Më 30 maj nga ora 19:00 do të hapet ekspozita “Pozicionet”, e cila sjell së bashku tre artistë të njohur të skenës së artit bashkëkohor në Kosovë: Driton Hajredini, Arbnor Karaliti dhe Naim Spahiu.
Secili prej artistëve paraqet një qasje personale përmes veprave që reflektojnë përvojat e tyre individuale dhe të qenurit artist sot. “Pozicionet” është një bashkëjetesë artistike në një hapësirë të përbashkët, ku secili zë qëndrimin e vet.
Biografitë e artistëve
Naim Spahiu (1978, Mitrovicë) është një artist ultra-bashkëkohor i njohur për pikturat e tij që shpesh përcjellin një metaforë të “transmaterializimit” – një proces ku materiali fillestar formësohet nga koha, duke u shndërruar në një gjuhë tjetër pikturale me kuptime të reja. Ai ka marrë pjesë në ekspozita të shumta ndërkombëtare, përfshirë “Kosovart” në Kunsthistorisches Museum Wien në Vjenë (2008) dhe “Contemporary Art Albania-Austria” në Muzeun Historik Kombëtar. Veprat e tij janë ekspozuar rregullisht në Suedi, por edhe në Austri, Greqi dhe vende të tjera.
Driton Hajredini (1970, Prishtinë) është një artist multidisiplinar që punon me pikturë, video, instalacione, fotografi dhe film. Ka studiuar në akademitë e arteve në Kosovë dhe Gjermani, dhe jeton mes këtyre dy vendeve. Puna e tij është prezantuar në ekspozita të rëndësishme si “In the Gorges of Balkans” (Kassel, 2003), Total Museum of Contemporary Art (Seul), e-flux VIDEO RENTAL (Nju Jork, Berlin, Amsterdam, Miami), Bienalja e Cetinjes, MANIFESTA 6 (Qipro), Bienalja e Pragës, dhe së fundmi në Manifesta 14 në Prishtinë. Në vitin 2023 fitoi çmimin e parë në ekspozitën “Muslim Mulliqi” në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Arbnor Karaliti (1996, Gjilan) është një artist pamor që filloi karrierën e tij artistike në Prishtinë, ku edhe diplomoi në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Puna e tij eksploron temat e migrimit dhe kujtesës kolektive përmes pikturës dhe video-instalacioneve. Ka pasur prezantime të rëndësishme vetjake në Doza Gallery në Sofje dhe në Oel Frueh Gallery në Hamburg. Ka marrë pjesë në Manifesta 14 në Prishtinë dhe ka qenë pjesë e rezidencës artistike GlogauAIR në Berlin. Në vitin 2019 u nominua për çmimin “Young Artists Award” si pjesë e ekspozitës së këtij çmimi në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Aktualisht po punon në projektin Crisis Leftovers, që trajton përvojat e migrimit.
Aktualisht jeton dhe punon mes Berlinit dhe Prishtinës.
Ekspozita do të hapet më 30 maj në orën 19:00 në “Flori Gallery” në Prishtina Mall, kati I.