Teksa vendi po hyn në ditët e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paralajmëruar se dështimi për ta përmbyllur procesin deri më 5 mars do ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.
Sipas Cakollit, debati politik po zhvillohet më shumë rreth asaj se “kujt do t’i mbetet faji” në rast të dështimit, sesa rreth gjetjes së një zgjidhjeje që garanton stabilitet institucional.
Ai ka kritikuar edhe idetë e hedhura së fundmi për pezullimin e afatit kushtetues përmes ndërhyrjes së Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke theksuar se ky institucion nuk është mekanizëm për zgjidhje politike, por garantues i rendit kushtetues.
“Vet mënyra si Kushtetuta e ka ndërtuar procesin e zgjedhjes së Presidentit dëshmon se synimi ka qenë që ky post të mos jetë produkt i thjeshtë i shumicës parlamentare. Kërkesa për kuorumin dhe votat e dy të tretave në raundet e para, sipas Cakollit, është një mekanizëm “anti-shumicë”, i projektuar për të siguruar mbështetje më të gjerë politike”, shkruan ai.
Ai ka theksuar se procedura me së paku dy kandidatë dhe 30 nënshkrime për nominim e strukturojnë garën në mënyrë demokratike, ndërsa raundi i tretë garanton përfundimin e procesit dhe vazhdimësinë institucionale.
Cakolli ka sqaruar gjithashtu se afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është 5 marsi – jo 4 marsi – dhe se kalimi i këtij afati e vendos vendin në situatë të mospërmbushjes së një obligimi kushtetues.
“Nëse afatet varen nga vullneti për të nisur procedurat, atëherë ato humbin çdo kuptim”, ka theksuar ai, duke shtuar se një situatë e tillë praktikisht mund të adresohet vetëm përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Ndërkohë, Blerim Sallahu nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se “vendi nuk shkon në zgjedhje nëse nuk zgjidhet Presidenti më 4 mars”.
“Referuar ndërtimit të strukturës së normës kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO29/11, vendi nuk shkon në zgjedhje nëse nuk zgjedhet Presidenti me 4 mars 2026, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në seancë plenare dhe në votim në tri raundet e përcaktuara kushtetuese”, ka shkruar ai.
Sipas tij, në zgjedhje shkohet vetëm nëse, pas ezaurimit të tri votimeve, asnjëri kandidat nuk merr 80 vota në dy raundet e para dhe 61 vota në raundin e tretë.
Sallahu ka shtuar se nëse Presidenti zgjidhet pas 4 marsit 2026, mbi bazën e numrit të votave sipas nenit 86 të Kushtetutës, një zgjedhje e tillë do të ishte kundërkushtetuese.
Ai ka propozuar që, posa të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit, çështja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese me kërkesë për masë të përkohshme, në mënyrë që të pezullohet afati për zgjedhjen e Presidentit.
“Gjykata Kushtetuese nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse t’i obligojë edhe njëherë deputetët që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për, kundër apo abstenim duke iu referuar aktgjykimeve të mëparshme”, ka shkruar ai, duke përmendur aktgjykimet KO 193/25 dhe KO-196/25, si dhe Opinionin e Komisionit të Venecias CDL-AD(2017)003.