Ekspo/ ‘Pas Kujtesës’ – copëzat e jetës që i kanë mbijetuar luftës - Gazeta Express
string(61) "ekspo-pas-kujteses-copezat-e-jetes-qe-i-kane-mbijetuar-luftes"

Ekspo/ ‘Pas Kujtesës’ – copëzat e jetës që i kanë mbijetuar luftës

Arte

Donjeta Abazi

17/01/2025 16:51

Më 15 janar u hap, në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, ekspozita e radhës në kuadër të Thirrjes për projekte artistike – DwP Creations. Etnologia Zanita Halimi prezantoi në ekspozitën ‘Pas Kujtesës’, hulumtimin që vendos në fokus brezin e fëmijëve të lindur menjëherë pas luftës në Kosovë. Pjesëmarrësit e intervistuar ndanë me publikun përjetimet dhe ballafaqimin e tyre me të kaluarën nëpërmjet kujtimeve dhe objekteve të një periudhe që nuk e kanë jetuar por u është përcjellë nga tregimet dhe historitë familjare.

‘Pas Kujtesës’ vjen si paralele në mes ekspozitës ‘Na Ishte Njeherë Që Kurrë Mos Qoftë’, dedikuar fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës me gjësende si veshje, këpucë, fotografi apo libra. 

Lexo Edhe:

Fëmijët e luftës ngjitasi me historitë që nuk arrijnë t’i kujtojnë

Ekspozita ‘Pas Kujtesës’ në fokus ka materialet e mbledhura nga familjarë dhe fëmijë të cilët tash janë studentë, kanë lindur gjatë ose menjëherë pas luftës dhe i ruajnë përmes këtyre objekteve rrëfimet e luftës së fundit në Kosovë, rrëfime të cilat ata vetë nuk i kujtojnë, por pjesë e të cilave kanë qenë.

Në një pjesë të ekspozitës është e vendosur një tavolinë, mbi të cilën vërehet menjëherë një ‘tepsi’ e madhe, ndryshe siç mban titullin vet ky dokumentim “Sinija e familjes së Qëndresës”.

“Qëndresa Fazliu (21 vjeç) vijon studimet master dhe përcjell me kërshëri të gjitha aktivitetet të cilat lidhen me trashëgiminë kulturore. Rrëfimi i Qëndresës për luftën nga familja e saj ka ne fokus sinijën që është një nga objektet e vetme të mbijetuara pas djegies së shtëpisë se tyre. Ky objekt përveç funksionalitetit që kishte dikur, është një kujtim i një periudhe të errët, asaj të luftës.”

Qëndresa dhe rrëfimi i saj dëgjuar nga familjarët e saj është veç njëri nga shumë rrëfime të shumë të rinjve sot, që mbajnë pjesë të trashëgimisë së kujtimeve të tyre edhe një histori shtesë, atë të para lindjes.

“Postkujtimi” ose ballafaqimi me të kaluarën

Materialet që mbushin pjesën e ekspozitës ‘Pas Kujtesës’ janë gjësende të cilat në parim, shihen si orendi të zakonshme, e megjithatë veç të tilla nuk janë. Një orë, një copëz gazete, një libër, disa fotografi, janë një fakt disa dokumentime që i kanë mbijetuar kohës, i kanë mbijetuar luftës, kanë kaluar nëpër kujtimet e plotë gjeneratave, disa prej të cilave më nuk janë t’i shohin të ekspozuara dhe një pjesë tjetër që i mban gjallë rrëfimet e tyre si ‘postkujtim’.

“Labeat Elshani (23 vjeç) ka përfunduar studimet Bachelor, ai angazhohet te dokumentojë për luftën në projekte të ndryshme. Si fillim, biseda e tij për luftën ka filluar nga rrëfimi i familjes së tij. Familja e tij ka pasur një bibliotekë të pasur me libra, mirëpo biblioteka e familjes Elshani ishte djegur bashkë me shtëpinë e tyre gjatë luftës, ky libër i djegur i mbijetuar ka ruajtur një pjesë të historisë që babai i Labeatit e ka ndarë me të, duke i treguar më shumë për luftën.”

Të gjitha orenditë që janë pjesë e kësaj ekspozite janë pjesë e rëndësishme e familjarëve që dikur i kishin në posedim. Ora që ka mbijetuar dhe veç një libër nga biblioteka e pasur e familjes Elshani, janë pjesë e një të kaluare e cila rrëfen veç me prezantim pa pasur nevojë të flitet gjatë.

Procesi i bisedave me fëmijët e pas luftës, nuk është një proces i zakonshëm, në fakt ajo që rendon mbi këto biseda janë fatet e këtyre fëmijëve që gati gati e kishin në teh lindjen e tyre. Trauma e bartur dhe ballafaqimi i fëmijëve të luftës me të kaluarën që e jetuan në periudhë të vështirë të cilën nuk e kujtojnë, është procesi më i rëndësishëm i gjithë asaj që diskutohet sot më së shumit; ballafaqimit me të kaluarën.

Fondi pa fonde, i mbështetur në forcat e veta…

Prezantimi i ‘Family Album – Between Recollection and Reality’ në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, poashtu u realizua si paralele në mes ekspozitës ‘Na Ishte Njëherë Që Kurrë Mos Qoftë’, nga artisti Alban Muja.

Në vitin 2017, Komuna e Prishtinës i dha për shfrytëzim hapësirën në Bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’, Fondit për të Drejtën Humanitare për 15 vite, për të realizuar ekspozitat e Qendrës së Dokumentimit. Hapësira e parë që ndeshet në hapësirat e këtij dokumentimi janë emrat e 1133 fëmijëve të vrarë të luftës së fundit në Kosovë.

Në një intervistë për ‘Nacionale’, Bekim Blakaj, ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë që pos Komunës së Prishtinës, institucionet tjera përkatëse nuk kanë treguar kurrfarë mbështetje tjetër për ekspozitën (dokumentimin) përveç përgëzimeve për punën e tyre. Sipas tij kjo hapësirë nuk i ofron kushtet më të mira për ta mirëmbajtur këtë ekspozitë.

Balaj thotë së ministri i tanishëm i kulturës, Hajrulla Çeku, në fillim ishte entuziast dhe i gatshëm të ofronte një hapësirë të denjë për këtë ekspozitë por pastaj kanë hequr dorë. I ftuar për ta vizituar ekspozitën nga vetë themeluesit e Fondit, ka qenë kryeministri Kurti por kjo ka mbetur deri tash vetëm një ftesë.

Pjesë e rëndësishme e Fondit, i cili mbledh dokumente dhe hap ekspozita për të kaluarën dhe luftën e fundit në Kosovë, janë edhe seritë e diskutimeve.

Iniciativa për seritë e diskutimeve të hapura të ‘Ballafaqimi me të kaluarën – Historitë’ ka për qëllim tregimin e historive të njerëzve të ndryshëm, si kanë jetuar para luftës, si kanë jetuar gjatë luftës dhe si jetojnë sot. Këto diskutime mbahen në Qendrën e Dokumentimit Kosovë, hapësira publike e FDHK-së, e cila është krijuar për të informuar dhe dokumentuar luftën e Kosovës përmes ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale.

/Gazeta Express