnë kuptime personale brenda saj. Në fakt është një reagim radikal ndaj kërkesës për formë të qartë, për përfaqësim të plotë dhe kuptim të menjëhershëm në një kohë ku gjithçka është e tejdukshme, por shumë pak e kuptueshme.
Veprat e artit nga artistët pjesë e kësaj hapsire në OPEN ART Gallery (interior-exterior) krijojnë një status-quo “Liminaliteti” si një gjendje tranzicioni ose ndërmjetësie hapësinore, por kjo situate ambiguiteti mund të jetë në kontekste të ndryshme, siç citohet: “…që nga ritet antropologjike të kalimit deri te hapësirat e përditshme dhe madje edhe proceset krijuese.”
Kjo krijon një dialog midis statikës dhe dinamikës, të përhershmes dhe të përkohshmes. Pra, territori i ekspozitës, bëhet gjithashtu një hapësirë sociale ku publiku përballet me artin në një kontekst unik hapësinor dhe e inkurajon shikuesit të marrin pjesë aktive në përvojë, të ngrenë pyetje, të interpretojnë dhe të gjenerojnë narrativa të reja.
Në fund të fundit, “VAGULLNAJA VIZUALE” kërkon ta aktivizojë galerinë si një hapësirë alternative, ku arti, dhe publiku mund të kryqëzohen dhe bashkëveprojnë, duke gjeneruar kuptime dhe përvoja të reja që sfidojnë kuptimin tonë për hapësirën, kohën dhe vetë natyrën e artit.