Ekspo/ “Njihe vetveten” – ftesë në interpretim - Gazeta Express
string(41) "ekspo-njihe-vetveten-ftese-ne-interpretim"

Arte

Donjeta Abazi

05/07/2025 17:07

Ekspo/ “Njihe vetveten” – ftesë në interpretim

Arte

Donjeta Abazi

05/07/2025 17:07

Më 26 qershor, në “Hani i Dy Robërteve”, u hap ekspozita e artistes Enesa Xheladini, titulluar “Njihe vetveten”, kuruar nga Shkëlzen Maliqi

Vështrime mbi tri perspektiva

Në dy nga punimet në të cilat dominon ngjyra e bardhë e ravijëzuar; vijat bëhen shenja të përhershme të një lëvizjeje që nuk ka fillim e as fund. Nuk janë thjesht gjurmë mbi sipërfaqe, por janë si rrjedha të brendshme që kujtojnë kohën, kohën që gdhend, kohën që grryen, kohën që kalon në mënyrë indiferente. Linjat, të përsëritura por kurrë identike, janë metafora e përditshmërisë, e përpjekjes së pandërprerë për të mbajtur formën, ndërkohë që thellë në shtresat e kanavacës gjithçka po thyhet. Ka një disiplinë në përsëritje, por edhe një lodhje të fshehur mes vijave. Si rrudha të jetës që s’mund të shlyhen.

Në pikturën në ballë të ekspozitës detektojmë një ftesë për të ecur në mjegullën e qenies. Piktura e madhe duket si një kujtim që refuzon të formësohet. Ajo nuk kërkon të shpjegohet, por të pranohet siç është një shtrirje e pafund e butësisë, ku format shfaqen dhe treten, si ide që s’janë gati të lindin. Është një hapësirë ndërmjet qartësisë dhe harresës, ku shikuesi zhytet, jo për të gjetur përgjigje, por për të jetuar pyetjen. Pikturat më të vogla pranë saj ngjajnë me shenja të fragmentuara të ndërgjegjes, copëza të përvojës njerëzore që mbeten pezull, pa premtuar zgjidhje. Këtu piktura nuk është objekt, është përvojë, një proces i vazhdueshëm i shfaqjes dhe zhdukjes.

Pamja e përgjithshme zbulon një rrjet të pashpjegueshëm lidhjesh të brendshme midis veprave. Çdo pikturë është si një derë e mbyllur që të fton të trokasësh, jo për të hyrë, por për të dëgjuar heshtjen që mbetet pas trokitjes. Nuk ka rrëfim të shtruar, nuk ka histori të gatshme. Ka vetëm shtresa, shenja, dhe hije që ecin në kufirin mes pranisë dhe mungesës. Pikturat flasin me gjuhën e heshtjes filozofike: atë që nuk mund të thuhet, por vetëm të ndjehet. Janë kujtime që nuk e mbajnë më formën e tyre origjinale, janë pyetje që nuk kërkojnë përgjigje.

Ftesë për të pranuar

Kjo ekspozitë, në vetvete, krijon një hapësirë reflektimi dhe introspeksioni, ku shikuesi nuk është thjesht një vëzhgues i pasiv, por bëhet pjesë e një procesi më të thellë të ndjeshmërisë dhe interpretimit. Është një hapësirë që nuk kërkon të japë përgjigje të drejtpërdrejta, por të hapë shtigje të reja të mendimit dhe të ndjesisë.

Xheladini përmes kësaj ekspozite flet për kompleksitetin e përvojës njerëzore, për shtresimet e realitetit, kujtesës dhe perceptimit. Nuk ka një narrativë të qartë, as nuk ka një udhëzim se si duhet “lexuar”, dhe pikërisht kjo e bën atë të fuqishme. I fton vizitorët të ndalojnë, të heshtin, dhe të jenë të gatshëm të humbasin në teksturat, ngjyrat, dhe boshllëqet, të cilat shpesh flasin më shumë sesa figurat e qarta.

Ekspozita krijon një tension mes pranisë dhe mungesës, ajo që shfaqet dhe ajo që qëndron e fshehur, e mjegullt, si një kujtim që nuk rikujtohet kurrë plotësisht. Në këtë mënyrë, ajo mund të perceptohet si një reflektim mbi ndjesitë e fragmentuara, mbi kalueshmërinë e kohës, dhe mbi mënyrën se si ne krijojmë kuptim në mes të paqartësisë.

Ajo është edhe një hapësirë ku realiteti fizik i veprave përzihet me atmosferën e ndriçimit të zbehtë dhe heshtjes, duke krijuar një përvojë pothuaj intime, ku gjithçka ftohet të shihet me ngadalësi, me përqendrim, pa ngut.

Në fund, një ekspozitë si kjo nuk ka nevojë të “shpjegohet”, është aty për t’u ndjerë, për t’u përjetuar. Është një ftesë për të hyrë në një dialog të qetë me veten dhe me hapësirën. Një përkujtim se jo gjithmonë kuptimi është i dukshëm; ndonjëherë ai ndodhet te ajo që mbetet e pashpjegueshme.

Kjo ekspozitë është një udhëtim drejt esencës së të paprekshmes. Pikturat nuk janë thjesht pamje, ato janë momente të ngrira të mendimit, gjurmë të përvojave të brishta që kanë rrëshqitur mes duarve të kohës. Bukuria e ekspozitës është sepse të çon në një vend ku nuk je i ftuar të zbërthesh, por të pranosh.

Në tekstin kuratorial të Shkëlzen Maliqit ndër tjerash thuhet:

“Enesa është arkitekte me profesion dhe ndoshta e vetmja lidhje e saj me pikturim është mënyra se si krijon. Veprat e saja ajo i ndërton si një inxhiniere, prej themeli nga njësitë elementare artistike si pika dhe vija. Ajo është një konstruktiviste par excellence dhe një detajiste me përqendrim maksimal. Mirëpo pikturat e saj nuk kanë kurrfarë lidhje me profesionin e saj. Me pika dhe vija ajo nuk ndërton as gjin as gjan. Veprat e saja janë një pasqyrë e gjendjeve shpirtërore të saj, të cilat ajo pa mare na e shfaq në ekspozitën e shënuar. Është mirë të vizitoni vet, se veprat e saja janë shumë më komplekse se kaq. Ndoshta vetëm aty mund njoftoni një trohë me krijesën Enesa.”

/Gazeta Express