Në Galerinë “Open Art” hapet ekspozita personale e artistit Leart Hyseni e titulluar “Psherëtimë Hyjnore”-“Divine Sigh”, kuruar nga Zeni Ballazhi. Ekspozita do të hapet më 12 nëntor, nga ora 18:00.
Përjetim nga Autori
Në repartin hematoonkologjik më dërgoi sëmundja e djalit tim, e aty hasa në shumë fëmijë “engjuj”, që nuk e kishin idenë pse ndodheshin aty. Kuptova që shumë prindër përballeshin me fëmijët e tyre me këtë luftë jo të lehtë.
Në këto momente të rënda, arti bëhet jo vetëm një formë e shprehjes, por edhe një mënyrë për të ofruar mbështetje dhe solidaritet për familjet që përballen me të njëjtën dhimbje.
“Psherëtima hyjnore”, jo vetëm që ka një mesazh të fuqishëm shpirtëror dhe human por me këtë iniciativë kthehet edhe në një burim ndihme konkrete. Duke dhënë një pjesë të të ardhurave nga veprat e mia organizatës joqeveritare Cure 2 Children për fëmijët në repartin onkologjik, një mundësi për të bërë një ndryshim të prekshëm në jetën e tyre, duke sjellë jo vetëm shpresë por edhe mbështetje të nevojshme.
Mesazhi im dhe veprat e mia janë frymëzim për të tjerët të shohin përtej dhimbjes, duke parë artin si një urë që lidh shpresën dhe ndihmën reale duke ndihmuar ata që kanë nevojë për të, dhe duke krijuar një frymë të ndritshme që kalon përtej mureve të dhimbjes.