Me 11 shtator, të hënën, me fillim nga ora 18:00, në Qendrën për praktikë Narrative hapet ekspozita ‘INFRARED’ nga artistët: Era Ramoja, Likana Cana, Luzia Thaqi, Zanë Xhuli.
Gjatë
qëndrimit të tyre tre mujor në Rezidencën INFRARED, Likana Cana, Zanë Xhuli,
Era Ramoja dhe Luiza Thaqi zhvilluan projekte mjedisore. Likana Cana me
projektin e saj të titulluar “This is here” reflekton mbi perceptimet tona ndaj
ndryshimeve klimatike dhe të ardhmes së planetit, duke na ftuar të jemi të
pranishëm, të imagjinojmë të ardhmen duke qenë prezent në të tashmen.
Zanë Xhuli, me temën “Ndotja akustike”, sjell një hulumtim ku janë bërë matje
të decibelëve në vende publike, si: parqe, qytet, zona banimi dhe zona
industriale. Ky hulumtim është përmbledhur në 37 video në disa pika të ndryshme
të Prishtinës me të dhëna dhe një përshkrim mbi njohjen dhe ndikimin e ndotjes
akustike në aspektin fizik dhe psikik.
Era Ramoja, me temën “Poison and Remedy”, na sjell një projekt kërkimor me
fokus mbi identifikimin dhe dokumentimin e bimëve me veti mjekësore dhe atyre
helmuese. Gjetjet e saja nxjerrin në pah bimë të ndryshme me vlerë të mundshme
terapeutike, duke kontribuar në bazën e njohurive të mjekësisë tradicionale.
Luiza Thaqi me temën “Study of relation (,) of us”, eksploron socio-ekologjinë,
që është frymëzuar nga koncepti i Murray Bookchin në vitet 60 që bashkëngjiti
çështjet ekologjike dhe shoqërore. Hulumtimi dhe krijimet artistike të Luizas
në Kosovë synojnë të aplikojnë këtë koncept në nivel lokal, duke promovuar
njohuritë më të gjera mbi lidhjen mes shoqërisë dhe mjedisit. Puna e saj
shërben si një mjet edukues për të theksuar marrëdhënien tonë të padiskutueshme
me natyrën.
Me datën 11 shtator në Qendrën për Praktika Narrative, Era, Likana, Luiza dhe Zana do të ekspozojnë veprat e tyre që janë rezultat i punës hulumtuese në Rezidenca 17.
Kjo ekspozitë vjen në bashkëpunim mes Shtatëmbëdhjetë dhe Qendrën për Praktika Narrative.
/Express