Regjisori meksikan Alejandro González Iñárritu, fitues i dy çmimeve Oscar për regjinë më të mirë, është rikthyer te filmi i tij i parë i suksesshëm, Amores Perros, përmes një ekspozite artistike që i është dashur shtatë vite punë.
Projekti i ri, i titulluar Sueño Perro dhe i prezantuar në Los Angeles County Museum of Art, është një instalacion filmik që rikthen në jetë qindra orë material të papërdorur nga xhirimet e vitit 2000.
Që në debutim, “Amores Perros” u konsiderua një film i pazakontë për strukturën e tij narrative, ku tre histori ndërthuren rreth një aksidenti automobilistik. Iñárritu ka treguar se frymëzimi për këtë mënyrë rrëfimi i erdhi nga i ati, një tregimtar i lindur që e niste historinë pothuajse nga fundi, për ta kthyer më pas në mes, duke e mbajtur dëgjuesin të lidhur pas rrëfimit.

Me “Sueño Perro”, regjisori shkon edhe më tej. Ai rishikoi rreth një milion këmbë film të arkivuar – një sasi marramendëse krahasuar me 18 mijë këmbët që përbëjnë versionin final të “Amores Perros”. Nga ky material bruto, ai krijoi atë që i quan “skulptura drite” – fragmente imazhesh dhe tingujsh të çliruar nga detyrimi për të ndjekur një narrativë lineare.
Sipas tij, kur imazhi çlirohet nga komploti dhe kthesat dramatike, ai fillon të thotë diçka vetë. Kujtesa njerëzore nuk e mban mend një film si një rrëfim të plotë, por si copëza: pamje, ndjesi, tinguj. Instalacioni synon pikërisht këtë përvojë – një rikrijim të mënyrës se si funksionon memoria.
Iñárritu e lidh këtë qasje me traditën letrare të “Boom”-it latino-amerikan, me autorë si Gabriel García Márquez dhe Julio Cortázar, të cilët sfiduan format klasike të tregimit. Një ndikim të madh ka pasur edhe filmi Rashomon i regjisorit japonez Akira Kurosawa, ku një ngjarje e vetme rrëfehet nga këndvështrime të ndryshme, duke vënë në pikëpyetje vetë nocionin e së vërtetës.
Për Iñárritu-n, realiteti është më kompleks se e vërteta personale e secilit. Ai argumenton se sot po ngatërrojmë besimet tona me realitetin objektiv – një prirje që, sipas tij, po e bën botën më të polarizuar.
Instalacioni është konceptuar si një përvojë fizike dhe shqisore. Spektatorët hyjnë në një hapësirë të errët, të mbushur me tym dhe rreze drite, ku projektorë analogë – që regjisori i quan “dinosaurë” – hedhin dritë mbi ekran. Tingujt e qytetit të Meksikos përforcojnë ndjesinë immersive. Zgjedhja për të përdorur film analog dhe projektorë realë është e qëllimshme.

“Kjo është një ekspozitë kundër inteligjencës artificiale”, thekson ai. Sipas tij, përhapja e AI në industrinë e filmit rrezikon të dobësojë besimin tonë tek ajo që shohim në ekran. Nëse çdo imazh mund të manipulohet apo gjenerohet artificialisht, shikuesi mund të fillojë të dyshojë për gjithçka. Ai beson se kjo krizë mund të na detyrojë të rikthehemi te përvoja e drejtpërdrejtë, fizike dhe autentike e artit.
Ky projekt u zhvillua paralelisht me filmin e tij të ri, “Digger”, me protagonist Tom Cruise. Pas filmave si Birdman dhe The Revenant, që i sollën dy Oscar për regji, Iñárritu e përshkruan punën me Cruise si një përvojë intensive, por në një mënyrë krejt tjetër nga energjia e ashpër e “Amores Perros”.
Megjithatë, për të, “Sueño Perro” mbetet një rikthim intim në fillesat e tij artistike – një udhëtim pas në kohë, por edhe një deklaratë për të ardhmen e kinemasë në një epokë të dominuar nga teknologjia. /GazetaExpress/
Reiseburo Prishtina ka kënaqësinë të njoftojë se duke filluar nga data 28 Qershor, do të ofrohen fluturime direkte dy...